RCCOLA

Shumica absolute e mësimdhënësve mbështesin Qemajl Mustafën

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kryetari Qemajl Mustafa kandidat për mandatin e tretë në zgjedhjet lokale së bashku edhe me shefin e shtabit zgjedhorë Izmi Zeka dhe sekretarin organizativ, Bujar Nevzati, kanë pritur grupe të shumta të mësimdhënësve të shkollave të ndryshme në takime me kandidatin për kryetar të Komunës. Punëtorët arsimor prej shkollave të ndryshme nga ora 10 deri në orët e vona të pasditës takohen me kryetarin, duke nisur që nga shkolla e Përlepnicës, Uglarit, Pogragjës, Malishevës, Zhegrës, Shurdhanit, Llashticës, Cërrnicës, Livoqit të Ulët dhe të Epërm, Mireshit, Bresalcit, Mihirit, Verbicës së Zhegocit, Kishnapoles etj.

“Mësimdhënësit janë shtresa avangardite e shoqërisë, janë gjeneratori i edukimit të gjeneratave të shumta, e të cilat poqëse i edukojmë mirë dhe ju ofrojmë dije të mjaftueshme, shtetin tonë do ta kemi më të zhvilluar dhe përparuar”, ka theksuar Qemajl Mustafa, kandidati për kryetar komune në takimin me mësimdhënësit e komunës së Gjilanit.

Në arsim janë bërë përparime të mëdha, kemi investuar shumë në fuqizim të sistemit të arsimit, disiplinë, në marrjen e kuadrove, regjistrimin me kohë të fëmijëve, investim në infrastrukturë shkollore, investim në mirëmbajtje të hapësirave shkollore etj.

“Në këtë Epokë sa na është dhënë besimi për qeverisje, ne lamë dhe vazhdojmë të lëmë gjurmë të mira dhe të mëdha për arritje të kualitetit dhe standardeve sikur në arsim dhe në të gjitha sferat tjera shoqërore. Gjilanasit do ta dallojnë komunën e tyre me krahasimin para vitit 2007 dhe pas këtij viti, duke bërë bilance të dështimeve dhe ngecjeve zhvillimore, me Epokën e investimeve milionëshe në shumë fusha të rëndësishme dhe jetike për qytetarët”, potencoi ai duke marrë vetëm një shembull të rregullimit të lumit Mirusha, një kundërmues i madh i qytetit që në të ardhmen me rregullimin e tij do të shndërrohet në një zonë biznesore, atraktive për këmbësorët dhe do të jetë një zonë e qetë dhe interesante, edhe për të tjerët jashtë Gjilanit.

UBT

Ai ka theksuar edhe investimet të cilat kanë ndodhur gjithandej, në humanizimin e hapësirave publike, në hapjen e rrugës dhe lehtësirat për afarizëm dhe ndërtime të larta, investime të panumërta dhe milionëshe në infrastrukturë, ndaj s’ka askush që mund t’i përshkruaj aktivitetet e shumta që janë bërë gjatë kësaj qeverisje. “Vërtetë kemi nisur në vitin 2008 me një front shumë të gjerë të investimeve, kështu kemi vazhduar bashkërisht, por e dimë ku jemi sot dhe e dimë qëllimin tonë ku do të arrijmë. Interesi ynë është që ne Gjilanin ta bëjmë një qytet modern, evropian, ku rendi dhe rregulli do të bëhen traditë e secilit, ka thënë ai ndër të tjerash. Edhe në Arsim kemi qasje të mirë, mendjesi dhe kulturë tjetër me qëllimin më të arsyeshëm e demokratik për sistem të arsimit të mirë dhe ndërtimin e klimës së mirë në relacion me punëtorët e arsimit. PDK në qeverisje ka argumente të punës së mirë, ka dhënë argumente që ka vullnet dhe kuadro për të dhënë dhe ende është e motivuar për të dhënë kontributin politik dhe qeverisës. Ne kemi ardhur në qeveri për ta avansuar dhe përparuar qeverisjen, për të vazhduar me punë dhe projekte të mëdha në të gjitha fushat e jetës.” Ka shtuar Mustafa.

Ndërsa i drejtori i arsimit Bujar Nevzati ka përmendur zhvillime të rëndësishme, historike për arsimin Gjilanas, duke nisur nga investimet në infrastrukturë shkollore prej mbi 30 mijë metra katrorë si dhe zotimin për nisjen e 6 mijë metrave katrorë të reja, pastaj librat falas për nxënësit, ngritjen e pagave për mësimdhënësit para disa vitesh dhe ngritjen tjetër që do të ndohhë nga 1 Janari i vitit 2014.

Ai ka veçuar edhe rendin dhe rregullin në pranimin e nxënësve, mësimdhënësve, drejtorëve etj. “Në asnjë moment nuk kemi shikuar përkatësinë partiake të askujt, ngase ishim të interesuar të bëjmë ndryshime pozitive në arsimin Gjilanas, gjë e cila e cila nuk ka ndodhur para vitit 2007 ku shkolla udhëhiqej në total nga njerëzit e LDK-së. Të gjitha këto i kemi bërë bashkë me kryetarin Mustafa dhe qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës” ka thënë Nevzati.

Ndërsa mësimdhënësit kanë thënë se personaliteti i kryetarit Mustafa është më tepër një vizion i zhvillimit të Komunës së Gjilanit dhe i sektorëve të ndryshëm, për çka e kanë falënderuar për angazhimin 6 vjeçar duke i uruar fitoren bindëse edhe në këtë mandate të ardhshëm, që sipas tyre domosdo do të jetë i PDK-së dhe i Qemajl Mustafës si kryetar komune, ngase është më i dëshmuari ndër të gjithë kandidatët që njeh Gjilani thuhet në njoftimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/