S’ka marrëveshje mes Kurtit dhe Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë
Kryeministri Albin Kurti, në shoqërim të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, dhe të Financave, Hekuran Murati, takuan zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti, dhe përfaqësues e pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, pas dëgjimit të kërkesave të tyre, Kurti njoftoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës se është kryer një kategorizim i veçantë dhe një vlerësim i shtesave të rrezikshmërisë për ta.
“Ky proces u realizua me kujdes dhe u bazua në të gjithë faktorët relevante që lidhen me punën dhe përgjegjësitë e tyre, duke marrë parasysh gjithashtu edhe kufizimet aktuale”, u tha në takim.
Gjatë diskutimit, kryeministri nënvizoi përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës.
Siç theksohet, Qeveria synon të lehtësojë kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të pjesëtarëve të Policisë, duke ulur në të njëjtën kohë nivelin e rrezikshmërisë në veprimtarinë e tyre.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti theksoi se përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punës për Policinë e Kosovës do të reflektohen në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.
Projekti i buxhetit parashikon një shtim të investimeve kapitale në Policinë e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm të qeverisë ndaj sigurisë dhe efikasitetit të forcave të rendit.
Kuri shprehu falënderim ndaj përpjekjeve dhe kontributit të tyre në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit me profesionalizëm të lartë./Telegrafi/