Sindikalistët kërkojnë zgjedhje urgjente në BSPK

Përfaqësues të sindikatave në Kosovë, siç është ajo e Energjetikës, Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, si dhe Sindikata e Policisë, po kërkojnë zgjedhje urgjentisht në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Sipas tyre, kryetari aktual i BSPK-së nuk është legjitim, por edhe sipas tyre ai nuk ka bërë asgjë në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Izet Mustafa, përfaqësues i Sindikatës së Energjetikës, tha se BSPK-ja, aktualisht, nuk e ka legjitimitetin e përfaqësimeve të interesave të punëtorëve në nivel vendi.
Sipas tyre, asnjë prej degëve themeluese të BSPK-së dhe atyre që kanë numër të anëtarëve që paguajnë nuk janë pjesë e BSPK-së. Ai më tej thotë se kryetari aktual i BSPK-së, Haxhi Arifi, nuk është zgjedhur në mënyrë të drejtë si kryetar, por është vetëzgjedhur nga një proces jolegjitim.
“Arifi është vetëzgjedhur nga një proces që nuk e ka pasur përfaqësimin e asnjë prej degëve sindikale, që tash janë jashtë BSPK-së. Ai ka grumbulluar njerëz të rrugëve dhe e ka bërë një forum prej 20-30 vetave, dhe e ka marrë njëfarë legjitimiteti që thirret tash, kinse ka mbajtur kongres”, tha ai për gazetën “Zëri”.
Sipas tij, në atë kongres, nuk ka marrë pjesë, as sindikata e arsimit e cila ka më shumë se 20 mijë anëtarë, gjithashtu, as sindikata e shëndetësisë, e cila ka më shumë se 23 mijë anëtarë, pastaj energjetika e cila ka mbi 5 mijë e 400 anëtarë, por as Sindikata e Policisë me 5 mijë anëtarë. “BSPK-ja, si e tillë, çfarë është sot, ajo nuk ka mandat të përfaqësimit të asnjë prej institucioneve të vendit. Ata i kanë uzurpuar vendet e përfaqësimit, siç janë institucionet e Këshillit Ekonomik Social (KES), ku aty debatohet për hallet, problemet e punëtorëve, proceset e privatizimit”, tha ai. Sipas tij, rast i njëjtë është edhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ku ai tha se Haxhi Arifi merr pagë si anëtar i bordit edhe pse nuk e ka asnjë prej degëve sindikale që është në proces të privatizimit.
”Ai aty, përfaqëson vetëm vetveten, ai përfiton materialisht vetëm për xhepin e tij”, tha më tej ai. Më tej Mustafa bën të ditur se sindikata që drejton ai i ka dërguar një shkresë zyrtare, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që Arifit t’i pamundësohet prezenca në këto forume në emër të punëtorëve të Kosovës. Ngjashëm si përfaqësuesi i sindikatës së Energjetikës, thotë edhe Shaban Tasholli, nga Sindikata e Policisë së Kosovës. “Duam zgjedhje të reja, Arifi është jolegjitim”, tha ai, duke mos e zgajtur më shumë. Ndërkaq, Lutfi Mani, nga Sindikata e Arsimit thotë se sindikatat reale, siç janë sindikata e Arsimit, Shëndetësisë, Energjetikës e disa të tjera, janë pro zgjedhjeve, vetëm për të pasur një sindikatë që vërtet mbron interesat e punëtorëve.
”Duhet patjetër që të bëhet kongres dhe le të zgjidhet një udhëheqje e re, e cila realisht merret me të drejtat e punëtorëve, ngase kjo është e vetmja alternativë”, tha ai.
Më tej, ai tha se kryetari aktual i BSPK-së, po luan lojë me ndjenjat e popullit, me djersën e tyre. “Haxhi Arifi, paradite çon dorën, për t’u privatizuar PTK-ja, e pasdite del dhe e fton popullin në protestë”, tha ai.
Gazeta e ka kontaktuar edhe kryetarin aktual të BSPK-së, Haxhi Arifin, por ky i fundit nuk ka dashur të flasë fare për këtë punë. “Nuk dua të prononcohem për këtë çështje”, ka thënë ai përmes telefonit.