Shtyjë e shtyjë, në fund vetëm dy oferta për PTK-në

Prishtinë – Pas disa shtyrjeve të dhënies së ofertave për privatizimin e PTK-së, sot u kuptua se në garë janë vetëm dy kompani jo të njohura, ajo gjermane “Axos Capital”, dhe një libaneze, me seli në Londër, e quajtur “M1 Internacional”.
Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, tha sot në një konferencë me gazetarë se pas hapjes së ofertave i mbetet Komisionit ndërministror që të bëjë vlerësimin e këtyre dy ofertave, kurse fitues do të jetë ajo që ka dhënë ofertë më të lartë financiare. Por, ai nuk ka treguar se kur do ta kryejë punën Komisioni ndërqeveritar, megjithëse aty ka shumë pak punë pasi janë gjithsej dy oferta.
“Komisioni qeveritar për privatizimin e PTK-së, javën e kaluar ka emëruar komisionin për pranimin e ofertave, dhe sot ka qenë data ku deri në ora 14 ato është dashur të dorëzohen. Ne kemi dy ofertues. Të dy i kanë plotësuar kushtet ligjore, këtë e ka konfirmuar Këshilltari i Transaksionit. Ne sot kemi themeluar Komisionin për vlerësimin e ofertave. Ky komision, në një afat sa më të shkurtër do të japë rekomandimet e veta, dhe mbi ato rekomandime ne do të marrim vendim për hapjen e ofertave financiare. Ofertat do të jenë të hapura për të gjithë. Kriteret janë të thjeshta, do të fitojë oferta më e lartë financiare. Në momentin kur të bëhet kjo hapje, komisioni do t’i sugjerojë Qeverisë për hapat e mëtejmë”, tha ministri Beqaj.(koha)