Uji Dea

S’ka arsye të vonohen liberalizimi i vizave dhe nënshkrimi i MSA-së

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti sot një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE), i kryesuar nga nënkryetarja e PE-së, Ulrike Lunacek.

Pasi falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën, përfshirë proceset integruese evropiane, kryeministri Isa Mustafa i njoftoi eurodeputetët për prioritetet e Programit Qeveritar që po implementohen nga Qeveria e Kosovës, të cilat do të mundësojnë zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e varfërisë, si dhe për reformat fiskale, përkrahjen e energjetikës, bujqësisë, e të tjera.

Duke veçuar angazhimin e fuqishëm për avancimin e proceseve integruese evropiane dhe hapat e Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila do të mundësonte vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, kryeministri Mustafa theksoi se tashmë nuk ka asnjë arsye që këto dy procese të mos finalizohen sa më parë.

Kryeministri Mustafa i njoftoi eurodeputetët edhe për proceset tjera aktuale në Kosovë, duke përfshirë edhe fuqizimin e shtetit ligjor, ngritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, si dhe theksoi përkushtimin për anëtarësim në UNESCO dhe hapat tjerë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

UBT

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka përgëzuar kryeministrin Mustafa për hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe në proceset që lidhen me dialogun në Bruksel.

Më tutje, Lunaçek dhe eurodeputetët tjerë të PE-së kanë folur për proceset aktuale në Kosovë, duke u interesuar edhe për zhvillime tjera aktuale në Kosovë.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, shprehu besimin se viti 2015 do të shënojë kthesë pozitive në marrëdhëniet e Kosovës dhe BE-së, duke thënë se “tani është momenti i duhur që BE të konfirmojë në mënyrë konkrete perspektivën evropiane për Kosovën”. Po ashtu ministri Çollaku, ka konfirmuar se janë përmbushur kriteret teknike dhe ka potencuar se tani është koha që BE-ja të lëviz para me nënshkrimin e MSA-së dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, prezantoi hapat e ndërmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ministri Kuçi theksoi se prioritet kryesor aktualisht është funksionalizimi i plotë i sistemit të drejtësisë, i cili do të mundësonte luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe dënimin e të gjithë shkelësve të ligjit.