Si ndërroj jetë hendbollisti Muharrem Gashi para plot 42 vitesh, kujtojnë dy shokët e tij Muhamet Ahmetaj e Rifat Pajaziti
Thonë se legjendat asnjëherë nuk vdesin, ata sa kalon koha bëhen më të dashur dhe kujtohen për veprat dhe jetën e tyre. Qyteti i Gjilanit në historikun e saj vazhdimisht ka dhënë emra të mëdhenj, si në jetën sportive, kulturore e politike, duke e bërë një qendër të madhe për kontributin e saj në të gjitha sferat e jetës.
Tani e 42 vite më parë qyteti i Gjilanit pati mbetur pa hendbollistin më të mirë të të gjitha kohërave Muharrem Gashi, i cili në moshën më të mirë të tij si 23 vjeçar pati ndërruar jetë në Vishëgrad të Sangjakut të Bosnjës, duke ju thyer zemrat familjarëve, shokëve të klubit e qytetarëve të Gjilanit.
Muharrem Gashi ishte pjesë e Reprezentacionit të Kosovës në hendboll, ai kishte marrë ftesë që ti mbroj edhe ngjyrat e Reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, ai ishte një talent i madh i hendbollit, ai po ecte me hapa gjigant drejt suksesit, ishte një hendbollist i kalibrit botëror ai ishte vërshuar me ftesa nga shumë klube të mëdha të ish-Jugosllavisë e cila konsiderohej njëra ndër më të
forta në Evropë.
Gashi ishte bërë “enigmë” e pa zgjidhur për portierët anembanë ish-Jugosllavisë, ai në çdo ndeshje shënonte së paku nga 10 gola duke kontribuar për sukseset e KH Bozhur e cila garonte në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë, por vdekja e hershme në kulmin e karrierës ja ndërpreu çdo ëndërr për ta realizuar.
Për legjendën e hendbollit, Muharrem Gashi, dita e martë e 15 gushtit të vitit 1978 ishte e kobshme, ai në ndeshje miqësore në Vishegrad të Sangjakut ndërron jetë gjatë pjesës së parë duke i lënë të shtangur shokët e tij në parketin e qytetit të Vishegradit.
Sot pas 42 vitesh dy shokët e fëmijërisë dhe dy bashkëlojtarët e tij më të afërt që I kishte, Muhamet Ahmetaj e Rifat Pajaziti, kujtojnë misterin dhe momentet e fundit të jetës së shokut të tyre Muharrem Gashit.
“Ishim në vlugun e përgatitjeve, shkuam në Leskovc t`i kryenim përgatitjet, por kushtet ishin shumë të këqija, kemi ndejtur vetëm një ditë dhe pikërisht Muharremi e kishte siguruar shkuarjen tonë në Vishegrad që t`i kryejmë stërvitjet, aty ishim të kënaqur me kushtet që na ofruan, stërvitëm plot katër ditë ishte vapë e madhe dhe ushtrime nga dy herë në ditë, Muharremi si çdo herë ishte i disponueshëm dhe nuk ishte ankuar për asgjë, mund të them se Muharremi gjatë këtyre katër ditëve shpesh thoshte se këto stërvitje për të do të jenë të veçanta në karrierën e tij”, kujton me nostalgji mjaft i mërzitur ish-bashkëlojtari e shoku i tij, Muhamet Ahmetaj.
Ndërsa Rifat Pajaziti, ish-shoku dhe bashkëlojtari i Muharremit me lot në sy thekson.
“Muharremin edhe sot pas 42 vitesh për çdo ditë jeton në zemrën time, ishim rritur së bashku po luanim së bashku, po bënim plane për karrierat tona, por ai moment i kobshëm na mori nga kjo jetë shokun e bashkëlojtarin tonë duke na lënë me zemra të thyera”.
KH Bozhuri që po garonte në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë në këto përgatitje në Vishegrad kishte paraparë edhe ndeshje kontrolluese dhe pikërisht me 15 gusht të vitit 1978, ditë e martë, zhvillohet ndeshja me Radniqkin e Gorazhdës në qytetin e Vishegradit, ditë kjo e kobshme për legjendën Muharrem Gashi.
“Më kujtohet çdo detaj e çdo sekondë, ato momente nuk i harroj gjerë sa të jem gjallë, para se të zhvillonim këtë ndeshje Muharremi e caktoi dikënd që t’ja mbajë statistikat e tij gjatë kësaj ndeshje, ishim në përfundim të pjesës së parë i kam pasuar një top në ajr dhe Muharremi në kontakt me hendbollistin mysafirë i cili quhej Ekrem Guriq ka shënuar gol dhe ka bërtitur njëherë “Of” dhe është plandosur për dysheme, menjëherë unë, Gjorgjeviqi dhe Dërgut Abdullahu me veturë të Gjorgjeviqit e kemi quar gjerë në shtëpi të shëndetit ishte gjallë por me gjendje të vështirë shëndetësore kur e kemi dërguar në spital ai ka ndërruar jetë, ishte diçka e pa imagjinuar ishte moment trishtues, ishte sikur bota po shuhej”, kujton i mërzitur ish-hendbollisti, Muhamet Ahmetaj.
Poashtu edhe bashkëlojtari tjetër Rifat Pajaziti kujton ato momente trishtuese.
“Qyteti i Vishegradit kishte ra në heshtje të pikëllimit një qytet i tërë, trupin e Muharremit e kishim ekspozuar në fushën e sportit, i tërë qyteti i Vishegradit duke filluar nga gjenerata më e re e gjerë tek të moshuarit kanë bërë homazhe, të gjithë ishin me lot në sy ishin momente që nuk harrohen asnjëherë, një qytet i tërë na ngushëllonte ishin momente të trishtueshme, të dhimbshme, kishim mbetur pa shokun e fëmijërisë e pa bashkëlojtarin, e pa të po ndërpreheshin edhe ëndrrat tona rinore”.
Muharrem Gashi u varros në varrezat e qytetit të Gjilanit, në funeralin e tij ishin rreth 20 000 qytetarë për t`i dhënë lamtumirën e fundit ikonës e legjendës së hendbollit, jo vetëm Gjilanas, por edhe atij të Kosovës.
Sot pas 42 vitesh me nostalgji e dashuri të pakufishme Muhameti e Rifati me bashkëlojtarët e tij, me respektin më të madh kujtojnë momentet që kishin kaluar me legjendën Muharrem Gashi.
Muhameti e Rifati kanë një kërkesë nga Komuna e Gjilanit që nën patronatin e Komunës të mbahet turniri Memorial për Muharrem Gashi për çdo vit, pasiqë do të ishte respekt e krenari ta përkujtojmë këtë njeri të madh të hendbollit, nëpërmjet një turniri Memorial do të nderonim Komunën, Muharrem Gashin, familjen e tij dhe hendbollin Gjilanas, këtë e meriton i papërsëritshmi dhe legjenda e madhe e hendbollit Gjilanas e Kosovar, Muharrem Gashi./sylejman ismajli/rajonipress/


