Situata e komplikuar e Milot Rashicës, Altin Lala zbulon të ardhmen e yllit të Kosovës
Milot Rashica ishte futbollisti më i mirë i Werder Bremenit edicionin e kaluar.
Me golat, asistimet dhe lëvizjet e papërballueshme për kundërshtarët, futbollisti nga Vushtrria arriti të shpallej ‘futbollisti më i mirë’ i skuadrës nga Bremeni për edicionin e kaluar.
Kontrata aktuale e 23-vjeçarit me Werder Bremenin skadon në vitin 2020, dhe tani klubi gjerman dëshiron një marrëveshje të re me kosovarin, shkruan Zëri.info.
Trajneri i Werder Bremenit Florian Kohfeldt duke e lavdëruar Rashicën, tha se janë duke e shqyrtuar rinovimin e kontratës.
“Miloti është zhvilluar pozitivisht me ne. Dhe natyrisht ne jemi duke e shqyrtuar kontratën e tij”, tha trajneri gjerman.
Rashica u transferua në Werder Bremen nga Vitesse në vitin 2018 me një page vjetore prej 1.8 milionë euro, por me nënshkrimin e kontratës së re, ai do të ndihej edhe më mirë në klub.
Falë paraqitjeve heroike dhe golave të jashtëzakonshëm, Rashica madje ka marrë edhe nofkën “raketa”.
Lidhur me të ardhmen e Rashicës ka folur edhe përfaqësuesi i tij Altin Lala, i cili për “Bild” tha se nuk janë duke u nxituar për kontratën e re.
“Miloti ka edhe tre vite në kontratë. Nuk duhet të nxitojmë për një rinovim tani”, tha Lala.
Kjo do të thotë se rinovimi i kontratës nuk është një çështje që është duke i interesuar Rashicës tani, por ai fillimisht duhet ta shikojë zhvillimin e tij në muajt e ardhshëm.
Tashmë, këtë afat kalimtar kanë ardhur ofertat e para për futbollistin e Kosovës.
Benfica e Lisbonës ka ofruar 18 milionë euro drejt Werder Bremenit, por klubi gjerman ka refuzuar kategorikisht.
Vlera aktuale e Rashicës në treg sipas “Transfermarkt” llogaritet deri në 20 milionë euro./Zëri.info


