Sistemi i drejtësisë nën thundrën e politikanëve të korruptuar deri në fyt
“Partitë politike janë instrumentalizuar deri në atë shkallë, saqë e kanë kapur e korruptuar edhe shtetin, edhe demokracinë, edhe ligjin, edhe drejtësinë, por edhe shoqërinë. Duhet miratuar një ligj demokratik edhe për mënyrën se si duhet të funksionojnë demokratikisht partitë politike, duhet kufizuar mandati i kryetarëve të përjetshëm të tyre”, tha analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”.
Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë po vazhdojnë të kritikojnë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se kjo drejtësi e degraduar akoma po vazhdon të jetë vetëm në funksion të politikës, të lidhjeve të ngushta politike, krim i organizuar, dhe duke punuar vetëm nën urdhrat e mafio-politikës dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar. Për këtë pasojë,sipas analistëve, deri më tani po vazhdojnë t’i shpëtojnë drejtësisë politikanët e inkriminuar, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, të cilët janë të lidhur me nëntokën si dhe mafio-oligarkët e inkriminuar, pjesë të krimit të organizuar, ndërkaq që Prokuroria Speciale, e themeluar enkas për krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë, bëhet se nuk po i sheh dhe kështu vetëm bën avokatinë e krimit. Në këtë mënyrë, njohësit e kësaj fushe theksojnë se drejtësia kosovare po i bën avokatinë krimit dhe korrupsionit të lidhur me politikën, duke mos hapur e hetuar dosjet e krimit të organizuar të politikanëve të inkriminuar dhe mafio-oligarkëve të lidhur me ta, mbi të cilat prokurorët po bëjnë gjumin e rehatshëm, e të cilat dosje u flenë në sirtarët e tyre, shumica edhe si kallëzime penale të denoncuara nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me krimin.
MIFTARI: GJYKATAT DHE PROKURORIA JANË NËN THUNDRËN E POLITIKANËVE AUTOKRATË E TË KORRUPTUAR DERI NË FYT
Eksperti i fushës, Naim Miftari, vlerëson se nuk mund të ketë shtet ligjor e të së drejtës derisa vetë këto institucione janë të kapura nga krimi e korrupsioni.”Dihet shumë mirë se drejtësia ka dështuar totalisht në Kosovë dhe sundimi i ligjit nga paslufta është drejtësi selektive, ku dihet mirë se kush guxon të hetohet dhe dënohet e kush jo. Drejtësia në vendin tonë, gjykatat dhe prokuroria, janë nën thundrën e politikanëve autokratë e të korruptuar deri në fyt, prandaj pa u pastruar partitë politike dhe pushteti nga mafia “institucionale” nuk do të ketë rend as edhe drejtësi në organet e drejtësisë. Faktikisht, sot organet e ndjekjes dhe të drejtësisë janë vetëm mbulesë e krimit të organizuar në vend, edhe pse do të duhej të ishte e kundërta. Dhe, në krejt këtë VALLE të krimit të organizuar, secili segment shtetëror i korruptuar e merr hisen e vet të gjahut joligjor”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.
KAPITI: NË KOSOVË TË SUNDOJË LIGJI DHE JO ANARKOMAFIOPOLITIKA, KRIMI, KORRUPSIONI DHE PADREJTËSIA
Analisti Skënder Kapiti thotë se shoqëria kosovare duhet të ndërgjegjësohet së pari për rolin vendimtar që ka ligji dhe zbatimi i tij në shtetin e Kosovës, ku duhet të zgjohet e të ngrihet fuqishëm në protestë në emër të drejtësisë dhe të së vërtetës. “Pra, duhet një lëvizje popullore paqësore, e cila është e motivuar ligjërisht, moralisht dhe demokratikisht, pasi kërkon që në Kosovë të sundojë ligji dhe jo anarko-mafiopolitika, krimi, korrupsioni dhe padrejtësia. Krimi, korrupsioni, papërgjegjshmëria e politikës dhe e sistemit të drejtësisë tashmë e kanë kryer dëmin e rëndë ndaj kombit dhe shoqërisë, duke i infektuar dhe paralizuar edhe ato”, tha ai për “Kosova Sot”.
