Shumë shkelje të rregullave ligjore e nënligjore janë të pranishme, por ato heshten?
Gjilan – Në raportin e OJQ “Anamorava” duke folur për mangësitë e raportit për zyrën ligjore thuhet se janë të pranishme shumë e shumë shkelje të rregullave ligjore dhe nënligjore. Kjo Zyrë është kompetente dhe është ajo e para, e cila duhet domosdo të ndërhyjë për të penguar mos respektimin e parimit të sundimit të ligjit.
Në faqet 42-43 të planit të punës për periudhën e vitit 2015 të Kuvendit të Komunës, është paraqitur aktiviteti u Zyrës ligjore, ku ato janë gjithsejte 1076 aktivitete, ndërsa në formë të një tabele ku kemi gjithësejt 36 aktivitete, por pa ndonjë koment ose sqarim të tyre thuhet në raport.
Mangësitë e raportit për zyrën ligjore janë: Janë organizuar 10 debate – dëgjime publike, por fare nuk jepen të dhëna se cilat kanë qenë çështjet e debatit. Nëse kanë qenë projektet e rregulloret përkatëse është dashur që në seancën e KPF dhe Kuvendit të komunës konformë udhëzimit administrative për transparencën në komuna, domosdo duhet të paraqitet raporti, i cili përmban çështjen e debatit, numrin e të pranishmëve, vërejtjet, propozimet, cilat janë të pranueshme dhe të papranueshme e pastaj koha e mbajtjes, vendi etj.
Në të gjitha seancat e KPF dhe Kuvendit, në të cilat janë shqyrtuar projektet e rregulloret, fare nuk është paraqitur ndonjë raport për ecurinë e zhvillimit të debateve.
KPF dhe eventualisht ndonjë komitet tjetër përkatës, fare nuk i ka paraqitur raport Kuvendit të Komunës me rekomandime për çështjet për të cilat është zhvilluar debat.
Komisioni statutar dhe për akte tjera normative i Kuvendit të Komunës, i themeluar në vitin 2014, me miratimin e ndryshimeve statutare ka ndërprerë punën, gjë që është e papranueshme. Ai është dashur të vazhdojë punën dhe t’i shqyrtojë projektet e të gjitha rregulloreve dhe akteve tjera normative, të cilat i shqyrton dhe miraton Kuvendi i Komunës.
Në tabelën e Zyrës ligjore fare nuk paraqiten të dhënat e kontratave civile në Gjykatën themelore në Gjilan. Sipas një raporti të Komunës të datës 22 janar 2014, detyrimet kontigjenteve kanë qenë 290,3510 €.
Numri i lëndëve gjyqësore në procedurën kontestimore, kërkesat në të holla, në të cilat Komuna e Gjilanit paraqitet në cilësinë e të paditurës kanë qenë 126. Ashtu që këto konteste fare nuk trajtohen nga kjo zyrë.
Udhëheqësi i Zyrës Ligjore rregullisht është i pranishëm në seancat e KPF-ës dhe të Kuvendit të Komunës, në punime të të cilave janë të pranishme shkeljet drastike të rregullave ligjore dhe të atyre nënligjore, duk e nisur nga mosrespektimi i vazhdueshëm i afatit për dërgimin e njoftimeve për seancat e KPF dhe të Kuvendit. Është e pranishme mungesa e materialeve sipas rendit të ditës.
Shqyrtimi i projekt vendimeve për emërimin e përbërjeve të komiteteve dhe të komisioneve të Kuvendit të Komunës, në KPF pa emrat e anëtarëve të këtyre trupave ndihmëse të Kuvendit, është një dukuri negative e pranishme që nga seancat e para të Kuvendit dhe vetëm kohëve të fundit ka një përpjekje për ndryshim. Madje janë të pranishme shumë e shumë shkelje tjera të rregullave ligjore dhe nënligjore. Kjo Zyrë është kompetente dhe është ajo e para, e cila duhet domosdo të ndërhyjë për të penguar mos respektimin e parimit të sundimit të ligjit thuhet në raportin e OJQ “Anamorava” ./rajonipress/


