Sinani: Investuam dhe realizuam projekte në vlerë të 3 milion e 400 mijë eurove

Gjilan – Kreu i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani për rajonipress tha se është i kënaqur me trendin e punimeve dhe të projekteve të nisura nga qeveria e tij. Sipas Sinanit në qeverisjen e tij janë duke u investuar dhe realizuar projekte në vlerën e 3 milion e 400 mijë eurove. Këto investime kryesisht janë duke u realizuar në infrastrukturë rrugore, shëndetësi, arsim, ujësjellës e kanalizime tha Sinani.
Begzad Sinani ka filluar të shikojë përpara dhe të mos merret me borxhet e trashëguara apo me “ngërçet” tjera të ish pushtetit, raporton rajonipress.
Për rajonipress Sinani thotë se puna e tij dhe ekipit të tij është e fokusuar kryesisht në thithjen e investimeve nga Qeveria dhe donatorët e ndryshëm.”Jam i kënaqur me dinamikën dhe trendin e realizimit të projekteve. Po të kishim kohën e mirë tani rrugët veç do të ishin të asfaltuara” shprehet Sinani.
Sinani tha se që nga qeverisja e tij e deri tani janë duke u investuar dhe në realizim e sipër projekte në vlerë të 3 milion e 400 mijë eurove.”Tashmë investimet janë të kapshme dhe ato kanë prekur çdo fshat e cep të Kamenicës. Kemi investuar në infrastrukturë rrugore në fshatin Hogoshtë – Lisockë projekt ky në vlerë të 1 milion e 200 mijë eurove, pastaj rruga Dajkoc – Koretin, Dajkoc – Topanicë. Një investim tjetër ka përfshirë rrugët lokale në vlerë të 220 mijë eurove, ku janë rregulluar rrugët në Koretin, Rogaqicë, Hodonovc, Strezovc, Petrovc”.
Sinani tha se investime janë bërë edhe në rrugët e qytetit dhe në trotuare. Gjithashtu në qytet për herë të parë është rregulluar ndriçimi publik dhe janë rregulluar ujësjellësi e kanalizimi.
Sinani tha se investime janë bërë edhe në sferën e bujqësisë ku janë shpërndarë makina mjelëse për 80 fermerë dhe janë ndarë rreth 240 bursa për studentë. Subvencione në vlerë të 24 mijë eurove janë dhënë për grupet me nevoja të veçanta siç është Handikos.
Nuk janë vetëm këto investime që e kanë përshkruar qeverisjen e Sinanit për këta gjashtë muaj. Ai thotë se tani do të nis me fazën e dytë të investimeve.
Sipas tij në kuadër të projektit “Kosova e bukur” pritet të realizohet një projekt në vlerë të 240 mijë eurove, kurse në Roganë pritet të nis shkolla e re në vlerë të mbi 1 milion eurove, donacion ky i Bashkimit Evropian.
Sinani tha se donatorët kryesor për këtë periudhë mbeten Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe donatorët e ndryshëm duke përfshirë këtu edhe buxhetin komunal. “Unë jam i përkushtuar që të investojë në çdo cep të Kamenicës dhe të realizojë kërkesat emergjente dhe ato më kryesoret për shumicën e fshatrave tona” tha Sinani./rajonipress/