Sipas tij, revolucioni paqësor i VETTING-ut së pari duhet të fillojë nga partitë politike kosovare, sepse që aty kanë filluar, kultivuar, rritur e kulmuar padrejtësia, korrupsioni, pabesia dhe tradhtia politike dhe sociale.”Partitë politike janë instrumentalizuar deri në atë shkallë saqë i kanë kapur e korruptuar edhe shtetin, edhe demokracinë, edhe ligjin, edhe drejtësinë, por edhe shoqërinë. Duhet miratuar një ligj demokratik edhe për mënyrën se si duhet të funksionojnë demokratikisht partitë politike, duhet kufizuar mandati i kryetarëve të përjetshëm të tyre. Nëse partitë politike kapen nga krimi, korrupsioni, papërgjegjshmëria dhe autoritarizmi, gjë e cila është karakteristike e të gjitha partive politike jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë, të atyre në Maqedoni e Mal të Zi, atëherë kjo lloj praktike dhe kulture transferohet edhe në Parlament, edhe në Qeveri dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe në shoqërinë kosovare. Në këto kushte drejtësia në Kosovë, sistemi i saj, është vetëm fasadë, pas së cilës mbrohen krimi, korrupsioni, padrejtësia, bizneset e paligjshme dhe paraja e pistë”, potencoi Kapiti.
Dy grupet që kontrollojnë krimin dhe shtetin
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se drejtësia kosovare është në funksion kryesisht të dy grupeve fort mirë të organizuara dhe që nuk i takojnë shtetit, të cilat në gjuhën politike cilësohen si grupe kriminale. “Kur e mendoj këtë zakonisht fjalën e kam për: 1. Mafinë oligarkike ekonomike dhe financiare, e cila është shndërruar në udhëheqës të shtetit dhe e bën tërë politikën në vend, qoftë ajo ekonomike, qoftë politike, qoftë financiare, qoftë të punës dhe qoftë ndërkombëtare. Në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha firmat, pa dallim, e në bazë të saj janë kompanitë DEVOLLI, HIB, ETC, LESNA, ALBI MALL. Këto firma i kanë vënë nën kontroll politikën, prokurorinë, gjyqësorin dhe policinë. Madje edhe shtetin, sikundër u deklarua ministri i Diasporës së Shqipërisë, Pandeli Majko, kur përmendi oligarkët ekonomikë, si DEVOLLIN, si shkaktarë të moslargimit të kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë. 2. Është grupi politik i subjekteve politike të organizuara në grupe informale, të cilët, edhe pse të subjekteve të ndryshme politike, po bashkëpunojnë në mes vete dhe me oligarkët mafiozë, duke e shndërruar tërë shtetin në mekanizëm të realizimit të interesave kriminale të tyre dhe të mafisë ekonomike në vend”, u shpreh Kelmendi. “Këto dy grupe po bashkëpunojnë ashpër midis vete dhe e kanë futur tërë pushtetin nën kontroll. Aktualisht është mbi 95 për qind e pronësisë së Kosovës nën kontrollin e oligarkëve ekonomikë. Ata po diktojnë pushtetin lokal, nëpër komuna, si dhe pushtetin qendror, në nivel të shtetit”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.
Kelmendi: Prokurorët u japin llogari vetëm mafio-politikanëve dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara!
Kurse analisti politik Naim Kelmendi pohon se tanimë ekziston mendimi edhe zyrtar, që prokurorët sikur po bëjnë sehir pas kërkesave të vazhdueshme dhe publike të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, për llogaridhënie nga prokurorët, për mosveprim për veprat konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Kjo gjendje sipas tij është sa shqetësuese aq edhe alarmuese.”De fakto duket se prokurorët nuk u japin llogari dhe përgjegjësi shefave të tyre dhe gjithashtu as ligjit, i cili i detyron, por duket se fatkeqë- sisht ata u japin llogari vetëm mafiopolitikanëve dhe mafio-oligarkëve të bizneseve të inkriminuara, pra atyre që i kanë dërguar aty me detyra konkrete për të qëndruar ‘mbi ligjin'”, u shpreh ai. “Prokuroria Speciale mund të ngritë edhe hetime “ex oficio” për shumë raste dhe të nisë hetimet dhe të ngrejë aktakuzat mbi bazën e atyre që flitet e shkruhet dhe dëshmohet nëpër media, e jo vetëm të presë denoncimet e qytetarëve. Mbase kështu ndaj këtyre rasteve ajo duket se bën sehir dhe nuk reagon fare, por është dhe fakti tjetër, që tregon se Prokuroria Speciale edhe prokuroritë e tjera themelore nuk i hapin hetimet, edhe atëherë kur pranojnë denoncimet dhe kallëzimet penale të deponuara me shkrim nga qytetarët dhe bizneset e palidhura me krimin”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se derisa mbizotëron ky kaos në sistemin e drejtësisë, nga kjo gjendje katandisëse e drejtësisë kosovare përfitojnë politikanët e inkriminuar si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafio-oligarkët, ngase derisa është kapur një sistem i tërë prej mafio-oligarkëve të kriminalizuar politikë, nëntokës mafioze dhe mafio-oligarkëve të bizneseve kriminale, nuk mund të pritet efekt pozitiv i kësaj drejtësie të kalbur.
(Kosova Sot)


