Sinani rikthehet në pushtet, godet ish-kryetarin Arifi, thotë se roli i Tiranës e Prishtinës s’do të jetë përzierje

Ardita Sinani sot është zgjedhur në krye të Komunës së Preshevës pasi ka arritur të sigurojë shumicën në Kuvendin Komunal. Në fjalën e saj si kryetare e re e dalë nga zgjedhjet e 2 qershorit, Sinani ka goditur ish-kryetarin Shqiprim Arifi, duke rikujtuar rrëzimin që Arifi ia kishte bërë nga pushteti, shkruan Gazeta Express.
Sinani ka thënë se akterët dhe pasojat e atij vendimi dihen.
“Akterët dihen, pasojat poashtu. Rezultatet e 2 qershorit ishin edhe mesazh për partitë shumicë që qeverisin sot me Preshevën”, ka thënë Sinani.
Ajo tutje ka thënë se do të punojë edhe për kthimin e imazhit të Komunës së Preshevës, që sipas saj është dëmtuar jashtëzakonisht shumë.
Sinani ka thënë se roli dhe kontributi i Tiranës dhe Prishtinës s’do të konsiderohet asnjëherë përzierje në punët e brendshme dhe se koordinimi do të vazhdojë, meqë shkelja e të drejtave të pakicave nga pushteti në Serbi po vazhdon të rritet çdo ditë e më shumë.
“Së pari që komunës të rikthej qeverisjen në duart e qytetarëve dhe rikuperim i imazhit jashtëzakonisht të dëmtuar në arenën mbarëkombëtare. Për qeverisjen tonë roli dhe kontributi i Tiranës dhe Prishtinës s’do të jetë asnjëherë përzierje në punët e brendshme, por koordinimi i hapave politike me dy qendrat tona kombëtare do të jetë konsistent dhe i pandërprerë, sepse shkelja e të drejtave të pakicave po shtohet çdo ditë e më shumë nga qeverisja autokrate e Beogradit”, ka thënë ajo./Express/