UBT

Shtrofulla e korrupsionit të partive politike, e paprekur nga drejtësia

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Ndonëse asnjëherë nuk ka pasur transparencë të plotë dhe serioze të partive politike rreth financave të tyre, qoftë të rregullta apo financave, që sigurojnë për zhvillimin e fushatave zgjedhore, Prokuroria e Shtetit asnjëherë nuk ka iniciuar procedurë hetimore për të gjetur të vërtetën kriminale të financimit të shumicës së partive politike kosovare. Kjo traditë po vazhdon tash e plot 17 vjet.

Gazeta i është drejtuar edhe Prokurorisë së shtetit me pyetjen pse nuk nisin procedurë hetimore në këtë fushë, por nuk ka marrë përgjigje. Ndryshe, analistët konsiderojnë se kjo heshtje e institucioneve të sundimit të ligjit vjen si pasojë e kapjes së tyre nga rrjetet kriminale politike.

Analisti politik Ymret Reshiti konstaton se një hetim exoficio i prokurorisë për financat e partive politike nuk ka ndodhur deri më tani, pasi që sikurse gjykatat edhe prokuroria janë krejtësisht të ndërvarura nga politika.”Prokurorët janë të varur nga politika, sidomos nga disa parti politike, të cilat vendosin se kush duhet të emërohet prokuror shteti. Dihet afera “Pronto” e emërimit të prokurorëve she gjyqtarëve të Kosovës. Nuk mund të pritet nga zyrtarë të tillë të mbrohet ligji kur emërimet e tyre në ato pozita publike janë bërë duke shkelur ligjin dhe procedurat e emërimit. Hezitimi i prokurorëve ndaj burimit të financimit të partive politike e ka bazën te dëgjueshmëria ndaj “shefave”. Nuk guxojnë të prekin në shtrofullën e korrupsionit të partive politike që janë të lidhura me krimin dhe korrupsionin. Nëse zbulohet e vërteta e burimeve të financimit të partive politike, dalin lidhjet e mafisë politike dhe oligarkisë kriminale. Kosovën realisht e qeveris binomi mafi politike-oligarki. Ky binom e ka kapur shtetin e Kosovës në gjithë segmentet e tij, duke ngulfatur drejtësinë, shtetin ligjor dhe perspektivën e Kosovës Gjeneza e krimit dhe korrupsionit është te partitë politike në Kosovë. Vetëm një vetting do të mundësojë shkapjen e shtetit”, theksoi analisti Ymret Reshiti për gazetën “Kosova Sot”.

“Këto parti të varfra nuk kanë kapacitete për të financuar fushata të mëdha”

Edhe eksperti i së drejtës, ish-anëtar i KQZ-së, Blerim Burjani, theksoi për gazetën “Kosova Sot” se nuk është aspak i habitur pse deri më tash asnjëherë s’ka pasur seriozitet në temën e zbardhjes së donatorëve të partive, madje edhe disa partive me numë të anëtarësisë së tyre të punë, por që kanë donatorë të çuditshëm.”Këto parti të varfra nuk kanë kapacitete për të financuar fushata, por paratë çuditshëm po gjenden për të bërë fushata. Ka shumë gjëra dhe marrëveshje që fshihen prapa këtyre fushatave parazgjedhore, e ku dyshohet se njerëz të caktuar nga partitë negociojnë me sponsorët e fushatave dhe për kundërshpërblim iu ofrojnë biznes dhe forma të tjera, apo opsione tjera pasurimi të tyre”, theksoi analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”.

Analisti politik Hidajet Ahmeti thotë për gazetën “Kosova Sot” se në këtë fushë nuk po zbatohet aspak legjislacioni në fuqi. Ai ka rikujtuar se Ligji nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike dhe Ligji për plotësim ndryshimin nr. 04/L-058 rregullon mënyrën e përgjithshme të financimit, duke filluar nga kushtet e financimit, administrimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për shpenzimin e pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike në Republikën e Kosovës.

