KKVITI

Shtohet edhe një portal informativ, në Luginë të Preshevës

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Sevdail Hyseni – Java e parë e janarit, të Vitit të Ri 2017, në tregun medial të Luginës së Preshevës, solli një portal të licencuar informativ me titullin simbolik jetapress. Kjo dritare informative me siç thuhet në rubrikën Rreth nesh, të portalit jetapress, lindi ekskluzivisht, nga një grup gazetarësh profesionistë të Luginës së Preshevës, për të informuar shpejt, drejtë, saktë dhe objektivisht.

Stafi drejtues i Portalit jetapress.com, është me përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë së shkruar dhe elektronike, i cili për lexuesit sjell rubrika të larmishme nga fusha politike, ekonomike, kulturore, fetare, sportive, duke përfshirë: intervistat, bisedat, analizat, komentet, debatet dhe opinionet e lexuesve, si dhe fushën e marketingut.

Pra, erdhi në jetën informative jetapress, për ta ngjallur sadopak terrin informativ, i cili prej vitesh e ka pllakosur Luginën e Preshevës.

Mediet në Luginë të Preshevës, janë të ngulfatur së pari nga gjendja financiare, së dyti nga politika ditore dhe së treti nga qasja e shtetit ndaj informimit të pakicave në gjuhën amtare.

Aktualisht, në Luginë të Preshevës, në këtë rajon të stërmbushur me probleme të shumta të natyrës politike, ekonomike, kulturore, arsimore etj, rëndon edhe problemi i informimit, njërës nga fushat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

Gazetaria e shkruar gati se nuk funksionon. Revistat e dikurshme si “Jehona”, “Perspektiva” e “Nacionali”, kanë pushuar ose dalin kur t’iu teket, në karakterin periodik, ngase u mungojnë fondet për ta zhvilluar veprimtarinë informative në mënyrë të pa penguar.

FIDANISHTJA

Ngjashëm ndodh edhe me mediet elektronike. Nga katër televizione e tre radio në shqip, gati se kanë ngelur vetëm dy, për shkak financave e privatizimit, të cilat informimit shqip në Serbi, u kanë kushtuar goxha shtrenjtë.

Me ligjin e ri të informimit në Serbi, nuk ka më mediume, që kanë për themelues qeveritë lokale, apo shtetërore dhe më këto reforma është rrezikuar seriozisht substanca e informimit shqip në Luginë të Preshevës.

Lugina e Preshevës, nuk e ka ekonominë dhe bizneset lokale aq të zhvilluara në atë nivel sa ta mbuloj me reklama ndonjë nga portalet informative e lëre më një televizion, radio, gazetë a revistë javore.

Pak më mirë për të mos thënë edhe më keq janë portalet informative, të cilat po mundohen me hallin e tyre financiar, ta mbulojnë boshllëkun informimit me të cilin po përballet Lugina e Preshevës, prej vitesh.

Jetapress, është rreshtuar për krah dritareve informative në Luginë të Preshevës, për të bërë dritë, si një kandil në tunelin e errët informativ, në mënyrë që ta informoj qytetarin shqiptar në Serbi, i cili është i privuar nga e drejta financiare për ta zhvilluar lirshëm misionin e gazetarisë, lirisë së shtypit, njërës nga të drejtat themelore të qytetarisë botërore./rajonipress/