Hidromorava

Si ngeli Bujanoci në terrin informativ?!

/ 3 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Mediumet si fuqia e katërt botërore për nga roli dhe rëndësia e tyre, në Komunën e Bujanocit, ato mbeten sfera më e përbuzur, më e injoruar dhe më e diskriminuar.

Kjo komunë nga më të rrallat në rajon edhe pse me buxhet ka të paraparë për çdo vjet ndarjen e projekteve për mediumet lokale, mjerisht, këtë vit prishi dy konkurse për të mos e realizuar obligimin buxhetor, që ka me program për informimin, njërës nga fushat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Pse të jenë kaq të pa dëshiruara mediet për qeverisjen lokale të Bujanocit e cila nuk i financon ato sipas konkurseve?

Gjatë vitit 2020, janë paraparë të ndahen rreth 40 mijë euro për mediumet lokale, duke u zvogëluar ky buxhet në krahasim me vitet e kaluara. Pushteti i tanishëm, dikur opozitar e akuzonte partinë që humbi zgjedhjet se ka prishur konkursin për informim, me qëllim që ato mjete t’u ndahen militantëve partiakë dhe simpatizuesve të tyre. Në të njëjtin stil po vepron edhe Koalicioni qeverisës, i cili prishi për së dyti herë konkursin për mediume me arsyetimin se projektet nuk kanë qenë në terezi.

Të gjitha këto manipulime me paranë publike dhe mediet bëhen për qëllime politike, në mënyrë që ato të jenë të kapura nga pushteti e meqë qeverisja përbëhet me shumë parti në koalicin, të cilat nuk pajtohen se kujt më shumë me i ndarë mjete nga kulaçi financiar.

Ndarjet selektive të parasë publike për mediet është një përvojë e hidhur në Komunën e Bujanocit, e cila nuk po shikohet mirë për veprimet e saj nga organizatat e ndryshme që merren me gazetari.

UBT

Deri dje paria e Komunës së Bujanocit e akuzonte Beogradin se me privatizimin e mediumeve shtetërore në Serbi, ka diskriminuar mediet shqiptare, kurse tani ajo vetë nuk po u krijon kushte të parapara me ligj medieve për funksionim.

Kujt i shkon për shtati terri informative në Bujanoc?

Përveç pushtetit askujt tjetër e më së paku gazetarëve që merren me këtë profesion dhe qytetarëve, që po mbeten në terr informative, në këtë periudhë të vështirë pandemike, në të cilin mediumet e kanë një rol të veçantë në luftën kundër Covidit 19.

Ndërsa pushtetit ky terr informativ i shkon për shtati ngase i mungon transparenca dhe ndarja e parasë publike në sfera të tjera të veprimtarisë si ajo e rrogës së 13-të për punëtorët e administratës dhe ndihma të tjera në emër të hendikepuarëve dhe personave me nevoja të veçanta.

Këto ndihma emergjente askush nuk i konteston, meqë ata kanë nevojë dhe marrin ndihma edhe nga buxheti republikan dhe qendrat për punë sociale, por t’i lësh anash gazetarët pa fonde, nuk është njerëzore, etike dhe morale.