Si u arrestua grupi që shkaktoj dëme kibernetike edhe në nivel ndërkombëtar
Gjilan – Të arrestuarit Liridon Isufi, Lavdim Mjekiqi e Lum Shkodra po mbahen në paraburgim derisa ndaj tyre dyshohet se kanë hyrë në sistemet kompjuterike që lidhen me veprat penale që bien ndesh me ligjin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik. Jetish Maloku e Arben Kadriu nga prokuroria Themelore e Gjilanit thonë se ky rast ka dhënë rezultate inkurajuese pasiqë janë të përfshirë edhe hetues ndërkombëtar nga FBI-ja.
Të martën drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, pas pranimit të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta hetimore me FBI, ka identifikuar tre të dyshuar të cilët në vazhdimësi kryenin veprën penale të krimeve kompjuterike (vjedhje e të dhënave të ndryshme personale, bankare, shitjen online të programeve softuerike për infektimin e kompjuterëve).
Në bashkëveprim me Prokurorinë e Shtetit, është ndërmarrë operacioni për arrestimin e të dyshuarve të rastit, kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, me qëllim të mbledhjes të provave. Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Gjilanit në dy lokacione dhe në rajonin e Mitrovicës në një lokacion.
Arben Kadriu prokuror i rastit tha për rajonipress se të arrestuarit e Gjilanit janë : Liridon Isufi (1990) i cili dyshohet për veprat penale “hyrje në sistemet kompjuterike dhe veprave tjera penale që bien ndesh me ligjin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik.
I arrestuari i dytë është Lavdim Mjekiqi nga Mitrovica dhe Luan Shkodra nga Gjilani.
Sipas prokurorisë veprimet e këtyre tre të dyshuarve kanë shkaktuar pasoja edhe në SHBA dhe shtetet e tjera të prodhimit të softverëve të ndryshëm me qëllim keqbërës vjedhjen e të dhënave kompjuterike dhe shitjen e softverëve për përdorime të kundërligjshme dhe paratë e fituara nga këto veprime i kanë bërë përmes transfereve bankare ku edhe i kanë tërhjek në Kosovë.
Dyshohet se ky grup ka tërhequr mijëra euro dhe kjo ka ndikuar që në këtë rast të kyqet edhe hetuesit e FBI.
Jetish Maloku kryeprokuror në Gjilan tha për rajonipress se ky aksion ka dhënë rezultate inkurajuese sepse kemi një hetim të përbashkët ndërkombëtar i cili me shpejtësi dhe efikasitet ka kapur personat e dyshuar.
Ndryshe në cilësinë e provave materiale tek ky grup janë sekuestruar: 6 (gjashtë) laptop, 2 (dy) shtëpiza kompjuterike, 7 (shtatë) telefona mobil, 1 (një) hard disk i jashtëm, 5 (pesë) USB, 20 (njëzet) CD, 5500 (pesë mijë e pesëqind) euro, 1 (një) veturë./rajonipress/


