Sinani: 28 Nëntori, simbol i krenarisë dhe unitetit
Kamenicë – Programi festiv filloi me hapjen e ekspozitës së pavarur, të piktorit Adem Kçiku, në sallën e konferencave në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati“ në Kamenicë.
Dashamirët e artit figurativ patën rastin të përjetojnë gjuhën e pasur artistike të shprehur me simboliken e thellë me mesazhe të qarta.
Kryetari i komunës, Begzad Sinani me këtë rast u shpreh: “Është kënaqësi te jesh ne mesin e artistëve, ky kolorit i pikturave qenka tërësisht kombëtar, dhe me një paraqitje origjinale të pikturave, e përgëzoi autorin e kësaj ekspozite z.Adem Kçikun, duke thënë: “shpresoj që edhe në të ardhmen të na sjell punime të këtilla që paraqesin realitetin tonë nëpërmjet gjuhës së artit”.
Pos ekspozitës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, e kishte përgatitur një program të pasur kulturo – artistik, me këngëtarët e njohur nga komuna e Kamenicës, si dhe me valle nga Shoqëria Kulturo Artistike “Albana”.
Kryetari i komunës z.Begzad Sinani në fjalën e tij përshëndetëse, foli për historikun e kësaj feste, dhe për ngjarjet të cilat e përcollën historinë e flamurit kombëtar, për të cilin tha se është simbol krenarisë edhe i unitetit të popullit tonë./rajonipress/


