Shteti t’i mbyllë bastoret dhe kazinotë, pastrojnë miliona dhe zhvatin qytetarët
Analistë të ekonomisë dhe deputetë të opozitës vlerësojnë se në shumë nga kompanitë e lojërave të fatit dhe kazinotë në Kosovë po bëhet pastrim parash, ndërsa dyshohet se ka politikanë të fortë që qëndrojnë pas tyre dhe që marrin një pjesë të fitimeve.
Analistët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës thonë se Qeveria kosovare duhet të marrë shembull nga Qeveria shqiptare, që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm do t’i mbyllë lojërat e fatit dhe kazinotë. Për specialistët e kësaj fushe mbetet një mister se sa qarkullim vjetor kanë lojërat e fatit dhe përse qëllimshëm po fshihen të dhënat për këtë sfere ekonomike. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të Qeverisë, Ministrisë së Financave dhe të ATK-së për të mësuar për hapat e tyre rreth kazinove dhe lojërave të fatit, zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.
Ndërsa deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, tha se edhe Kosova duhet të ndalojë veprimtarinë e kazinove, sepse duhet thënë troç se ato nuk i sjellin asgjë të mirë vendit dhe rinisë sonë, andaj duhet vepruar sikurse që veproi kohë më parë Qeveria e Shqipërisë. “Nëpër kazinotë dhe bastoret e shumta po bëhen pastrime të parave të pista”, theksoi ai.
Skema e pastrimit kriminal Specialisti i fushë së financave i shkolluar në Angli Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se në Kosovë e në Ballkan është shkallë e lartë e pastrimit të parave si në ndërtimtari, edhe te lojërat e fatit. “Kjo bëhet në atë mënyrë që paratë e pista vijnë me thasë në afërsi të kazinove dhe ato para më pas u shpërndahet individëve të caktuar që të futen nëpër kazino dhe pasi paraprakisht futen nëpër aparatet e kazinove edhe lojërave të fatit si para të pista, ato pas këtyre lojërave bëhet pastrimi i tyre duke u bërë para të pastra”, shpjegon ai. “E tëra kjo bëhet në atë mënyrë, pasi më pas pronarët e këtyre kazinove i paguajnë tatimet ndaj shtetit në kuotën 10-15 për qind të shumës dhe më pas këto para shpërndahen sipas skemës së fituesve”, vijoi më tej Meha. Sipas tij, edhe lojërat e fatit në Kosovë dhe në Shqipëri janë vetëm një hallkë e sistemit shumë kriminal që është në këto dy vende. “Prandaj, nëse sistemi nuk funksionon si duhet korrupsioni përfshin çdo hallkë të shtetit dhe kjo mjafton që hallkat e pastrimit të parave kalojnë në para të patra”, ka thënë Meha.
Ai dyshon që do të bëhet ndalja e veprimtarive të kazinove edhe në Kosovë, pasi këtu korrupsioni është deri në majat më të larta të shtetit. Të papunë dhe në borxhe Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se lojërat e fatit zakonisht gjejnë hapësirë në vendet me demokraci të brishtë dhe vende në tranzicion, siç është rasti i Republikës së Kosovës. “Vetëm në lagjen time në Prishtinë janë 12 biznese me lojëra të fatit dhe nuk ka mbi 1000 metra katrorë, pra ky biznes po lulëzon në Kosovë dhe ka mundësi që tëketë edhe pastrim parash në këto biznese”, u shpreh ai. “Siç dihet, në Republikën e Kosovës operojnë 10 banka komerciale, prej tyre 8 kanë kapital të huaj dhe dy banka kanë kapital vendor, këto banka kanë gjithsej 1.2 milion klientë dhe 382 mijë qytetarë janë borxhlinj ndaj bankave komerciale, duke mos harruar se borxhi total është 2.2 miliardë, prej tyre 1.7 miliard euro nga ndërmarrjet dhe 958 milionë euro borxhe nga ekonomitë familjare”, thotë Beqiri. “Shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35,3 për qind, ose 176.743 persona, për vitin 2015 ishte 32,9 për qind, ose 145.776 persona, ndërsa për vitin 2016 ishte 27,5 për qind, ose 126.070 persona, edhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30,5 për qind, ose 156.583 persona.
Karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30.513 persona, pra Qeveria në vend që t’i rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, sipas trendëve edhe në vitin 2018 do të ketë rritje të papunësisë”, shpjegon më tutje analisti Beqiri. Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të mbyllë këto biznese, sepse nuk respektojnë ligjet në fuqi. Shteti të verifikojë kompanitë Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se Qeveria e Kosovës duhet që të bëjnë një kontroll më të rreptë se cilat nga kompanitë e lojërave të fatit janë legale dhe cilat ilegale. “Vetëm në këtë formë mund ta identifikojmë se kush qëndron prapa këtyre kompanive të lojërave te fatit”, u shpreh ai. Sipas Grapcit, dyshimet se edhe disa nga politikanët tanë më të lartë janë të përfshirë në këtë biznes qëndrojnë dhe janë të sakta, sepse ata e marrin pjesën e vet të fitimit nga paratë e pista që i legalizojnë përmes këtyre kazinove. “Jam në dijeni se ka pasur raste kur në fshatrat e rajonit të Pejës e Deçanit, sa për sy e faqe janë hapur bastoret dhe aty nuk ka pasur se kush të luajë bixhoz. Por, më pas paratë e pista të pushtetarëve tanë janë dërguar dy herë në javë në ato lokalitete dhe personat e angazhuar nga bastoret i kanë bërë pagesat në emër të qytetarëve. Dhe, si kundërshpërblim të kësaj pune, për pastrimin e këtyre parave të pista, personat e angazhuar i kanë marrë nga dy rroga, njërën për qiranë e lokalit, e tjetrën rrogë mujore si punëtorë të këtyre bastoreve dhe e veçanta është se ky pastrim i parave ka zgjatur dy vjet”, tregon Grapci. Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se nuk ka asnjë dyshim se sikurse në tërë vendet e Ballkanit, edhe në Kosovë lojërat e fatit dhe kazinotë po bëjnë pastrim të parave të pista. “E përkrah idenë dhe vlerësoj se edhe Qeveria e Kosovës duhet që ta marrë shembullin nga Qeveria shqiptare që kanë vendosur që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm t’i mbyllin kazinotë. Kjo, ngase qarkullimi në kazinotë dhe shumë nga lojërat e fatit qëllimshëm po fshihen të dhënat për këtë sferë ekonomike se cili është qarkullimi i tyre dhe kësisoj po bëjnë evazion fiskal milionësh”, vlerëson ai. Sipas tij, nga kjo dukuri negative po e pësojnë edhe shumë familje kosovare.
“Një gjë është e kuptueshme se në çdo shtet, por edhe këtu në Kosovë , gjithmonë ka pasur edhe do të ketë pastrim parash jo vetëm tek lojërat e fatit, por edhe në shërbimet e tjera ilegale, siç janë klubet e natës, shishë baret etj.”, tha Dardan Grapci për “Kosova Sot”.
SHKAPËRDERDHJA E FAMILJEVE “Jam në dijeni për obsesionin e qytetarëve tanë ndaj lojërave të fatit për disa raste vetëm në rajonin e Pejës dhe Dukagjinit ku ka pasur raste kur njerëzit kanë humbur madje edhe shtëpitë dhe banesat e tyre duke qenë të infektuar nga virusi i lojërave të fatit dhe kazinove. Andaj, si epilog i këtyre lojërave të fatit ka ardhur deri tek shkapërderdhja e shumë familjeve në Kosovë, prandaj duhet mbyllur sa më parë kazinotë “, tha Xhevdet Neziraj për “Kosova Sot”.
QYTETARËT PO HUMBIN “Kazinotë dhe bastet nuk i sjellin asgjë të mira qytetarëve tanë, të cilët nga shpresa që do të fitojnë po i humbin edhe paratë e tyre të fundit, andaj kjo edhe e shtron nevojën imediate që kazinotë dhe lojërat e tjera të fatit duhet që të mbyllen edhe në Kosovë si në Shqipëri”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.
LOJËRAT MASHTRUESE “Lojërat e fatit janë edhe dukuri negative, të cilat po e dëmtojnë buxhetin e qytetarëve kosovarë duke mashtruar në lojërat e tyre, pra një i ri kosovar mund të bjerë pre e këtyre mashtrimeve. Mendoj se këto biznese kanë edhe një skuadër politikanësh që kanë aksione dhe me krejt forcën i mbrojnë bizneset e tilla, thjesht mendoj se duhet të mbyllen si në rastin e Shqipërisë”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.
“Jam në dijeni se ka pasur raste kur në fshatrat e rajonit të Pejës e Deçanit, sa për sy e faqe janë hapur bastoret dhe aty nuk ka pasur se kush të luajë bixhoz. Por, më pas paratë e pista të pushtetarëve tanë janë dërguar dy herë në javë në ato lokalitete dhe personat e angazhuar nga bastoret i kanë bërë pagesat në emër të qytetarëve. Dhe, si kundërshpërblim të kësaj pune, për pastrimin e këtyre parave të pista, personat e angazhuar i kanë marrë nga dy rroga, njërën për qiranë e lokalit, tjetrën rrogë mujore si punëtorë të këtyre bastoreve dhe e veçanta është se ky pastrim i parave ka zgjatur dy vjet”, thotë Dardan Grapci për “Kosova Sot”
(Kosova Sot)


