Sindroma e vonesës – Festina lente
Nga Luan Mulliqi – Anëtarësimi në UNESCO është një projekt madhor, kërkon kohë dhe parapërgatitje. Së paku mësuam se çka është diplomacia kulturore, prandaj nuk duhet të zhgënjehemi.
Humbja e betejës në UNESCO u përjetua shumë rëndë nga të gjithë ne, posaçërisht për ata të cilët nuk kanë informacione të mjaftueshme për funksionimin e brendshëm të kësaj organizate, si dhe për ata të cilët nuk i njohin lojërat e diplomacisë kulturore të Beogradit, i cili ka traditë shekullore në këtë fushë.
Ishim shumë afër, dhe ky fakt e bën humbjen më të lehtë, aq më parë kur për vetëm gjashtë muaj kryem detyra shumë të rënda të shtëpisë, dhe filluam të kuptojmë çka është diplomacia kulturore. Një projekt i tillë kërkon kohë dhe parapërgatitje strategjike. Pas dy vjetëve mund të jemi anëtar të UNESCO-s, nëse mësojmë nga përvojat e të tjerëve dhe nga mospërsëritja e gabimeve tona në të kaluarën. Serbia mori shumë me pak vota se sa kishte investuar. Tani ajo do ta ketë vështirë t’i vazhdojë projektet përmes UNESCO-s për të rrezikuar hapësirën territoriale të Kosovës, siç bëri deri më tani.
Më 17 mars 2003, një delegacion i lartë i UNESCO-s, në krye me dr. Horst Goditske, drejtor i trashëgimisë botërore (mik i afërt i Jusuf Vrionit), vizitoi Kosovën. Vizita e këtij delegacioni të lartë ishte iniciuar nga Çoviqi, për të vlerësuar dëmet e kishave ortodokse gjatë luftës!!! Raporti i këtij delegacioni nuk ishte aq negativ siç pretendonte dhe kërkonte Beogradi. Çfarë koincidence, një vit më vonë në të njëjtën ditë, më 17 mars 2004, Kosova pësoi rënien më të madhe të imazhit tonë, pasojat e së cilës ende po i vuajmë. Ishte një skenar i përgatitur mirë, pas të cilit Beogradi me propagandën e vet e stërmadhoi edhe më shumë. Shumë delegacione të tjera të UNESCO-s dhe të Këshillit të Evropës ktheheshin me raporte negative për Kosovën. Së pari, Manastiri i Deçanit hyri me procedura urgjente në Listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s. Ishin të kota tentimet tona që të zbutnim këtë ofensivë. Për këtë arsye ministri i parë i Kulturës, Behxhet Brajshori, ishte nisur për UNESCO (maj 2004) në një takim të caktuar nga UNMIK-u. Drejtori i përgjithshëm Mitsura nuk kishte guxuar ta pranonte në takim pa prezencën e ambasadorit serb të UNESCO-s. Natyrisht, ministri ynë nuk kishte rënë në kurth të UNMIK-ut, dhe takimi kishte dështuar. Tashmë Serbia po vazhdonte me projektet e veta dinake. Derisa në Vjenë mbaheshin bisedat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë, në konferencën e UNESCO-s, në Vilianus (korrik 2006), Serbia prapë urgjentisht arrin të futë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore, Patrikanën e Pejës, Kishën e Shën Premtes në Prizren dhe Manastirin e Graçanicës, të gjitha këto si pasuri të trashëgimisë kulturore të Serbisë, pavarësisht se këto objekte janë në hapësirën territoriale të Kosove. Pra, ishte e qartë se kishin filluar të krijonin të ashtuquajturin “korridorin ndërkombëtar” – Pejë – Deçan – Prizren- Graçanicë – Partesh, sipas projektit dinak të ASHAS-it.
Kjo ishte një e arritur e madhe për Serbinë përmes UNESCO-s. Pritet që ky projekt të implementohet nga Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës, i cili u pranua në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel. Shumë i rrezikshëm për Kosovën (cila pikë kufitare e Kosovës do të mund të menaxhonte një peligrinazh si ai i Gazimestanit i vitit 1989). Tashmë ofensiva e diplomacisë kulturore e Serbisë ishte në kulm. Ata kishin arritur që të bindin botën se i vetmi identitet kulturor i Kosovës është trashëgimia ortodokse e kishave dhe e manastireve dhe me presionin e vet arriti të shtynte UNESCO-n të organizonte Konferencën e Donatorëve (ndër më të mëdhatë) për rindërtimin e trashëgimisë ortodokse të Kosovës.
