Shtohet cilësia e prodhimeve vendore të qumështit

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e SHBA-së, USAID, në partneritet me Agjencinë e Veterinës të Kosovës ka mbështet implementimin e projektit për analizimin e mostrave të qumështit.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka vlerësuar se ky projekt përshpejton rezultatet e cilësisë së qumështit për fermerët duke bërë sektorin e qumështit në Kosovë më konkurrues.
“Ato që i thanë edhe dy ambasadorët e nderuar, edhe Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, janë pra në përputhje të plotë me ato që ne po mundohemi vazhdimisht t’i promovojmë, si politika bujqësore të cilat përveç që avancojnë sektorin e bujqësisë japin efektin e tyre pozitiv, mbi të gjitha në dy gjëra të cilat janë preokupim i të gjithë neve, pra njëra që lidhet me rritjen e punësimit, në krijimin e vendeve të reja të punës, dhe tjetra që lidhet me zëvendësimit e prodhimeve të importit me prodhime tona, që automatikisht do të thotë edhe rritje e të ardhurave për fermerët dhe agrobizneset, dhe përmirësim i standardit të jetesës së tyre”, është shprehur ministri Stavileci, raporton KP.
Projektin e ka mbështetur edhe ambasadorja e SHBA-ve, në Kosovë, Tracey Jacobson duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm si pjesë e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ajo ka përmendur edhe mundësinë e teknologjisë për shërbimin e sistemit me SMS, me të cilin fermerët marrin rezultate të testit, dy herë në muaj.
Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Baarthu, projektin “Analizat e mostrave të qumështit”, e ka vlerësuar si një e mirë për agrikulturën në Kosovë.
Aktualisht, më shumë se 1700 fermerë, janë duke shfrytëzuar sistemin e mesazheve, i cili u mundëson marrjen e rezultateve nga laboratori kombëtar, brenda 24 orëve nga dorëzimi i mostrave të qumështit.
Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, ka thënë se me këtë projekt kanë arritur të zhvillojnë një program të qëndrueshëm duke respektuar parimin e kujdesit, mbrojtjes, transparencës, për fermerët, prodhuesit dhe përpunuesit e industrisë së qumështit.
“Tani jemi në fazën përfundimtare të plotësim-ndryshimit të Ligjit të Ushqimit, i cili në tërësi bazohet në aquis communitaire, i cili do të përmbajë të gjitha parimet ndërkombëtare që ndërlidhen me ushqimin dhe do të jetë bazë e fuqishme ligjore për të mundësuar hartimin e legjislacionit sekondar, i cili ishte i nevojshëm”, ka thënë Gjinovci.
Ai ka vlerësuar se me hyrjen në fuqi të Pakos Higjienike, kanë vërejtur lehtësira dhe efikasitet, dhe se, po ashtu, janë duke e trajtuar grumbullimin dhe përpunimin e nënprodukteve shtazore dhe se këtë vit do të fillojë faza e parë për ndërtimin e fabrikës së riciklimit të nënprodukteve shtazore. /Telegrafi/