UBT

Siguria në Kamenicë nën vëzhgim: KKSB prezanton statistikat, prioritetet dhe planin preventiv për vitin 2026

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Kamenicë ka mbajtur mbledhjen e parë për vitin 2026, ku në fokus ishte analiza e gjendjes së sigurisë, sfidat aktuale dhe prioritetet institucionale për ruajtjen e rendit publik dhe forcimin e masave preventive në komunë.

Mbledhja u udhëhoq nga kryetari i Komunës së Kamenicës dhe njëherësh kryesues i KKSB-së, Kadri Rahimaj, me pjesëmarrjen e koordinatorit të KKSB-së, Fisnik Kastrati, komandantit të Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarëve të këtij mekanizmi lokal të sigurisë.

Në hapje të takimit, Rahimaj prezantoi rendin e ditës, duke vënë theks të veçantë te shqyrtimi i gjendjes së sigurisë në komunë, realizimi i patrullimeve policore, si dhe plani i punës së KKSB-së për periudhën në vazhdim.

Ai bëri të ditur se plani i punës është harmonizuar edhe me diskutimet e zhvilluara në Kuvendin Komunal dhe mbetet dokument fleksibil që mund të përshtatet sipas nevojave dhe rekomandimeve të anëtarëve të këshillit.

Komandanti i Policisë në Kamenicë, Basri Shkodra, paraqiti një raport të detajuar mbi situatën e sigurisë, duke theksuar se gjendja në territorin e komunës vazhdon të vlerësohet stabile dhe nën kontroll, pavarësisht një rritjeje të lehtë të rasteve të raportuara krahasuar me vitin paraprak.

Sipas statistikave të prezantuara, gjatë periudhës janar-prill 2025 janë evidentuar 60 raste, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 janë regjistruar 68 raste. Po ashtu, numri i veprave penale ka shënuar rritje nga 43 në 56 raste, ndërsa niveli i zbulueshmërisë së tyre është ngritur në rreth 85 për qind, krahasuar me 73 për qind në vitin paraprak.

Shkodra potencoi se gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë rast i vrasjes apo grabitjes, duke e konsideruar këtë një indikator të rëndësishëm të stabilitetit të sigurisë publike në komunë.

UBT

Në raportin e tij u trajtua edhe siguria në komunikacion, ku u bë e ditur se gjatë katër muajve të parë të vitit janë regjistruar 30 aksidente trafiku, prej tyre 20 me persona të lënduar dhe 10 me dëme materiale, por pa asnjë rast fataliteti.

Policia, sipas tij, ka shtuar masat operative përmes patrullimeve të rregullta, pikave të kontrollit dhe aktiviteteve parandaluese në trafik.

Një tjetër segment i rëndësishëm ishte siguria në shkolla, për të cilën u tha se mbetet e qetë dhe pa incidente serioze, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, prezencës policore dhe aktiviteteve vetëdijësuese me nxënës dhe staf arsimor.

Ndërkaq, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, prezantoi objektivat strategjike të planit të punës, i cili përfshin sigurinë në shkolla, parandalimin e zjarreve në objektet publike, reduktimin e dukurive negative, sigurinë në komunikacion dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.

Ai theksoi se në realizimin e planit do të angazhohen Policia e Kosovës, Drejtoria Komunale e Arsimit, sektori i emergjencave, mediat lokale dhe drejtoritë komunale relevante.

Mbledhja u përmbyll me vlerësimin se siguria publike kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe komunitetit, me fokus në parandalim, transparencë dhe rritje të besimit qytetar ndaj institucioneve të rendit./rajonipress/