Siriani plagos rëndë azilkërkuesin nga Kosova
Në një rrahje në mes të katër personave në Neckarhausen (Baden Württemberg, Gjermani), një azilkërkues kosovar 28 vjeçar ka marrë plagë të rënda me thikë nga një azilkërkues tjetër, sirian 20 vjeçar.
Viktima dhe fajtori i dyshuar si dhe dy meshkuj të tjerë, 24 dhe 27 vjeçarë kishin rënë në konflikt për shkakun e një gruaje. Pas provokimeve të ndërsjella kishin filluar edhe goditjet në mes të katër personave. Me këtë rast, sipas hetimeve, siriani ka therur disa herë radhazi kosovarin duke i shkaktuar plagë në bark dhe në gjoks, skruan stutgarterzeitung.de.
I plagosuri është dërguar në spital dhe pas trajtimit stacionar, është jashtë rrezikut për jetën.
Personat tjerë të përfshirë në rrahje kanë marrë lëndime të lehta dhe kanë ikur fillimisht nga vendi i ngjarjes. Por, policia ka kapur dy prej tyre jo larg nga aty, ndërsa i treti i është paraqitur vetë policisë pak kohë më vonë.
Prokuroria shtetërore ka ushtruar urdhërarrest ndaj 20 vjeçarit të dyshuar si autor i plagosjes, ndërsa dy të tjerët janë lënë të lirë. Por ehde kundër tyre, ashtu si dhe kundër viktimës do të zhvillohen hetime për shkaktim lëndimi trupor.
albinfo.ch


