Shtohet efikasiteti në Administratën Komunale të Kamenicës

Gjilan – Në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Administratën e Përgjithshme janë lëshuar rreth 20 mijë dokumente të ndryshme në bazë të kërkesave të qytetarëve. Synimet e drejtorisë mbesin shërbimet më të mira dhe më të shpejta për qytetarët, trajnimi dhe avancimi i stafit të drejtorisë, ulja edhe më shumë e shpenzimeve të panevojshme thotë Valon Maliqi.
Administrata e Përgjithshme në Komunën e Kamenicës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka pasur një aktivitet të shtuar të punës. Drejtori Valon Maliqi është përballur në fillim të mandatit me avarinë që e shkaktoi rryma elektrike e cila dogji tërësisht inventarin në Qendrën për Shërbime të Qytetarëve.
Por në një afat mjaft të shkurtër kohor dhe duke përfillur të gjitha procedurat ligjore, zyret e QSHQ-së janë riparuar tërësisht dhe qendra është kthyer sërish në funksion të plotë thotë Maliqi raporton rajonipress.
“Sektorët e kësaj drejtorie janë riorganizuar dhe janë bërë më funksional, ndërsa punët kanë vazhduar me efikasitet edhe në zyrat në Muqiverc e Hogosh. Drejtoria e Administratës ka arritur që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak të ulë shpenzimet për mallra e shërbime deri në rreth 50%, ndërsa ka shtuar efikasitetin. Në këtë drejtori shërbimet kryhen për pak minuta, ndërsa palët inkurajohen që të paraqesin vërejtjet e veta në çdo kohë nëse kanë” thotë Valon Maliqi për rajonipress.
Maliqi tha se me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira dhe efikase, Drejtoria ka zgjatur orarin e punës gjatë sezonës verore, dhe aktualisht qytetarët mund të kryejnë shërbimet e tyre në komunë nga ora 08 deri në 19.00 pa pauzë.
“Në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Administratën e Përgjithshme janë lëshuar rreth 20 mijë dokumente të ndryshme në bazë të kërkesave të qytetarëve. Synimet e drejtorisë mbesin shërbimet më të mira dhe më të shpejta për qytetarët, trajnimi dhe avancimi i stafit të drejtorisë, ulja edhe më shumë e shpenzimeve të panevojshme” tha në fund Maliqi./rajonipress/