Si mund të ndikojë në shëndetin konsumi i rregullt i pjeshkave?

Pjeshkat janë një nga frutat e preferuara të verës për shumë njerëz – ato janëtë lëngshme, të ëmbla dhe freskuese. Përveç se janë të shijshme, pjeshkat kanë edhe përfitime shëndetësore. Nutricionistja Jamie Lee McIntyre thekson se pjeshkat ofrojnë një numër përfitimesh shëndetësore që shkojnë përtej shijes.
“Ato përmbajnë lëndë ushqyese të dobishme që mbështesin shëndetin e zemrës, zvogëlojnë inflamacionin dhe ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak”, thekson ajo për portalin Eating Well.
Përmirësojnë tretjen
Pjeshkat janë një burim i mirë i fibrave dietike – një pjeshkë mesatare përmban rreth dy gramë fibra, si të tretshme ashtu edhe të patretshme. “Fibrat e tretshme ushqejnë bakteret e dobishme të zorrëve, ndërsa fibrat e patretshme ndihmojnë në nxitjen e tretjes”, shpjegon McIntyre. Konsumi i rregullt i pjeshkave mund të kontribuojë në një tretje më të rregullt dhe të shëndetshme.
Zvogëlojnë inflamacionin
Inflamacioni kronik është i lidhur me shumë sëmundje, dhe pjeshkat përmbajnë lëndë ushqyese si beta-karoten, antocianina dhe luteinë, si dhe vitaminë C. “Këto komponime mbrojnë qelizat nga stresi oksidativ, i cili mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme”, shton McIntyre. Shumica e substancave të dobishme gjenden në lëkurën e pjeshkës, kështu që është mirë ta konsumoni të paqëruar, transmeton Klankosova.tv.
Ndihmon në uljen e presionit të gjakut
Pjeshkat janë të pasura me kalium, një mineral që ndihmon në neutralizimin e efekteve negative të natriumit dhe relakson enët e gjakut. “Përveç kaliumit, ato përmbajnë vitaminë C, fibra dhe beta-karoten, një kombinim që mbështet shëndetin e zemrës dhe mund të ulë presionin e gjakut dhe të përmirësojë nivelet e kolesterolit”, thekson McIntyre.
Rregullon sheqerin në gjak
Pavarësisht shijes së tyre të ëmbël, një pjeshkë mesatare përmban rreth 15 gramë karbohidrate, dukshëm më pak se, për shembull, një mollë, e cila përmban rreth 25 gramë. Për njerëzit me diabet, pjeshkët mund të jenë një zgjedhje e shkëlqyer, veçanërisht kur kombinohen me burime proteinash dhe yndyrnash të shëndetshme, të cilat ngadalësojnë më tej rritjen e sheqerit në gjak.
Mbron shikimin
Ngjyra e pjeshkave vjen nga karotenoidet si beta-karoteni, luteina dhe zeaksantina, të cilat janë gjithashtu antioksidantë të fuqishëm. Marrja e lartë e luteinës dhe zeaksantinës është lidhur me një rrezik më të ulët të kataraktit dhe degjenerimit makular, shkaqet kryesore të humbjes së shikimit tek të rriturit.