RCCOLA

S`ka imponime

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja Atifete Jahjaga indirekt i është përgjigjur letrës së Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. Ajo tha se koha kur është imponuar mendimi politik përmes dhunës ka përfunduar përgjithmonë.

Atifete Jahjaga ka dalë edhe njëherë pro dialogut me Serbinë dhe i ka dhënë përgjigje edhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, i cili ditë më parë akuzoi Presidenten se po mbron Qeverinë dhe Policinë.

Jahjaga ka shfrytëzuar një fjalim të hapjes së konferencës ndërkombëtare “Gërmia Hill II” për t’i dhënë mbështetje dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se koha e hegjemonisë dhe imponimit të koncepteve politike nëpërmjet dhunës ka përfunduar përgjithmonë.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialogun si rrugën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve. Kjo rrugë nuk ka alternativë. Ne besojmë që koha e hegjemonizmit dhe e imponimit të koncepteve politike nëpërmjet dhunës tashmë përgjithmonë ka përfunduar. Vetëm duke qenë të lirë dhe të barabartë mund të ecim bashkërisht përpara”, ka thënë Jahjaga.

Edhe pse nuk ka përmendur emrin e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahjaga ka dalë kundër nismave të Albin Kurtit për të kundërshtuar dialogun nëpërmjet rrugës.

Presidentja ka thënë se e vetmja alternativë për normalizimin e raporteve me vendet fqinjë është dialogu.

Megjithëkëtë, ditë më parë, Lideri i Vetëvendosjes i kishte shkruar Jahjagës, duke i kërkuar të mos pozicionet për alternativën e Qeverisë për dialog me Serbinë.

Kurti kishte thënë se Qeveria përmes policisë dhe Jahjagës po mundohet të përdorë edhe çizmen për të imponuar mendimin e tyre.

Uji Dea

“Zonja Presidente, në deklaratat tuaja thoni se dialogu me Serbinë është e vetmja alternativë. Ju thoni se shtrëngimi i duarve me një shtet ende agresiv siç është Serbia, që nuk heq dorë prej Kosovës në kushtetutën e saj, dialogu me një shtet ende të papërgjegjshëm për mbi 12.000 civilë të vrarë, për afër 20.000 gra të dhunuara, për mbi 1.700 të pagjetur e qindra mijëra shtëpi e prona të djegura, është mundësia e vetme”, kishte shtuar Kurti.

Kurti i kishte bërë edhe disa pyetje Jahjagës, e cila nuk u është përgjigjur ende drejtpërdrejt.

“A i keni shteruar të gjitha mundësitë e tjera, para se të përfundoni te kjo “alternativë e vetme” që imponohet me çizme policie? Përse nuk i keni marrë në konsideratë gjithë alternativat që ofron spektri politik parlamentar në Kosovë, para se të përfundonit te kjo “alternativë e vetme”?’, kishte pyetur Kurti dhe kishte dhënë edhe përgjigje.

“Zonja Presidente Jahjaga, Serbia nuk mund dhe nuk duhet të jetë “alternativa e vetme””, kishte shkruar Kurti.

Raportet mes Presidentes Jahjaga dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë qenë të mira, sa herë që Presidentja ka dalë me një qëndrim pro politikave të Qeverisë.

Vetëvendosje nuk ishte pajtuar as me votimin e Jahjagës për Presidente, duke e quajtur zgjedhjen e saj jodemokratike dhe të imponuar.

Edhe në letrën e fundit, Kurti ka thënë se Jahjaga nuk po mund ta harrojë se ka dalë prej zarfit, duke mos qenë në gjendje të luaj rolin unifikues sic parashihet roli i Presidentit me Kushtetutë.(express)