Shumë nxënës të prekur nga variçela

Gjilan- Në drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan në bashkëpunim me drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është mbajtur një ligjëratë nga mjek dhe infermierë të QKMF-së të Gjilanit, për mësimdhënësit e shkollave fillore të ulëta të Komunës së Gjilanit, për përhapjen, rreziqet dhe mundësit e parandalimit të variçelës te nxënësit (“lija e ujit” ose “lija e qenit” siç njihet në popull).
Dr. Hajriz Ibrahimi dhe Ardiana Keka – Shahini, ishin ligjëruesit të cilët në prezantimin e tyre spikatën këtë sëmundje ngjitëse, që nga shfaqja e saj te njeriu, parandalimi, trajtimi e deri te shërimi i plotë i saj.
Variçela, siç thanë, ata është sëmundje ngjitëse dhe e prek secilin nga njerëzit të paktën njëherë gjatë jetës së tij dhe në raste të rralla ajo mund të përsëritet edhe dy herë tek i njëjti njeri. Kjo sëmundje përhapet përmes ajrit, spërkatjes së gojës, përmes prekjes së fëmijëve në mes veti, por edhe përmes formave të tjera, ndërsa vendet më të shpeshta të përhapjes së saj janë çerdhet, shkollat, por edhe vendet me frekuentim më të madh të njerëzve.
Kjo sëmundje te fëmijët dhe personat e prekur manifestohet me efloreshenca (puqrra), temperaturë, plogështi, ethe, …etj.
Dr. Hajriz Ibrahimi tha se në Gjilan kemi fëmijë të prekur me varicelë, këta janë edhe nxënës nëpër shkolla që na lë të kuptohet se një numër i madh i nxënësve janë të prekur me variçelë, por numri në tërësi nuk është shqetësues. Kjo është vërtetuar nga kontrolli mjekësor që u bëhet fëmijëve tashmë nëpër shkollat e Komunës së Gjilanit.
Kurse infermierja, Ardiana Keka – Shahini, tha se varicela, prekja me të bartet përmes viruseve por janë raste të rralla ato të përhapjes nga bakteret. Ajo trajtohet me terapi dhe këshillat mjekësore. Ndërsa është e mundur që fëmijët e prekur të izolohen në mënyrë që kjo të mos shpërndahet tek të tjerët, por edhe mund të trajtohet me terapi simptomatike.
Interesimi i mësimdhënësve ishte shumë i lartë dhe kjo ligjëratë u shndërrua në një debat interaktiv dhe shumë të pëlqyer nga mësimdhënësit e këtyre shkollave.
Këshillë mjekësore nga ky takim, ishte që fëmijët të mbahen të pastër në aspektin e higjienës, te veshmbathja dhe ushqimi, ndërsa ambienti ku jetojnë fëmijët të jetë me temperaturën normale, por edhe faktorët tjerë janë shumë të rëndësishëm. /rajonipress/