Sinani dhe Haliti kthehen nga vizita në Bullgari
Gjilan – Kryetari i Kamenicës Begzad Sinani dhe ai i Vitisë Sokol Haliti janë kthyer nga vizita studimore në Bullgari. Kjo vizitë u realizua me iniciativë të Asociacionit të Komunave të Kosovës në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Bullgarisë prej datës 07-10 dhjetor 2014.
Qëllimi i vizitës ka qenë shkëmbimi i përvojave me asociacionin e Bullgarisë sa i përket zhvillimeve rreth pushtetit lokal në Republikën e Bullgarisë, situatës financiere në pushtetin lokal, qasja e lobimit dhe avokimit të Asociacionit të Bullgarisë.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite Sinani së bashku me kryetarët e 12 komunave të Kosovës pati mundësinë e vizitës së qendrës së trajnimit në Bullgari ku kjo qendër vepron në kuadër të Asociacionit të Komunave të Bullgarisë.
“Ka qenë një vizitë shumë e suksesshme dhe e mirëseardhur për të parë nga afër përpjekjet dhe avancimet e pushtetit lokal në Bullgari, si njëri ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe funksionimin e Asociacionit të komunave të Bullgarisë” tha Sinani.
Sinani ishte për vizitë edhe në disa komuna bullgare, si dhe mori pjesë në konferencën në të cilën u trajtuan çështje me rëndësi për funksionimin e pushtetit lokal./rajonipress/


