Sindroma e bajraktarizmit

Nga Milaim Shefkiu – Metafora e përdorur mijëra herë se “më lehtë është të mbledhësh një grusht pleshta sesa një grup shqiptarësh”, shpesh ka dalë e vërtetë. Gjithmonë kur shqiptarët nuk kanë qenë në konflikt me të huajin, ose nuk kanë qenë të shtypur, asnjëherë nuk kanë arritur të bashkohen dhe të marrin vendime të përbashkëta për çështjet e caktuara. Pavarësisht etapave të rëndësishme historike që kanë kaluar gjeneratat e tëra, gati asnjëherë shqiptarët nuk kanë folur me një zë dhe nuk kanë reflektuar qëndrimin si komb.
Ky sindrom i përçarjes dhe mosunitetit nuk është i shekullit të fundit, por gjatë gjithë historisë, shqiptarët kanë vuajtur nga sëmundja e të quajturit bajraktarizëm. Dhe për ta realizuar qëllimin, nuk kanë zgjedhur mjete, qoftë duke u bashkuar edhe me djallin, vetëm që ta përmbysin “dushmanin”, i cili nuk ka qenë gjithmonë i huaji, por i të njëjtit gjak – shqiptar.
Nga kjo sëmundje trashëguese nuk kanë arritur të shërohen që nga koha e principatave, epoka e Skënderbeut, shtetformimi (1912), mbretëria e Zogut, socializmi e deri të UÇK-ja dhe pavarësia e Kosovës. Madje në këtë etapat e fundit sëmundja e bajraktarizmit ka metastazuar, duke lëshuar rrënjë edhe nëpër vendet që shqiptarët kanë më pak dominim, në Maqedoni e Luginë të Preshevës.
Ky virus i quajtur “shqiptarçe” ka qenë aktiv, vetëm atëherë kur shqiptarët nuk kanë qenë në luftë të drejtpërdrejtë dhe nuk kanë pasur rrezik se mund të bien në shpatën e xhelatit. Ndërsa atëherë kur “bira e miut kushtonte 100 grosh”, shqiptarët bëhen të paparashikueshëm, duke sfiduar edhe shkencën gjenetike të prejardhjes gjinore…
Kjo është vërtetuar në luftën e UÇK-së, atëherë kur Serbia i depërtoi dhunshëm për në Shqipëri e Maqedoni, qindra mijëra burra e gra, pleq e plaka. Secili i arratisur e konsideronte vëlla tjetrin përballë tytave dhe topave të Millosheviqit, dhe kafshatën e gojës e ndanin përgjysmë si “vëllezër siamezë”. Ky vëllazërim e ka pasur kuptimin veç atëherë kur “shpata e Demokleut u qëndronte mbi kokë”.
Kjo logjikë po vërtetohet në Luginën e Preshevës, në një vend ku secili katund duket se e ka një parti politike. Por kjo nuk është e keqja “legjendare”.
Në zgjedhjet e fundit lokale, për herë të parë në histori të këtyre dy komunave, në Bujanoc shqiptarët fituan më shumë se 70 për qind të ulëseve në asamblenë komunale, ndërsa në kuvendin e Preshevës, i vetmi serb që ishte këshilltar në Kuvend, e humbi vendin, duke e bërë asamblenë 100 për qind shqiptare.
Por, çka bën bajraktarizmi. Në vend se pushteti të ndahet në mes të shqiptarëve, partia që priu në zgjedhje, bëri koalicion me partitë serbe, duke i lënë 18 nga 30 këshilltarët shqiptarë, në opozitë. Këtë vendim ata e arsyetuan se partitë shqiptare po e duan copën e madhe të kulaçit.
Ky koalicion pavarësisht kundërshtimeve nisi të funksionojë dhe shumë shqiptarë që ishin nëpër pozita zyrtare, u larguan nga puna dhe në vend të tyre erdhën zyrtarë serbë. Kjo nuk i bëri përshtypje partisë në pushtet, sepse kishte një mbështetje të konsiderueshme politike edhe nga Prishtina.
Mirëpo thënia popullore se “më i mirë është dreqi yt se melaqja e huaj” është metaforë burimore dhe e vërtetuar mijëra herë.
Pas ndërtimit të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në oborrin e Komunës së Preshevës dhe kërcënimit të lidershipit serb, për heqje me dhunë të kësaj përmendore, i nxori politikanët shqiptarë të këtij rajoni, para aktit të kryer. Të qëndrojnë apo t’ia mbathin. Natyrisht se këto vendime historike nuk pleqërohen me serbët e koalicionit, por as krye në veti, por duhet analizuar me po ata shqiptarë që i ke aty.
Dhe para hanxharës së Ivica Daçiqit, u bën bashkë, si para zorit. Por, nuk mjafton ky bashkim vetëm atëherë kur punët janë keq dhe kur kanoset fara e shqiptarit. Myslimanët e vërtetë nuk bien “shahadet” vetëm në sahat të vdekjes. Lutjet duhet të bëhen tërë jetën…