Eko Higjiena

S`i ndalin kërcënimet

/ 4 minuta lexim

Kompanitë në garë për privatizimin e PTK’së nuk po e marrin seriozisht kërcënimin e Serbisë për të mos e blerë këtë ndërmarrje. Ato nuk kanë dyshim për pronësinë, por këtë presion po e përdorin ndaj Qeverisë së Kosovës për t’ia ulur vlerën PTK’së. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thonë se kjo nuk do të ndikojë në vlerën e ndërmarrjes.

Pretendimet e Qeverisë së Serbisë për pronësi në PTK nuk mund ta ndalin privatizimin. As letra e shefit të Zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin se kjo pronë nuk mund të shitet, nuk po merret seriozisht nga kompanitë në garë për të blerë 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje.

Megjithatë, kjo nuk duket të jetë krejt pa sherr.

Kompanitë në garë këtë do ta përdorin si arsye për t’ia ulur vlerën PTK-së.

Për këtë punë, një zyrtar i njërës nga kompanitë në garë tregon se është diskutuar gjerë e gjatë.

“Nuk ka kompani në garë për privatizimin e PTK-së që nuk i di këto probleme dhe kompanitë e njohin problemin me Serbinë. Nuk ka asnjë pikë dyshimi për pronësinë, por presioni i Serbisë mund të përdoret nga kompanitë në garë për të ulur peshën e projektit”, thotë ai.

Kriza financiare në Evropë dhe mungesa e mjeteve financiare te kompanitë, sipas tij, janë edhe një arsye më tepër që të shfrytëzojnë çdo mundësi për ta blerë sa më lirë PTK-në.

Qeveria e Serbisë qysh në muajin gusht të këtij viti, i pati paralajmëruar se do të ngre padi ndërkombëtare për t’i parandaluar investitorët që t’i hyjnë garës për 75 për qind të aksioneve në ndërmarrjen më profitabile në Kosovë.

Këtë ua përkujtoi ditë më parë përmes një letre, edhe Vulin, kompanive të parakualifikuara.

UBT

“Republika e Serbisë do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e veta legjitime pronësore, duke iniciuar procedura pranë gjykatave relevante në vendin e regjistrimit ose selisë së kompanisë, si dhe pranë të gjitha organeve ndërkombëtare kundër të gjitha entiteteve, që mëtojnë të shkelin të drejtat legjitime pronësore dhe interesat pronësore të saj”, thuhet në letrën e shefit të Zyrës së Serbisë për Kosovën.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thonë se Serbia ka qëndrim të tillë të paligjshëm ndaj të gjitha kompanive të Kosovës.

Gëzim Baxhaku, këshilltar për media në këtë ministri, tregon se kontestet pronësore dhe kapitulli i borxheve për PTK-në është mbyllur në vitin 1999.

“PTK-ja si kompani publike është themeluar nga UNMIK-u në vitin 1999. Vendimin për themelimin e PTK-së e ka nënshkruar shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Bernard Kushner”, thotë Baxhaku.

Sipas tij, nuk ka kërkesa apo pretendime nga ndonjë kompani tjetër për aksionet në PTK, me përjashtim të pretendimeve të shtetit të Serbisë se kinse bëhet fjalë për kompani, e cila i takon këtij shteti.

Në MZHE, mohojnë mundësinë që këto raporte të ndikojnë në vlerën e ndërmarrjes. Madje kanë mohuar që për nevoja të investitorëve të futet në hipotekë nga kompanitë në garë.

Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, ditë më parë kanë bërë me dije se në bazë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë, PTK-ja është ristrukturuar dhe ndarë në dy kompani – në Postën e Kosovës dhe PTK-në, pjesë e së cilës kanë mbetur biznesi i telekomit, ku përfshihen telefonia mobile, fikse dhe interneti.

“Posta e Kosovës është duke funksionuar si ndërmarrje e ndarë publike nga PTK-ja, ka rreth një mijë punëtorë dhe ka trashëguar mbi 98 për qind të aseteve të paluajtshme të të gjithë PTK-së. Astetet e Postës, siç janë të gjitha ndërtesat, janë pjesë e ndërmarrjes së re publike Posta e Kosovës, nuk janë pjesë e privatizimit dhe nuk mund të futen në hipotekë. Posta e Kosovës ligjërisht dhe në praktikë do të vazhdojë të funksionojë si ndërmarrje e pavarur publike, ndërsa do të pranojë të hyra për qira dhe shërbime të tjera që ofron tani dhe në të ardhmen për PTK-në”, thuhet në një reagim të KQP-së.

Përveç kësaj, ky komision ka bërë me dije se procesi i privatizimit nuk është rrezikuar nga tërheqja potenciale e investitorëve.(express)