S’ka më negociata për Tribunalin, vazhdon presioni mbi Thaçin
Hashim Thaçi ka përzgjedhur Adem Grabovcin si njeriun kryesor që po merret me Gjykatën Speciale dhe me deputetët që po refuzojnë të japin votën e tyre pro themelimit të këtij institucioni. Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë vazhduar presionin mbi liderin e PDK’së, të cilin po e shohin si fajtorin kryesor të dështimit të parë të Gjykatës në Kuvendin e Kosovës.
Pasojat e mosthemelimit të Gjykatës i ka përmendur Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku. Ai ka thënë se disa procese sa i përket integrimeve do të stopohen si pasojë e mosbotimit të Gjykatës Speciale.
Fillimisht mos aprovimi i saj nga Kuvendi e ka shtyrë për në shtator nënshkrimin përfundimtar të MSA-së, që hap rrugën e një marrëdhënie të re kontraktuale të Kosovës me BE’në. Kjo marrëveshje fillimisht qe paraparë të bëhej në qershor-korrik të këtij viti.
Veç kësaj, edhe procesi i përmbylljes së liberalizimit të vizave do të shtyhet gjithashtu për vitin e ardhshëm me shumë gjasa që të mos përfundojë as brenda tij.
Ndërlidhjen mes Gjykatës dhe liberalizimit të vizave e ka bërë edhe vetë ministri i integrimeve, Bekim Çollaku, dhe ai ka futur në këtë lidhje edhe dialogun, si një moment që kërkon më shumë angazhim të Prishtinës dhe Beogradit dhe një lloj suksesi, me përmbylljen e marrëveshjes paketë prej katër çështjeve (përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe).
Mosvotimi i Gjykatës Speciale, që vlerësohet të jetë instrumenti më i rëndësishëm në Kosovën e pasluftës, dhe që thuhet se do të ndihmojë në vendosjen e drejt të sistemit të sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë, e bën të vështirë funksionimin e Kosovës si shtet në vitet në vijim.
Në rast të dështimit të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare, që Kosova ka marrë me votimin në Kuvendin e vet, një vit më parë, shteti do të përballet me izolimin e plotë.
Bashkësia Ndërkombëtare ka paralajmëruar se do të rivlerësojë veten karshi Kosovës dhe do t’ia bëjë me dije se rruga e saj drejt anëtarësimit nuk çon përmes kokëfortësisë në kundërshtim të vlerave themelore të demokracisë e që nënkupton shtetin e së drejtës.
E dyta, Kosova, edhe ashtu larg nga vendosja e sundimit të ligjit dhe në veçanti nga lufta më e ashpër kundër krimit të organizuar e korrupsionit, do të përballet me kërkesat e reja për të përmbushur kritere për liberalizim të vizave.
Burime ndërkombëtarë i kanë thënë Gazetës Express se trysnia diplomatike amerikano-angleze dhe gjermane për votimin e Gjykatës, po bëhet edhe përmes përçimit të porosive se negociatat për Gjykatën kanë përfunduar dhe se nuk ka asnjë negocim të asnjë njeriu dhe as që do të ketë amnisti për askënd.
Bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast amerikanët, anglezët dhe gjermanët po bëjnë presione të reja duke pamundësuar rrjedhimisht funksionimin e Kosovës si shtet në skenën ndërkombëtare.
“Izolimi i shtetit të ri të Kosovës do të vështirësojë funksionimin e tij dhe do të sjellë një valë të re të krizës së brendshme”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në procesin e themelimit të Gjykatës
Zgjedhjet do të shihen vitin e ardhshëm si një lloj zgjidhje por ato nuk do të ofrojnë asnjë zgjidhje për vendin dhe nuk do të ndihmojnë në tejkalimin e përplasjes me faktorin ndërkombëtar.

