Fundamenti

Shtrenjtohen veturat e përdorura?!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Në Kosovë është rritur çmimi dhe ka rënë interesimi për blerjen e veturave të vjetra, të importuara nga shtete të ndryshme, thonë operatorët që merren me shitblerjen e automjeteve.

Sipas tyre, me rastin e zhdoganimit të veturave, pavarësisht origjinës së saj, Dogana e Kosovës, përdor katalogun vlerësues vetëm atë gjerman. Përdorimin e vetëm një katalogu, pronarë të auto-salloneve në Kosovë e konsiderojnë të padrejtë dhe të dëmshëm për biznesin e tyre.

Auto-salloni “Prishtina” është importues i veturave të vjetra nga Italia.

Fevzi Caka, pronar i këtij auto-salloni, thotë se përdorimi i katalogut gjerman është i padrejtë, sepse shteti i origjinës së mallit është Italia, kurse tashmë për shkak të vlerësimit dhe pagesës më të lartë, pranimin e mallit e bëjnë vetëm me katalog të Gjermanisë.

Ai thotë se ka rënë interesimi i blerësve për vetura të prodhuara në Itali. Dhe, deri në një zgjidhje eventuale, auto-salloni “Prishtina” ka ndërprerë importin e tyre.

Zhdoganimi me katalog gjerman ka ndikuar në rritjen e çmimit deri në 2,000 euro për automjetet mbi 10 mijë euro, bën të ditur Caka.

“Është ngritur çmimi edhe në pranimin e bazës apo vlerësimit, nëse një makinë më herët është pranuar 10 mijë euro, tashmë pranohet 13 deri 15 që ndryshimi i pagesës minimum bëhet nga një mijë deri në dy mijë euro”, thotë Caka.

Në anën tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se një prej qëllimeve kryesore të Doganës është krijimi i tregut dhe mundësive të barabarta që të mundësohet konkurrencë reale në mes të kompanive.

“Duke e marrë parasysh këtë Dogana përdor vetëm një katalog të vlerësimit, e që është katalogu gjerman, por gjithmonë duhet të merret parasysh se në momentet kur prezantohen vlerat reale dhe të cilat mund të dëshmohen nga dokumentacioni origjinal siç është dokumenti eksportues prej një vendi të caktuar, transaksioni bankar, kontrata dhe kopja e faturës origjinale, atëherë ne pranojmë vlerën që e prezanton pala, por në momentin që mungojnë këto dokumentacione, atëherë përdoret katalogu si mjet i vlerësimit”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë Stavileci.

Uji Dea

Pavarësisht, problemit me vlerësimin e veturave të Italisë, vetura të ndryshme si nga origjina, marka, po ashtu edhe nga çmimi, mund të shohësh në mbarë Kosovën.

Numri i veturave të regjistruara në gjithë Kosovën është mbi 226 mijë, kurse vetëm vitin e kaluar, për herë të parë janë regjistruar 23.362 automjete.

Të gjitha këto vetura importohen nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.

Sipas një udhëzimi administrativ të Qeverisë së Kosovës, importi i veturave më vjetra se 13 vjet është i ndaluar.

E, kosovarët, siç duket, janë më të interesuar për vetura të përdorura, se sa për ato me kilometrazh zero. Kjo jo nga dëshira, por për shkak të pamundësive materiale.

Prej muajit janar deri në prill të vitit të kaluar, sipas shënimeve të Doganave të Kosovës, janë importuar gjithsej 5,233 vetura, nga to 338 vetura kanë qenë të reja, kurse 4,895 vetura jo më të vjetra se 13 vjet.

Vlera e përgjithshme e këtyre veturave ishte 28 milionë euro, kurse taksat e paguara për këtë periudhë ishin 11.6 milionë euro.

Ndërsa, gjatë periudhës së njëjtë të këtij viti janë importuar 4, 339 vetura – me kilometrazh zero 256, kurse të përdoruara 4,083, vlera e përgjithshme e importit ishte 24.7 milionë euro dhe taksa për to janë paguar 10. 4 milionë euro.

Importi i veturave kryesisht zhvillohet nga Gjermania, Italia, Franca dhe Japonia./REL/