UBT

Shteti zhvat qytetarët e bizneset

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Asnjë aplikim nuk mund të bëhet pa paguar për dokumente të panevojshme

“Ky fenomen i gjobitjes së qytetarit dhe biznesit, duke kërkuar vërtetime e pagesa vend e pa vend, po bëhet me të vetmin qëllim që të mbushin kontot e organeve të drejtësisë, të cilat janë të kapura nga politika e parapolitika”, thotë Hakif Hamiti për gazetën “Kosova Sot”

Që nga pas lufta e deri më sot, me theks të veçantë këtyre viteve të fundit, drejtësia kosovare me të madhe po i zhvat qytetarët dhe bizneset vendore, që për çdo aplikim, konkurs, projekt, vizë, etj., janë duke i detyruara që të nxjerrin vërtetime nëpër gjykatat tona dhe të cilat po u kushtojnë qytetarëve tanë të nëpërkëmbur. Së këndejmi, nga njohësit e kësaj fushe, por edhe nga qytetarët tanë kërkohet që të krijohet një databazë ku dihet se kush është nën hetime e kush jo dhe mos të ketë nevojë për certifikata të kota, sa për të mbushur llogaritë e gjykatave. Analisti politik Arsim Haziri, për gazetën” Kosova Sot”, thotë se njëra ndër arsyet thelbësore pse ky shtet maltreton ligjërisht qytetarët apo bizneset është përfitimi material. “Ky shtet sikur të kishte krijuar kushte relevante dhe prosperuese ndryshe do të kishte qenë situata e përgjithshme, ndryshe do të ishte perceptimi qytetar”, vlerësoi ai. “Sistemi i dinjitetshëm në shoqërinë tonë nuk është edhe nivel, pasi vetë politika aq rregulla absurde ka krijuar, sa në çdo rast po e rëndon xhepin qytetar”, ka thënë Haziri.

Hajni me letra
Sipas analistit Arsim Haziri, hajninë, të cilët po e realizojnë udhëheqësit institucionalë, po e mbulojnë e bartin qytetarët e gjorë, të cilët, përkundër kushteve ekstreme, po dënohen edhe më shumë në aspektin ligjor. “Sikur të ishte shtet ligjor Kosova, ndryshe do të ishte edhe fuqia ekonomike, intelektuale apo edhe politike, pikërisht qasja e kundërt sot si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm po çalojmë”, vlerësoi ai. Ndërsa avokati Skënder Musa, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se në radhë të parë nxjerrja e formularit të aplikimit për ta marrë një certifikatë që nuk je nën hetime është një gabim, ngase nuk ka një unifikim të gjykatave sa u përket gjykatave të Kosovës. “Kjo, ngase askund nuk shkruan se ndaj një personi të caktuar nuk është zhvilluar ndonjë procedurë”, u shpreh ai .”Ndaj, një personi të Kosovës, që është dënuar, nuk shkruan se ai person nuk është nën hetime, ndërsa gjykatat e tjera vazhdimisht shkruajnë se ai person është nën hetime dhe se i njëjti është dënuar. Andaj, kjo po i pengon qytetarët tanë dhe është një shkelje e të drejtave të njeriut, ngase nëse qytetari e ka kryer dënimin llogaritet se e ka kryer rehabilitimin ligjor të vuajtjes së dënimit”, ka shpjeguar Musa. “Në një pjesë të madhe të vendeve të BE-së nëpër konkurse nuk kërkohet fare certifikata që personi nuk është nën hetime, ngase asnjë person nuk lajmërohet për gjendjen e hetimeve. Por, këtë gabim po e bëjnë edhe institucionet tona me rastin e shpalljes së konkurseve, ku kërkohet edhe vërtetimi se a është një person nën hetime”, ka potencuar ai.

KKVITI

KLIENTELIZMI GODET POPULLIN
“Fatkeqësisht, klientelizmi dhe artikulimi i politikave ndëshkuese për qytetarët e gjorë janë mjetet të cilat vendin po e neglizhojnë dhe çdo ditë po e bëjnë të pamundshëm rreth ndryshimeve në funksion të zhvillimit kolektiv, andaj më shumë se kurrë janë arsyet pse ky vend duhet të pësojë ndryshime drastike në mënyrën e të qeverisurit, në mënyrën e menaxhimit të shtetit tonë”, u shpreh Arsim Haziri për “Kosova Sot”.

SHKELJA FLAGRANTE
“Me këtë rast qytetarit i privohet e drejta e barazisë për punë, për donacione dhe për viza dhe padyshim se edhe kjo është një shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, ngase qytetari ynë po privohet nga një e drejtë e konkurrimit në një vend pune, ndaj edhe shumica e vendeve të BE-së nuk i kërkojnë këto dokumente”, tha Skënder Musa për “Kosova Sot”.

Qytetarët, të irrituar
Veç analistëve dhe avokatëve, edhe të anketuarit po alarmojnë se si po i zhvat drejtësia qytetarët dhe bizneset, që për çdo aplikim, konkurs, projekt, vizë, etj., po u duhet që të nxjerrin vërtetime në gjykata dhe të cilat po u kushtojnë qytetarëve tanë të nëpërkëmbur. Qytetarët me të drejtë po kërkojnë që të krijohet një databazë, ku saktësisht do të dihet se kush është nën hetime e kush jo, e mos të ketë nevojë për certifikata të kota, sa për të mbushur llogaritë e gjykatave. Kësisoj, qytetari, nga Prishtina, Sejdi Halimi, ekspert ekonomie, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se shikuar nga këndi ekonomik, këto veprime të organeve të drejtësisë janë një padrejtësi e madhe ndaj tyre që po u bëhet si për nxjerrjen e vërtetimeve, vizave apo të dokumenteve të tjera, që qytetarët dhe bizneset po janë të detyruar që të paguajnë. “Jam i mendimit se në këtë drejtim ishte dashur që të krijohet një databazë, në mënyrë që të dihet saktësisht se kush nga qytetarët apo bizneset është nën hetime dhe mos të duplifikohen të dhënat, në mënyrë që mos të detyrohen qytetarët e bizneset tona që të paguajnë pa asnjë arsye. Sepse, për çdo regjistrim makine apo ndonjë dokumenti tjetër qytetarët e bizneset po janë të detyruar që të paguajnë. Andaj, kjo është një padrejtësi e madhe dhe një burokraci e tepruar që pushtetarëve të pasluftës po u shërben që të mbushin kontot e gjykatave që i kanë në tutelë. Andaj, kjo përbën një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, ngase qytetarët e bizneset nuk e meritojnë një zhvatje të tillë dhe këtë dukuri të zhvatjes së tyre duhet ndërprerë menjëherë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë”, vlerësoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Hakif Hamiti,për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se veprimet e Ministrisë së Drejtësisë, që po i zhvatin qytetarët tanë, janë treguesi më i mirë se sa të pacipë janë pushtetarët tanë të pasluftës. Sipas Hamitit, askund në botën perëndimore nuk ka pagesa të tilla për qytetarët dhe bizneset që te ne në Kosovën e pasluftës po detyrohen që të paguajnë pa asnjë arsye. Ai shtoi se një pjesë të fajit e kanë edhe qytetarët dhe bizneset tona që nuk po protestojnë ose që këto lloje të vërtetimeve dhe pagesave t’i dërgojnë për shqyrtim të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së tyre në Gjykatën Kushtetuese.

(Kosova Sot)