Konferenca e Donatoreve u mbajt më 4 maj 2005. Presidenti Rugova ishte aq shume i shqetësuar për këtë konferencë në Paris, saqë kishte mbikëqyrur dhe redaktuar personalisht katalogun e trashëgimisë kulturore, të botuar enkas për këtë ngjarje. Meqenëse në këtë konferencë nuk kishim të drejtë fjale, delegacioni ynë vendosi që individualisht të shpërndante këtë katalog. Natyrisht që katalogu me të vërtetën për trashëgiminë tonë u konsiderua si skandal nga ambasadori i Serbisë dhe nga MPJ e Serbisë, Vuk Drashkoviq, i cili me dhjetëra herë përsëriti se në “Kosovë u shkatërrua një numër i madh i monumenteve të krishterimit”. Gjatë pushimit, miqtë tanë me mirësjellje mundoheshin të na ngushëllonin për ofendimet dhe etiketimet e delegacionit serb. Pas fjalimit të mikut tonë, Jesen Petersen, duartrokitjet e gjata të shumë delegacioneve prezent në këtë konferencë ishin përkrahje dhe simpati e madhe për durimin tonë.
Menjëherë pas kësaj konference, Beogradi inicioi projektin për sigurimin (safe garding) e kishave dhe manastireve në Kosovë. Ky ishte projekti më i rrezikshëm (lëkura e leopardit), sepse kërkonte exteritorialitete anembanë Kosovës për këto objekte. Drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, z. Mitsura, kishte refuzuar (me arsyetimin se është recetë e vjetër e Hilandarit) t’ia paraqiste Bordit Ekzekutiv këtë projekt të përpiluar nga ASHAS-i dhe Instituti Ortodoks i Selanikut, koordinator i të cilit ishte eksperti i njohur Evangelos Kefos. Sidoqoftë, Beogradi arriti që të krijonte një komitet të veçantë pranë UNESCO-s, i cili do të merrej me sigurimin e trashëgimisë ortodokse në Kosovë.
Pas shumë polemikave Beograd-UNESCO, më 5 dhjetor 2005, u mbajt mbledhja e parë e këtij komiteti. Pasi projekti i exterritorialitetit ishte stopuar, Serbia propozoi planin B, ku kërkonte që kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë të ruhen nga policia serbe me pretekst se Policia e Kosovës nuk është e sigurt. Në këtë takim u refuzua edhe propozimi i dytë i planit B të Serbisë. Një vendim i tillë u mor pas një diskutimi shumë të nxehtë të mikut tonë, ambasadorit Larry Rosin.
Në vitet në vijim delegacionet e UNESCO-s ishin më të rralla dhe çdo herë që vinin përsëri vinin me projekte të Beogradit. Natyrisht që ministrat tanë të kulturës nuk i kuptonin këto punë të holla të diplomacisë kulturore. Pas takimeve gjithnjë deklaronin se kemi bashkëpunim të mirë me UNESCO-n, e vërteta ishte se bashkëpunimi ishte njëanësor, duke mos e kuptuar rrezikun e projekteve të UNESCO-s. Viteve të fundit, shpeshherë i sugjeronim ministrat tanë që të fillonin përgatitjet për anëtarësim në UNESCO, sepse këtë na këshillonin shumë ekspertë, miq tanë të njohur me procedurat e UNESCO-s. Ata na inkurajonin se është momenti i favorshëm dhe se me rastin e aplikimit do të frenohej ofensiva e rrezikshme e projekteve serbe. Besoj se tani, pas votimit në UNESCO, ministrat e kanë të qartë se të njëjtat shtete që na përkrahën aty, me votat e tyre janë po të njëjtat shtete që kishin pranuar Pavarësinë e Kosovës para shumë vjetëve.
Sugjerimet tona ishin të kota dhe ashtu vazhduan gjumin kulturor deri në mars të këtij viti duke bërë lëshime të shumta. Në mars të këtij viti, ministrja e Kulturës e Francës, znj. Fleure Pellerin, i kishte bërë një nder të madh Kosovës, duke organizuar një ekspozitë të trashëgimisë sonë kulturore në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë në Paris. Nga Muzeu i Kosovës, eksponatet kishin arritur në Paris, ndërsa nga Parisi kishin arritur ftesat edhe te qeveritarët tanë, por ata kurrsesi të zgjoheshin nga gjumi. Ata fillimisht nuk iu përgjigjën ftesës së ministres franceze. Ishte kryetari i ASHAK-ut, akademik Hivzi Islami, i cili duke vërejtur moskoordinimin dhe injorimin e ministrive tona, me përkrahjen e tij që i dha ambasadorit tonë në Paris, profesor Kullashit, na shpëtoi nga turpi skandaloz. Ministrja franceze, e cila në emër të vet kishte dërguar ftesat për këtë ekspozitë, nuk erdhi në hapjen solemne (22 mars 2015), sigurisht e zhgënjyer nga injoranca jonë që nuk po respektonim kulturën tonë. Nuk guxojmë të përsërisim këso gabimesh.
