Si të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë- Serbi
Nga Blerim Shala -Sa të jetë Serbia në Veri të Kosovës, mund të ketë gjithçka pos normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Për pak ditë, dhe kështu ka qenë gjithmonë kur në Beograd janë dëgjuar zëra sadopak të arsyeshëm sa i përket raporteve të Serbisë dhe të Kosovës, të serbëve dhe të shqiptarëve, kur u bë Qeveria e re e Serbisë, andejpari u fol për domosdoshmërinë e pranimit të realitetit në Kosovë, dhe për krijimin e rrethanave për një ndarje të qytetëruar të Serbisë dhe Kosovës.
Për ne, për kosovarët, rendi i ndarjes së qytetëruar, e cila në vitet e pas-Luftës së Ftohtë ka ndodhë vetëm në rastin e Çekisë dhe të Sllovakisë, ka humbur qyshmoti, në vitet 1990, 1991. Megjithatë, edhe në vitin 2012, diç e ngjashme do të mund të ndodhte dhe gjithsesi do të ishte e pranueshme për ne, nëse kjo ndarje, do të kishte domethënien e vendimit të prerë të Beogradit zyrtar për tu tërhequr nga Veriu i Kosovës, e cila gjë do të sillte menjëherë stabilizimin e gjendjes së sigurisë në këtë pjesë të Kosovës dhe hyrjen në një proces dobiprurës për të gjithë banorët e kësaj pjese të Kosovës.
Ky do të ishte ai hapi i parë, shumë i rëndësishëm, i cili do të paralajmëronte synimin e Serbisë që njëmend ta heq qafe një politikë të gabuar, të mbrapshtë, përplot tragjedi të shkaktuara në Kosovë dhe ndër shqiptarët, jo vetëm të Kosovës.
Por diskursi i ndarjes paqësore i Kosovës dhe Serbisë, i cili ndryshe, u lansua fillimisht nga një nacionalist i përbetuar çfarë është Dobrica Qosiq, nuk mbijetoi më shumë se disa ditë. Sërish, në këtë rast, u mëkëmb ai delli i refuzimit të ballafaqimit me Kosovën, me shtetin e Kosovës, duke u kapur, si ai që mbytet për fijen e një kashte, për një iluzion të madh që derisa Serbia nuk e pranon Kosovën, ky shtet nuk ekziston, apo, nuk mund të bëhet anëtarë i OKB-së.
Beogradi natyrisht, ka si mbështetje të veten në këtë qasje ndaj Kosovës edhe porosinë që ka marrë prej kryeqendrave më të mëdha perëndimore, sipas të cilave, nuk ka detyrim (aktualisht) për Serbinë për ta njohur Kosovën. Kjo qasje nënkupton pra që shteti i Kosovës është atypari dhe kështu do të jetë një herë e përgjithmonë, por Beogradi nuk ka nevojë t’i hapë sytë dhe të shoh çfarë është Kosova.
Problemi kryesor me këtë politikë të Serbisë karshi Kosovës është që derisa kjo qasje është në fuqi, Perëndimi do ta ketë tepër vështirë, në mos edhe të pamundur të mbërrijë tek një cak politik të shpallur tashmë edhe publikisht, të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe të Serbisë, raport ky që shihet si parakusht për stabilizimin e brendshëm të Kosovës dhe për stabilizimin e kësaj pjese të Evropës.
Normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë – Beograd është fuqia kryesore motivuese për dialogun aq shumë të përfolur javëve të fundit në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, i cili, natyrisht, nuk ka gjasa të mbërrihet dot, derisa Serbia vazhdon të qëndrojë në veri të Kosovës.
Kjo është e qartë për të gjithë faktorët ndërkombëtarë. Njëra e përjashton tjetrën: Sa të jetë Serbia në Veri të Kosovës, mund të ketë gjithçka pos normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, si qëndrojnë punët tash për tash, këtu edhe mbaron pajtimi në mes kosovarëve dhe ndërkombëtarëve në sqarimin e domethënies politike të nocionit të normalizimit të këtyre marrëdhënieve.
Për shumicën e perëndimorëve, normalizimi nënkupton një lloj të bashkëjetesës së Kosovës dhe Serbisë, madje, të bashkëpunimit në shumë fusha, duke lënë për më vonë (për disa vjet së paku), atë mbi-emrin e normalizimit, gjegjësisht, njohjen reciproke të Kosovës dhe të Serbisë, hyrjen në një epokë të re, të paprovuar më parë (për shkaqe shumë mirë të njohura), kur shqiptarët dhe serbët do të jenë kombe që do ta synojnë ta lënë historinë prapa dhe të përqendrohen në inkuadrimin në BE.
Për kosovarët, normalizimi ka pikërisht këtë kuptim, sepse në të kundërtën, derisa Serbia të mos e njeh Kosovën si shtet, në kufijtë e ditur për të gjithë, këndejpari, do të jetë tepër vështirë të gjendet një politikan dhe një qytetar shqiptarë, i cili nuk do t’i druan kthimit të historisë së konflikteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Historia duhet të merr fund një herë e mirë këtu dhe në raportet e Kosovës me Serbisë, dhe diç e tillë nuk arrihet dot me Marrëveshje të reja kalimtare, disavjeçare, në kërkim të një kohe më të mirë për udhëheqësinë e Serbisë për ta pranuar Kosovën. Në fakt, edhe nga ky pikëshikim, mbase nuk ka pasur viteve të mbrama kohë më të mirë se sa tani për ta bërë këtë hapin vendimtar në drejtimin e duhur.
Telashenxitësit e deridjeshëm opozitarë janë në qeveri, opozita në Serbi është ose pro-evropiane ose krejtësisht e dobët, problemet ekonomike janë më të mëdha se kurrë në Serbi, varshmëria e mbijetesës së Serbisë nga përkrahja e drejtpërdrejtë e BE-së është poashtu më e qartë se kurrë më parë, agjenda evropiane e Serbisë ka përkrahjen e gati të gjithë faktorëve relevantë politikë në Serbi. Dhe në këto tablo të plotë politike, Kosova s’është gjë tjetër pos një gurë i madh mulliri i lidhur për qafën e Serbisë, i cili nuk e lë këtë shtet të merr frymë si duhet.
Kur dihet që miliarda Euro janë harxhuar kot së koti në Kosovë në mbajtjen e një iluzioni politik serb në Beograd, argumentet në favor të këtij veprimi të Beogradit sa vijnë e shtohen.
Beogradi e ka edhe një tjetër mundësi nëse nuk ka ende guxim ta bëjë këtë hap i cili është interes jetik i Serbisë: Me Marrëveshjen e re politike që do të mund të mbërrihej me Kosovën, të mundësojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.
Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)