UBT

Si të trajtohet shtatzënia me rrezikshmëri të lartë

/ 4 minuta lexim

Shtatzënia është një prej gjërave më të rëndësishme në jetën e femrës. Mundësia për të pasur njohuri dhe kujdes të duhur është thelbësore për të pasur një shtatzëni dhe lindje normale.

Shtatzënia me rrezikshmëri të lartë mund të jetë kërcënuese si për nënën, po ashtu edhe për fetusin. Shtatzënia me rrezikshmëri të lartë kërkon vëmendje dhe monitorim të shtuar, pasi që bartë një numër të madh komplikimesh dhe rrit mundësinë për shfaqjen e problemeve zhvillimore e shëndetësore në lindje dhe pas saj.

Janë shumë faktorë të cilët mund të rrezikojnë një shtatzëni, si sëmundjet ekzistuese para shtatzënisë, shtatzënitë paraprake jonormale, apo çrregullimet shëndetësore të cilat mund të shfaqen në shtatzëni.

Testet rutinore siç janë analizat e gjakut, ekzaminimet me ultratingull, bashkë me testet diagnostike mundësojnë identifikimin e shtatzënive të rrezikuara. Këto teste skriningu përdoren për të përcaktuar praninë e problemeve shëndetësore ose çrregullimeve gjenetike. Gratë të cilat kanë shtatzëni të rrezikuar duhet të bëjnë vizita më të shpeshta te mjeku i tyre dhe duhet të përshtatin mënyrën e tyre të jetesës për të siguruar kujdes të nevojshëm prenatal.

Cilat janë simptomat e shtatzënisë me rrezikshmëri të lartë?
Ndonjëherë simptomat e shtatzënisë së rrezikuar vështirë dallohen nga simptomat e shtatzënisë normale. Megjithatë, simptomat mund të zgjasin më tepër dhe të jenë më të rënda se te shtatzënia normale.
Pacientja duhet të raportojë te mjeku i saj të gjitha simptomat të cilat e brengosin. Disa nga këta simptoma mund të jenë:
* Dhembjet e theksuara ose kontraksionet në fund të barkut
* Ndryshimet e theksuara në shikim, duke përfshirë edhe shikimin e turbullt
* Ngadalësimi i lëvizjeve fetale
* Kokëdhembja e vazhdueshme
* Djegësimi gjatë urinimit
* Gjakderdhja vagjinale
* Sekrecion vagjinal
* Kontraksionet (tkurrjet) e shpeshta të mitrës.
Cilët janë faktorët e rrezikut?
Shprehitë personale të pacientes, si edhe problemet shëndetësore, mund të kontribuojnë që shtatzënia të konsiderohet si e rrezikuar.
Disa nga faktorët të cilët mund të rrisin gjasat që ju të keni shtatzëni të rrezikuar janë:
* Konsumimi i duhanit, alkoolit apo drogave
* Të qenit me nënpeshë të shprehur, ose me mbipeshë gjatë shtatzënisë
* Mosha, sidomos në rastet kur nëna është më e re se 20 vjeç, apo më e moshuar se 35 vjeç
* Anomalitë e mitrës
* Kequshqyerja
* Insuficienca e qafës së mitrës, apo qafa e mitrës e shkurtë
* Tensioni i lartë i gjakut
* Epilepsia
* Anemia
* Infeksioni
* Diabeti
* Kanceri
* Sëmundjet e veshkave, mëlçisë, zemrës, mushkërive apo rrugëve urinare
* Lupusi
* Lindja para kohe dhe dështimet në shtatzënitë paraprake
* Shtatzënia e shumëfishtë
* Preeklampsia
Si të menaxhohet shtatzënia me rrezikshmëri të lartë?

Uji Dea

Shtatzënia me rrezikshmëri të lartë zakonisht kërkon vizita më të shpeshta para lindjes te obstetri, në mënyrë që të monitorohet për së afërmi përparimi i shtatzënisë dhe të trajtohen komplikimet eventuale.
Këto shtatzëna duhet të këshillohen që të kenë kujdes për shëndetin e tyre, të marrin ushqimin e nevojshëm, të llojllojshëm, të fitojnë peshë normale gjatë shtatzënisë (mesatarisht 12-14 kg) dhe të evitojnë marrjen e substancave apo barnave të rrezikshme.
Mjeku do t’iu përshkruaj vitamina, suplemente hekuri ose barna tjera për përmirësimin e gjendjes së nënës dhe bebit.

Përpos ekzaminimeve të rregullta, edhe teste tjera mund të rekomandohen për të vlerësuar gjendjen dhe zhvillimin e frytit. Kjo mund të përfshijë profilin biofizik apo ekografinë e caktuar, përmes së cilës merren informata më të detajuara se me ekzaminimin standard.

Lindja duhet të kryhet në spital të përgatitur për trajtimin e problemeve dhe komplikimeve shëndetësore.

Varësisht prej rastit, lindja mund të kryhet me rrugë vagjinale apo me prerje cezariane.
Ne ofrojmë kujdesin e plotë të shtatzënisë që nga koncepsioni deri në lindje dhe pas saj.
Nëse ju dëshironi të merrni më shumë informata apo të përcjellni shtatzëninë mund të caktoni terminin tuaj në spitalin Kestrina, duke kontaktuar direkt në numrat e telefonit 045463177 ose 048742888, ku ju mirëpret stafi në krye me dr Fehmi Ahmeti.