Gjatë ditëve të ekspozitës në Paris shumë miq tanë ndërkombëtarë ishin të shqetësuar për injorimin tonë ndaj UNESCO-s, sepse po flitej se Beogradi kishte filluar të lansonte projektin vendimtar “Kosova Trashëgimi Shpirtërore e Serbisë” (diçka si muri i Jerusalemit). Ky projekt ekstrem kishte nervozuar shumë ekspertë brenda UNESCO-s, nder ta edhe Kadarenë dhe Besianën, që ishin tepër nervozë për injorancën e pushtetarëve tanë ndaj UNESCO-s.
Pas një muaji, nga fundi i prillit, miqtë tanë evropianë, posaçërisht ata amerikanë, të cilët thyen edhe parimet e tyre (SHBA-ja ishte kundër anëtarësimit të Palestinës në UNESCO, derisa nuk bëhet anëtare në OKB), kishin vendosur që edhe një herë të merrnin iniciativën duke qortuar qeveritarët tanë dhe duke i njoftuar për rrezikshmërinë e këtij projekti serb. Kjo vërejtje serioze e miqve tanë fatmirësisht ishte kuptuar seriozisht dhe menjëherë ato ditë Besiana (Kadare), Petriti dhe prof. Kullashi kishin filluar të punonin nga 20 orë në ditë, që nga procedurat e aplikimit e deri te botimi i një katalogu “KosovO in UNESCO” për identitetin tonë kulturor, i cili sigurisht nga ngutja doli me shumë lëshime. Pastaj kishin filluar lobimet me gafe të shumta që disi arsyetoheshin pasi jemi shtet i ri (të cilat në të ardhmen duhet të na shërbejnë si përvojë). Javën e fundit ishte një betejë e ashpër si ajo e Rambujesë, por tani e zhvendosur në Paris, ku dukej se Boshti i Teodosit kishte një epërsi, sepse i duheshin vetëm një e treta e votave. Serbia ishte e sigurt se fitorja e tyre do të ishte shumë më e thellë.
Nuk duhet të ndalemi, pavarësisht kush do të jetë kryesues i UNESCO-s pas dy vjetëve. Duhet të angazhohemi edhe më shumë, në mënyrë që të mos i zhgënjemë miqtë tanë të cilët na përkrahën me votat e tyre. Dy vjet mjaftojnë për parapërgatitje dhe për përpilimin e një strategjie të qëlluar.
Do të ishte mirë që Qeveria të caktojë një grup punues për anëtarësim në UNESCO (në mënyrë që as fitorja e as humbja të mos duken individuale).
Sigurisht se ky grup punues ka shumë punë për të bërë. Duhet së pari t’i kryejë detyrat e shtëpisë. Investimet në kulturë dhe në infrastrukturën kulturore i kemi në nivel shumë të ulët ende, pas 16 vjetëve nuk botuam asnjë monografi për trashëgiminë kulturore, nuk investuam në asnjë film kapital, nuk arritëm të ngremë asnjë monument të Lirisë apo të Pavarësisë. Ende nuk kemi krijuar mekanizma për ngritjen e imazhit tonë, i cili është gjithnjë në rënie. Ambasadat tona jo vetëm që nuk kanë zyrtarë (atashe) për kulturë, por nuk kanë asnjë botim për Kosovën, e cila sado pak do ta ngrinte imazhin tonë. Ende pas 16 vjetëve të lirisë nuk kemi………!
Nuk duhet të presim që miqtë tanë gjithnjë t’i iniciojnë punët tona. Duhet të mësohemi që shumë punë duhet t’i kryejmë vetë.
Duhet t’i bindim të gjithë ata që nuk votuan për ne në UNESCO, se trashëgimia mesjetare ortodokse nuk është i vetmi identitet i Kosovës. Duhet të krijojmë identitetin e ri për shtetin e ri të Kosovës.
http://koha.net/?id=31&o=967


