KKVITI

Sinori ndarës

/ 1 minutë lexim
Eco Higjiena

Nga Bilall Maliqi – Krijime nga Manifestimi Rajonal i Poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, mbajtur më 8 qershor 2013 në Grykën e Karadakut.

SINORI NDARËS

Në faqet e saja iniciale të gërryera
Trekëndëshi lexon motet e brishta
Treshi në pasqyrën e saj muros fjalë
Nëpër hulli shprishen kohët e trishta

Rrethë gurit Grabofçi lëshon shtatin
Me kokat e tij ndjell shumë trishtim
Nga shqiponja dykrenare në qiell
Zogjtë e shqipes kërkojnë shpëtim

Mobi Casa

Pikëtakim i futur në fytin e kujtesës
Trazim heshtjeje në peizazhin heshtak
Këndi (po)etik varet në cep të etnisë
Vargjet rigufojnë në Karadakun plak

Kuçedra mu në mes të gurit vjell flakë
Dykrerëshi pamëshirshëm shpresën xeheron
Ëndërr e gurëzuar në gjoksin e stinës së parë
Moti i mbramë rrëshqet faqet gurit ia lëmon

Zërat poetik zgjojnë malin e gjumosur
Nga trekëndëshi që shqip kuvendon
Mallëngjim i pasosur maje guri qëndron
Zë i fortë i shqipes nga shpirti gufon

(Gryka e Karadakut, 08.06.2013)