Si ta bëjmë Kosovën me demokraci liberale
Nga Jakup Vrapçani – Historia mbi sistemet dhe mënyrat e qeverisjes nëpër botë na bën të njohur për forma dhe mënyra të ndryshme të qeverisjes qysh nga kohët e hershme. Duke kaluar nëpër etapat e ndryshme dhe sisteme të ndryshme, edhe mënyrat e qeverisjes dallonin. Dallonin ndoshta për shumë arsye, varësisht nga rrethanat dhe koha. Gjithashtu nga niveli i lartësisë së represionit. Në të shumtën e rasteve, sistemet nuk do i ngjasonin njëri-tjetrit.
Më vonë ato sisteme edhe u njohën nga teoria dhe teoricienë të ndryshëm. Ndoshta më tepër, për t’u njohur më për së afërmi dhe për t’i zbërthyer ato ide e platforma.
Shekujt e fundit ishin përveç tjerash edhe shekujt në të cilët u bënë të njohura ato sisteme qeverisëse. Më tutje, shkenca në frymën e re te globalizimit edhe më tepër i rriti mundësitë për njohjen dhe zhvillimin e llojeve të qeverisjeve, në këtë kontekst të demokracisë liberale.
Demokracia liberale si sistem i ri ndodh të jetë ngjyrosur nëpër etapa, për t’u natyralizuar dhe përshtatur tekeve të individëve e të shoqërive. Jo çdoherë, ajo është e zbatueshme si duhet. Por, sido që të jetë, u arrit që të vihen në funksion liritë dhe të drejtat civile e politike, e drejta elektorale dhe formimi i partive politike në frymën liberal-demokrate.
Sipas Frid H. Willhoite, demokracia liberale mund të jetë vërtet demokraci liberale nëse i plotëson këto kushte:
“Konstitucionalizmi, qeverisje përfaqësuese e përgjegjshme dhe llogaridhënëse, pluralizëm partiak, përsosje e sundimit të shumicës, grupet e interesit, mungesa e masave shtrënguese të karakterit masiv, ndryshimet paqësore.”
Edhe Dali, për demokracinë liberale thotë se mund të ekzistojë nëse ka së paku këto tetë garanci institucionale:
1. Liria për të formuar dhe për t’u bashkuar në organizata,
2. Liria e shprehjes,
3. E drejta e votës,
4. Mundësia e zgjedhjes në postet publike,
5. E drejta e udhëheqjes politike për të konkurruar për mbështetje dhe vota,
6. Kanale alternative të informacionit,
7. Zgjedhje të lira dhe të ndershme,
8. Institucione që zhvillojnë politika qeveritare në varësi nga votat dhe shprehjet e tjera të dëshirave.
Këto garanci dhe këto tipare i mundësojnë qytetarit një jetë të lirë, të drejtën të flas lirshëm, të votojë, por edhe për një qeverisje të mirëfilltë dhe llogaridhënëse etj.
Lloji i qeverisjes në Amerikë është i njohur për nga mënyra e jetësimit të demokracisë.
Xhon S. Milli përveç që përmend tiparet kryesore të demokracisë liberale si sovraniteti, qeverisje përfaqësuese, kontrollin konstitucional, ndarjen e qartë të Asamblesë Parlamentare nga burokracia publike, përfshirjen e qytetarëve në hallkat e ndryshme të qeverisjes me anën e votës, ai numëron edhe kushtet e përgjithshme të saj:
-Shoqëria civile e pavarur, me ndërhyrjen minimale të shtetit,
-Ekonomi tregu konkurruese,
-Zotërimi privat dhe kontrolli i mjeteve të prodhimit…,
-Emancipimi politik i gruas, por ruajtja në përgjithësi e ndarjes tradicionale të punëve në shtëpi,
-Sistemi i komb-shteteve me zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve.
Këto kushte elementare për një demokraci të mirëfilltë sollën edhe risi në zbatimin e kategorisë së të drejtave politike të individit, realizimin e legjitimitetit mbi bazën e autoritetit ligjor-racional, realizimin e përgjegjësisë së qeverisjes dhe të llogaridhënies të administratës qeveritare, zbatimin e pluralizmit dhe ngritjes së sistemit konkurrues politik, e shumë risi tjera që pasuruan formën dhe mënyrën qeverisëse, për një jetë politike më të mirë.
A mund të bëhet Kosova me demokraci liberale?
Kosova mund të bëhet me demokraci liberale nëse paraprakisht i përmbush kriteret e vet demokracisë për të treguar më pas liberalizmin në jetën e përditshme. Duhen mjete, punë, investim e angazhim i madh, resurse humane të specializuara, kulturë, ide, vullnet, energji pozitive, përvojë civile e politike, e shumë faktorë tjerë që do të mund të ishin katalizatorë për një Kosovë me demokraci liberale. Por mbi të gjitha na duhet një kulturë politike, pasi që ne ishim të zhytur një gjysmë shekulli në monizëm ku mohohej e drejta e fjalës së lirë, e zgjedhjes së lirë etj.
Duhet ditur se vendet anglo-saksone kanë të zhvilluar sistemin e qeverisë liberal-demokrate, por ndryshime radikale kanë bërë edhe Gjermania, Franca etj.
Kosova mund të bëhet me demokraci liberale nëse zhvillon akoma kushtet elementare të cekura më lart, nëse kultivon vetëdije të lartë pluraliste edhe pas pavarësisë, nëse ato kushte nuk shtrembërohen e anashkalohen nga individë apo grupe të ndryshme qeverisëse. Me kushtetutë po rregullohen këto të drejta bazë, por sa do të jetë i gatshëm sistemi qeverisës t’i jetësoj ato në praktikë mbetet të shihet. Është duke u punuar në atë drejtim, por akoma është larg, edhe pse disa gjëra kanë ndryshuar dhe janë avancuar.
Mbetet edhe shumë punë për t’u bërë në realizimin e tërë këtyre qëllimeve politike.
Tani në Kosovë, dëgjojmë shpesh ku edhe partitë politike thërrasin për një demokraci-liberale apo mbase duan të zhvillojnë këtë sistem të qeverisjes, por bazuar në kushtet tona nëpër të cilat kemi kaluar e po kalojmë, sa do të mund të jetësohej kjo praktikë është e paqartë.
Në ato vende që kanë demokraci-liberale, në to është filluar të punohet më herët, derisa te ne kjo gjë ka filluar të lëvizë shumë vonë.
Çdoherë duhet synuar në gjëra të mira për individin, shoqërinë në tërësi, pavarësisht sfidave që dalin, dhe në këtë mënyrë dashtë Zoti të plotësohen kushtet për një sistem qeverisës të mirëfilltë dhe që të mund të bëhet Kosova një vend me demokraci liberale…, ku qytetari të mburrej me qeverisjen e saj, me kulturën politike e me garanci institucionale…, të shohim e të presim?/rajonipress/


