Si të mbrohemi nga vapa ?

/ 4 minuta lexim

Stina e verës, me helmimet, temperaturat e larta dhe diellin e nxehtë sjell rreziqe të shumta për të gjithë ne. Për “Top-Channel” doktori i urgjencës, Alqi Daçi, shpjegoi se si mund të mbrohemi dhe se çfarë duhet të kemi kujdes në muajt e ardhshëm deri në shtator, kur edhe vera të konsiderohet përfundimisht e mbyllur.

“Vera ka filluar, por piku është në korrik dhe gusht, kur temperaturat të jenë edhe më të larta. Unë dua të filloj fjalën time duke shpjeguar diçka rreth organizmit. Temperatura jonë trupore është 36,5 gradë dhe kur ka rritje jashtë, ka një diskordancë. Si rrjedhojë, shenjat e para të të nxehtit nëse ekspozohemi, janë dhembje koke dhe skuqje e qafës. Nëse ekspozimi është i gjatë, vështirësitë mund të shtohen, mund të kemi marrje mendsh e të vjella apo edhe humbje ndienjash, konvulsione, të dridhura dhe gradualisht mund të ketë edhe pasoja edhe më të këqija, siç është në rastet ekstreme vdekja”, ka shpjeguar doktori.

Siç theksoi mjeku, në vitet e fundit temperaturat në Shqipëri kanë ardhur duke u bërë gjithmonë e më të nxehta, duke vendosur veçanërisht në rrezik njerëzit me probleme kardiake apo ata të moshës së tretë.

“Më të rrezikuarit janë të sëmurët kardiakë, që janë me risk, janë persona që duhen kontrolluar në çdo moment, në mënyrë kategorike nuk duhet të lëvizin në këto orare dhe edhe sikur të jenë me kapale, ta largojnë ose minimizojnë, pasi ndikon keq në metabolizëm dhe sëmundjen e tyre. Fëmijët e vegjël kanë një lloj imuniteti më të madh, janë në zhvillim, por edhe ata duan kujdes të madh. Rekomandohet që nënat me fëmijë, duhet t’i mbulojnë fëmijët apo të gjejnë një lloj strehe dhe hije që të ketë një temperaturë më të mirë. Moshat e treta mbi 60 vjeç gjithashtu janë të rrezikuara, pasi në këto mosha vetëkuptohet se është më e rrezikshme se të tjerët. Gjithashtu, ka shumë rëndësi mbrojtja nëpërmjet kokës dhe qafës”.

Mobi Casa

Një gabim që shumë prej nesh bëjnë është keqpërdorimi i kondicionerëve, që vendosen në një temperaturë shumë më të nxehtë se ambienti. “Zakonisht nuk është mirë të ketë diskordancë me ambientin dhe zyrat, nga 35 gradë në 18. Mund ta mbajmë 25-26 gradë, që mos ketë diferencë të madhe të temperaturës”, theksoi mjeku, që dha disa këshilla të thjeshta për mënyrën se si mund të mbrohemi nga rrezet e nxehta.

“Në vitet e fundit kemi një rritje të madhe temperaturash dhe duke qenë se jemi të pamësuar, e kemi marrë si joseriozisht mbrojtjen nga vapa dhe për të marrë masat e duhura, në orët e pikut duhet të minimizojmë lëvizjet, siç është periudha e drekës, mundësisht nga ora 10-4 pasdite. Kur jemi të detyruar, duhet mbrojtur koka e qafe, me një kapele, që të mbrojmë këto pjese. Duhet të përdorim veshje sa më e lehta dhe me ngjyra të çelura, të zezat e thithin temperaturën. Njëkohësisht, është e domosdoshëm të rrisim përdorimin e lëngjeve, mund të përdorim çadra për të penguar ekspozimin”.

Rreziqet e verës nuk janë vetëm ato që lidhen drejtpërdrejtë me rrezet e diellit, por ka probleme të shumta edhe ushqimore, pasi siç kujtoi doktor Daçi, në këtë klimë ushqimesh prishen më shpejt se zakonisht. “Helmimet janë një tjetër rrezik i madh dhe në urgjencë janë të shpeshta helmimet nga akulloret apo nga ushqimet e ngrëna me shpejtësi”.