Eko Higjiena

Si ju hakmorr Cameron Munter Koshtunicës?

/ 6 minuta lexim

Pas pavarësimit të Kosovës, në shkurt të vitit 2008, ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Beograd, kishte pritur një sulm të serbëve dhe kishte bërë përgatitjet e duhura për evakuimin e ndërtesës.

Munter, i cili nuk u largua nga ndërtesa e ambasadës në Beograd, në vitin 2008, kërkoi dënimin e atyre që ishin përgjegjës për sulmin. Ai kuptoi se përgjegjës ishte vetë kryeministri serb, Vojislav Koshtunica, të cilit vendosi t’i hakmerret dhe hakmarrja e tij ishte e suksesshme.

Turma që ishte tubuar në stadiumin e futbollit u nis drejtë ambasadës së SHBA-së në Beograd, e vendosur për t’u hakmarrë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Ëashingtonit. Atë ditë, në shkurt të vitit 2008, policia serbe, e stacionuar para ndërtesës së ambasadës me kërkesën e ambasadorit amerikan, Cameron Munter, u zhduk nga aty, para se të arrinte turma. “Policia u largua, hipën nëpër autobusë dhe lëvizën në drejtim të panjohur dhe kur sulmuesit arritën, askush nuk ishte aty”, kujton Munter.

Një pjesë e ambasadës u dogj. “Një nga protestuesit, i cili ishte i dehur, u dogj në brendi të ambasadës”, thotë Munter. Disa të tjerë hipën mbi mur. Marinsat amerikanë, të cilët ruanin ambasadën, kishin çdo të drejtë për të hapur zjarr, por ata arritën të largojnë sulmuesit me vërejtje dhe këshilla”, shtoi Munter.

Diplomatët amerikanë e kishin paraparë këtë sulm. Dhe si rezultat i përgatitjeve të tyre, asnjë amerikan nuk u lëndua në këtë incident. Të nesërmen një pjesë e personelit të ambasadës dhe familjet e tyre u evakuuan nga Beogradi. “Ishim të sigurt se do të kishte një reagim të hidhur ndaj njohjes së Kosovës dhe ne bëmë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Ne qysh më herët kishim rezervuar dhoma të hoteleve dhe hapësirë shtesë në ndërtesën e ambasadës tonë në Zagreb”, rrëfen Munter.

Sidoqoftë, pjesa më e madhe e diplomatëve nuk kanë gjithmonë kaq fat. Përgatitjet për sulme kundër objekteve diplomatike të SHBA-së pothuajse kurrë nuk janë të mundshme dhe shumë rrallë janë aq të rregullta, siç ishte rasti në Beograd.

Ngjarjet në Libi, në mbrëmjen e 11 shtatorit, janë një përkujtues tragjik i këtij realiteti. Kur u sulmua konsullata amerikane në Benghazi, ambasadori Cristophet Stevens mbeti i ngujuar në ndërtesën që po digjej dhe vdiq nga thithja e tymit. Edhe tre zyrtarë tjerë amerikanë u vranë si pasojë e këtij sulmi.

Munter, i cili nuk u largua nga ndërtesa e ambasadës në Beograd, në vitin 2008, kërkoi dënimin e atyre që ishin përgjegjës për sulmin. Pasi në sipërfaqe dolën dëshmi se vetë kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica, kishte dhënë miratimin për këtë sulm, Munter erdhi në përfundim se ai duhej të sigurohej që kryeministri duhej të largohej dhe se hakmarrja më e mirë ishte që të sigurohej që ai të mos të fitonte zgjedhjet, të cilat do të zhvilloheshin pesë muaj më vonë.

Munter erdhi në përfundim se çelësi për të dobësuar Koshtunicën ishte që votuesit e tij të votonin për Partinë socialiste të Serbisë, e kryesuar dikur nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Miloshevici. Udhëheqësi i ri i partisë ishte Ivica Dacici. “E bindëm që të ndërroi anën dhe ti bashkohet pro-evropianëve. Nuk e paguam, thjeshtë e bindëm. Ajo që dëshironte ai ishte legjitimiteti ndërkombëtarë. Kështu, ne bindëm kryeministrin e atëhershëm të Spanjës, Zapateron dhe kryeministrin grek, Papandreu, i cili atëbotë ishte kryesues i Ndërkombëtares Socialiste, që ta ftojnë jashtë vendit dhe të takohen me të. Ata i thanë se do të lejonin anëtarësimin e tij në Nderkombetaren Socialiste, nëse i bashkohej forcave pro-evropiane dhe ai e bëri këtë. Ai ja nguli Koshtunicës thikën në shpinë”, thotë Munter.

Fidanishtja

Hakmarrja e Munterit ishte e suksesshme: partia e Koshtunicës humbi zgjedhjet. Partia e Dacicit nuk ju bashkua Ndërkombëtares Socialiste, por ai u bë zëvendëskryeministër dhe u ngrit në funksionin e kryeministrit të Serbisë, pas zgjedhjeve që u zhvilluan katër vjet më vonë.

Sikur edhe Stevens dhe mijëra diplomatë tjerë amerikanë, Munter ka shërbyer në shumë vende më të rrezikshme se sa Serbia, përfshirë këtu edhe në Irak dhe Pakistan. Në momentin kur po përgatitet të largohet nga Shërbimi i Jashtëm, në të cilin ka punuar për 27 vjet me radhë, Munter dëshiron që t’ia bëjë të qartë amerikanëve se jeta e një diplomati nuk është aq e lehtë sa mendojnë ata.

Diplomatët amerikanë rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre. Ata konsiderohen si zjarrfikës të qeverisë së SHBA-së. Ata lëvizin me shpejtësi në gjithë botën, nga një vatër e krizës në tjetrën.

Në maj të vitit 2011, telefoni i Munterit cingëroi në orën tre të mëngjesit. Për gjumë as që i shkonte mendja, prandaj u përgjigj. “Kemi dëgjuar se një helikopter është rrëzuar. A është një prej tuajve?”, e pyeti zyrtari i lartë pakistanez. Munter, tani ambasador i SHBA-së në Pakistan, nuk ishte në gjendje që të përgjigjej në këtë pyetje, jo për shkak se ishte i pa-informuar, por për shkak se duhej ta ruante fshehtësinë, së paku për disa orë.

Ishte 2 maji i vitit 2011 dhe Munter sa po kishte përcjellë drejtpërdrejtë aksionin, gjatë së cilit u vra terroristi më i kërkuar dhe më famëkeq në botë, Osama Bin Ladeni, vetëm 60 km larg shtëpisë së Munterit në Islamabad. Por atij nuk i lejohej ti thoshte asgjë qeverisë së Pakistanit, deri në momentin e kumtesës publike nga ana e presidentit Barack Obama.

Ruajtja e fshehtësisë nuk ishte asgjë, në krahasim me sfidën e radhës së Munterit: përmirësimin e marrëdhënieve tashmë të tendosura tej mase mes SHBA-së dhe Pakistanit.

“Sërish do ta bëja në të njëjtën mënyrë operacionin e Bin Ladenit. Ja ka vleftë dhe presidenti kishte bërë llogarinë se ja ka vleftë”, përfundon Munter.

(Foreign Policy)