ARKATANA

Shtohen dilemat për shëndetin e Chavez

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Zyrtarë të lartë të Venezuelës i mohuan të enjten zërat që kanë filluar të qarkullojnë së fundmi në internet, sipas të cilëve presidenti i këtij vendi, Hugo Chavez, ka vdekur pas operacionit që iu nënshtrua në Kubë.

“Pas operacionit, gjendja shëndetësore e Chavez është e qëndrueshme, megjithëse shërimi i plotë i tij mbetet ende i vështirë”, thuhet në një kumtesë të Qeverisë së Venezuelës, të publikuar të enjten, si përgjigje ndaj thashethemeve të shumta që e pohojnë të kundërtën.

Nga ana tjetër zërat për vdekjen presidentit venezuelas i ka përgënjeshtruar edhe kreu i parlamentit të vendit, Diosdado Cabello.

Pak para nisjes për në Kubë, 58-vjeçari Chavez pranoi publikisht se sëmundja e tij tashmë ishte bërë “serioze”, dhe se gjasat për t’i mbijetuar nuk ishin aq të sigurta.

Njeriu që e drejton Venezuelën që nga viti 1998 është operuar në fillim të kësaj jave në Havana, pasi që një tumor, i cili fillimisht u tha se ishte shëruar, gjatë kësaj vere u rishfaq në trupin e presidentit. Ky është operacioni i katërt të cilit iu nënshtrua presidenti i Venezuelës, ndërkohë që gjendja e tij e vërtetë shëndetësore është mbajtur gjithmonë sekret nga mediat.

Sido që të jetë, janë edhe disa deklarata të presidentit të Ekuadorit, Rafael Correa – i cili gjatë gjithë këtyre muajve të vështirë i qëndroi pranë presidentit Chavez – që vetëm sa i rrisin spekulimet lidhur me gjendjen e presidentit venezuelas. Kështu, derisa po fliste në Quito për situatën e fundit, dhe pasi që shfaqi shpresën e tij për një shërim të shpejtë të mikut të tij Chavez, Correa theksoi edhe atë se “proceset revolucionare” në gjithë Amerikën Latine do të vazhdojnë, dhe se ato nuk varen vetëm nga emrat e përveçëm të personave, duke paralajmëruar kështu vazhdimin e një politike të njëjtë në Venezuelë edhe në rastin më të keq – atë të vdekjes së Chavez.

Kush është pasardhësi eventual i Chavez, Maduro?

As prognozat që opinionit publik venezuelas ia transmetoi zëvendëspresidenti i vendit, Nicolas Maduro, nuk ishin shumë shpresëdhënëse, meqë gjatë një adresimi publik ai bëri të ditur se “Chavez po përballet me një proces kompleks dhe të vështirë”, pas operacionit që pati në Havana.

ARKATANA

Por, ajo që qartazi ra në sy gjatë gjithë kësaj periudhe disaditëshe të paqartësisë është njëlloj fronti i bashkuar i politikanëve majtistë jug-amerikanë, i cili fliste njëzëri për shëndetin e presidenti Chaavez, por edhe për të ardhmen e Venezuelës. Nga ana tjetër, të gjithë liderët kryesorë të partisë së Chavez, por edhe zyrtarët më të lartë ushtarak, u shfaqën bashkërisht në televizionin kombëtar, përderisa Maduro i raportonte të dhënat e fundit që flisnin për gjendjen e Chavez.

“Ne jemi më të bashkuar se kurrë më parë”, theksoi Maduro, prania e të cilit në televizion shoqërohej edhe nga kryetari i Parlamentit, Diosdado Cabello, dhe nga ministri i Naftës, Rafael Ramirez – që të tretë njerëzit më të besueshëm të presidentit Chavez.

“Jemi të bashkuar në besnikërinë tonë për Chavez”, vazhdoi ai.

Përkundër këtij pohimi të tij, analistët thonë se, Maduro në fund do të mund të përballet me sfida derisa do të mundohet të ruajë unitetin e Lëvizjes Chavismo, të presidentit Chavez, pjesë e cilës janë edhe grupet radikale majtiste dhe ato të moderuara, si dhe fraksionet e ndryshme ushtarake.

I përzgjedhur nga Chavez – javën e kaluar – si trashëgimtar i tij politik, Maduro konsiderohet si anëtar i krahut të majtë radikal të lëvizjes së presidentit venezuelas, i cili është shumë i afërt me qeverinë komuniste të Kubës.

Edhe Cabello, një ish-zyrtar ky i lartë ushtarak, i cili po ashtu konsiderohet njeri i fuqishëm brenda lëvizjes së Chavez, shprehu të njëjtat mendime si Maduro, derisa po fliste në një meshë të organizuar për shëndetin e presidentit Chavez, në një bazë ushtarake venezuelase.

Cabello kishte qëndruar bashkë me presidentin në Kubë, derisa ky i fundit po i nënshtrohej operacionit për heqjen e tumorit. Gjatë fjalimit të tij në meshë Cabello e cilësoi presidentin si “të pathyeshëm”, megjithëse e tha edhe atë se, “njeriu që ndodhej në Havana… tani po e lufton betejën pë jetën e tij”.