RCCOLA

Ai thotë se subjektet politike janë të detyruara të definojnë në statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të tyre dhe, me qëllim të luftimit të praktikave korruptive dhe ngritjes dhe forcimit të menaxhimin financiar dhe transparencës, subjektet politike duhet të zhvillojnë mekanizmat e kontrollit të brendshëm financiar.”Një pjesë e subjekteve politike kanë transparencë dhe llogaridhënie të pjesshme, kurse pjesës tjetër u mungon tërësisht. Në vija të trasha nuk mundë të themi se kanë një emërues të përbashkët të të gjitha subjektet politike, por ka elemente që i bashkojnë të gjitha subjektet politike në keqpërdorimin e parasë publike. Mund të arrijmë në konkluzion se nuk kemi transparencë dhe llogaridhënie të mjaftueshme, duhet kohë dhe përkushtim i subjekteve politike për të respektuar ligjin në fjalë. Disiplinimi i subjekteve politike mund të ndodhë vetëm përmes rrugëve ligjore, duke përdorur masa ndëshkuese konform ligjit. Kjo është rruga më e mirë që subjektet politike mundë t’i vendosë në binarë ligjorë. Nga vetë fakti i mosraportimit konform ligjit është për të dyshuar se subjektet politike janë të financuara në mënyrë ilegale, duke e shkelur ligjin në mënyrë tinëzare. Subjektet politike duhet të kenë një auditim, i cili do të nxirrte në pah keqpërdorimet e mundshme të tyre, e pastaj institucionet e drejtë- sisë të merren me rastet në fjalë dhe subjektet që keqpërdorin paranë publike të ndëshkohen konform dispozitave ligjore”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

Rreziku më i madh është manipulimi i votuesve përmes mekanizmave të pushtetit

Ahmeti pohon se i gjithë Ballkani, veçanërisht Kosova, si shtet në tranzicion, shquhet si vend që zgjedhjet manipulohen në forma të ndryshme.”Pushtetarët shpesh dinë të abuzojnë me pushtetin që kanë për të manipuluar në kohë të zgjedhjeve. Politikologjia si shkencë në aspektin teorik ka vetëtuar se në shtetet në tranzicion vota nuk përfaqëson vullnetin real, pasi që në vendet me mjerim socio-ekonomik manipulohet më lehtë me votuesit dhe pikërisht kjo teori është vërtetuar praktikisht në shumë vende të Ballkanit, e posaçërisht në Kosovë. Ata që e kanë në duar pushtetin e kanë shumë më të lehtë për ta vazhduar pushtetin, pasi që kanë në duar të gjithë mekanizmat e pushtetit. Gjykoj se rreziku më i madh është manipulimi i votuesve përmes mekanizmave të pushtetit që posedojnë pushtetarët, qoftë në nivel lokal apo qendror. Në pushtetin lokal ata që e kanë pushtetin në shumicën e komunave kanë ndërtuar Perandori të palëkundshme, duke kapur të gjitha institucionet e pavarura në nivel lokal, duke filluar nga administrata komunale ku janë të instaluar militantë partiakë dhe familjarë të tyre, por në të njëjtën kohë duke përdorur dhunën psikologjike ndaj tyre në kohë të zgjedhjeve, kapjen e arsimit, duke shantazhuar dhe kërcënuar me punëtorët arsimorë kapjen e shëndetësisë, duke kërcënuar dhe shantazhuar me punëtorët shëndetësorë dhe duke kapur ndërmarrjet publike lokale, por edhe duke përdorur operatorët ekonomikë, të cilët kanë fituar tenderë në institucionet komunale sikur në bahçe të babës. Mbi të gjitha duhet pasur parasysh mbylljen e transparencës së subjekteve politike, pikërisht në financat publike të tyre”, është shprehur analisti Ahmeti.

Analisti Arsim Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se jorastësisht Kosova në rrafsh ndërkombëtar kualifikohet fuqishëm shtet jofunksional dhe i pakonkurrentë në përfshirjen e dukurive negative. Ai thotë se Kosova për shkak të politikës së degraduar ballafaqohet me gjërat më elementare, ballafaqohet me epidemi të madhe të skenës politike. Kështu siç qeveriset vendi rrezikohet edhe qytetaria te epidemizohet, ngase në mungesë të ekonomisë detyrohen t’u imponohen rregullave të ndryshme antiligjore.

(Kosova Sot)