UBT

Si i bënë shtëpitë Rugova, Mustafa, Thaçi, Kurti, Haradinaj e Limaj?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Se liderët tanë nuk djersiten për prona marramendëse e kanë dëshmuar edhe vet në Deklarimin e pasurisë ku asnjërit nuk i shkruan se prona e paluajtshme është përfituar nga deklaruesi!

Duke u nisur nga lideri historik i Kosovës Ibrahim Rugova e deri te liderë e tanishëm, prejardhja e pasurisë së tyre lë për të dëshiruar dhe është e tejet dyshimtë. Thjeshtë, ata janë bërë me prona të mëdha pa pasur as pagë të lartë apo duke pasur të ardhura me të cilat ajo pasuri nuk krijohet për dhjetëra vjet. Ibrahim Rugova- Presidenti historik i Kosovës i ka lënë trashëgim familjes një shtëpi e cila u zotërua nga ai në rrethana asnjëherë të sqaruara. U tha që i është falur nga një bashkatdhetar.

Thuhej se është rezidencë presidenciale dhe përdoret për qëllime të tilla. Por, sot ajo është pronë e familjes Rugova. Vetë djali i vogël i të ndjerit, Uka në deklarimin e pasurisë e ka vlerësuar atë pasuri në vlerën 1.5 milionë euro, përderisa prejardhjen e ka cilësuar si trashëgimi, shkruan Gazeta Fjala.

Isa Mustafa- Ka deklaruar se e ka një shtëpi të trashëguar. Por, ajo çka nuk ka deklaruar Mustafa është pasuria e djemve të tij që thuhet se është marramendëse në rrethanat kosovare.

Mobi Casa

Hashim Thaçi- Ish kryeministri i vendit për 7 vjet më radhë është treguar shumë i zhdërvjellët për deklarimin e pasurisë sa i takon shtëpisë që e ka në përfundim e sipër në Veternik. Ai deklaron se atë shtëpi po e ndërton me kredi dhe me paratë prej 230 mijë eurosh që i ka fituar nga shitja e shtëpisë në lagjen Arbëria (ish Dragodan). Por, ish kryeministri asnjëherë nuk e ka sqaruar si e bëri shtëpinë në Dragodan që kishte vlerë kaq të lartë. Ajo shtëpi rezulton të jetë bërë në vitet e para të pasluftës, përderisa Hashim Thaçi kishte pagë deputeti e cila në atë kohë sillej 600- 700 euro në muaj.

Albin Kurti -Nuk ka deklaruar fare pasuri të paluajtshme. Ai kishte një banesë në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, të cilën e kishte shitur për të financuar fushatën e Vetëvendosjes. Kurti nuk e ka shpjeguar asnjëherë kur dhe si e kishte bërë atë banesë. Dihet se prona ishte përfituar në kohën kur Kurti nuk kishte të ardhura stabile.

Ramush Haradinaj- Shtëpia e tij nuk është bërë nga të ardhurat direkt të poseduesit të saj. Ai si origjinë të pasurisë që e ka vlerësuar 300 mijë euro e ka përmendur mjetet vetanake të trashëguara dhe ndihmën nga bashkëluftëtarët. Ai shtëpinë prej 950 metrash katror në Dragodan e vlerëson në 300 euro metrin që është dukshëm nën tregun e patundshmërive në Prishtinë.

Fatmir Limaj- Ka deklaruar disa prona të paluajtshme në pronësi prejardhja e të cilës është cilësuar familjare. Limaj dihet se kishte një banesë të trashëguar nga babai para disa dekadave, por nuk është shtjelluar në detaje prejardhja e pasurive tjera. Limaj në AKK ka deklaruar gjithsej dy banesa dhe një shtëpi familjare. /GazetaFjala/