Shteti të ndalë zhvatjen milionëshe të IMF-ve
Konkurrenca sa për sy e faqe, kamatat janë si fajdetë
“Ka ardhur koha që shteti më në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar këto OJQ mikrofinanciare që edhe më tej të fitojnë qindra e qindra miliona duke i zhvatur qytetarët tanë përmes kredive me superkamata tejet të larta, që kanë dëmtuar me të madhe qytetarët dhe bizneset. Andaj, po e përsëris se është koha fundit që të ndërhyjnë MF-ja dhe BQK-ja dhe të ndalojnë veprimtarinë e këtyre OJQ-ve, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të marrin fund zhvatjet e tilla të këtyre OJQ-ve, dhe shteti të tregojë aftësinë për të parandaluar gjëra të këtilla të zhvatjes së qytetarëve dhe të bizneseve”, thotë deputeti i Nismës, Enver Hoti
Deputet të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqatave të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë, vlerësojnë se OJQ-të mikrofinanciare po e keqpërdorin statusin e tyre për të përfituar me të madhe në dëm të klientëve, në vend se të ofrojnë shërbime në favor të klientëve dhe pa përfituar, siç duhet të jenë OJQ-të. Njohësit e rrethanave ekonomike në vendin tonë me të drejtë pyesin se përse shteti ka lejuar këto OJQ mikrofinanciare të fitojnë qindra miliona në dëm të qytetarëve, duke lëshuar kredi me kamata tejet të larta që kanë dëmtuar me të madhe konsumatorët.
Ekspertët janë në pritje se a do të marrin fund ndonjëherë zhvatjet e tilla të këtyre OJQ-ve dhe shteti të tregojë aftësinë për të parandaluar gjëra të këtilla. Zyrtarët e Ministrisë së Financave, përmes zëdhënësit Muharrem Shahini i kanë deklaruar gojarisht gazetarit të gazetës “Kosova Sot”, se kjo çështje është në domenin e BQK-së e jo të kësaj Ministrie. Ndërsa, në përgjigjen e dërguar me shkrim nga zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti për gazetën “Kosova Sot’, thuhet se këto institucione nuk përfitojnë kundërligjshëm nga aktiviteti i tyre. “Ato licencohen në BQK për aktivitetin e kredidhënies, kështu që çdo kredidhënie e ka konceptin e interesit. Nga 11 institucione që janë të licencuara si institucione mikrofinanciare, 8 prej tyre janë Organizata Joqeveritare”, ka thënë ai.
Momenti i fundit për të vepruar
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma ), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se bazuar në ligjet që janë në fuqi, institucionet mikrofinanciare të OJQ-ve janë institucione financiare të regjistruara në Ministrinë e Administratës Publike për qëllimet e lirimit nga taksat si dhe në BQK si organizatë joqeveritare që për mision të saj ka qëllimin bamirës.
“E keqja është se që nga themelimi i tyre, institucionet mikrofinanciare në Kosovë në vazhdimësi ishin kritikuar për norma të larta të interesit. Të dhënat e BQK-së tregojnë se norma e interesit për kredi në institucionet mikrofinanciare, që operojnë në Kosovë, është 21.7 për qind. Nga 11 institucione që janë të licencuara nga BQK-ja, si institucione mikrofinanciare, 8 prej tyre janë Organizata Joqeveritare. Derisa vlera e aseteve është 174 milionë euro, prej tyre 130 janë vetëm të IMF – OJQ “, u shpreh ai. “Problemi më i madh në këtë fushë qëndron te shkalla e koncentrimit të kapitalit të këtyre OJQ-ve, pasi që janë tri institucione më të fuqishme mikrofinanciare kanë rreth 50 për qind të vlerës së tërë kapitalit të këtyre institucioneve dhe nga kjo vlerë aseteve vetëm diku afro 100 milionë euro kanë të dhëna kredi, çka do të thotë se rreth 40 për qind e mjeteve nuk janë plasuar tek ekonomitë familjare apo ndërmarrjet”, vijoi më tej Hoti.
“Ka ardhur koha që shteti më në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar këto OJQ mikrofinanciare që edhe më tej të fitojnë qindra me qindra miliona duke i zhvatur qytetarët tanë përmes kredive me superkamata tejet të larta, që kanë dëmtuar me të madhe qytetarët dhe bizneset. Andaj, po e përsëris se është koha fundit që të ndërhyjnë MF-ja dhe BQK-ja dhe të ndalojnë veprimtarinë e këtyre OJQ-ve, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të marrin fund zhvatjet e tilla të këtyre OJQ-ve, dhe shteti të tregojë aftësinë për të parandaluar gjëra të këtilla të zhvatjes së qytetarëve dhe bizneseve”, ka vlerësuar deputeti i Nismës.
Një pakicë e IMF-ve keqpërdori besimin e qytetarëve
Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se shumica e institucioneve mikrofinanciare, që veprojnë në Kosovë, janë biznese serioze dhe po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Ka ndonjë prej tyre që kanë keqpërdorur besimin e qytetarëve. Licencimi dhe mbikëqyrja e mikrofinancave në Kosovë është përgjegjësi e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
“Me rastin e licencimit të tyre duhet pasur kujdes më të madh se kujt po i jepet licencë si dhe BQK-ja, në vazhdimësi duhet që t’i mbikëqyrë dhe t’i monitorojë bizneset e tilla. Edhe auditimet e pavarura kanë përgjegjësi të caktuara, sidomos në auditimin e përllogaritjes së interesave për çka jo rrallë po ankohen qytetarët”, shpjegon më tej Abazi. “Lidhur me lartësinë e interesave, as BQK-ja, dhe as dikush tjetër nuk mund të ndërhyjë, sepse në një ekonomi tregu, konkurrenca është ajo që i përcakton çmimet. Në sektorin e mikrofinancave besoj ka konkurrencë të mjaftueshme. Në rastin e mashtrimeve, nuk duhet të veprojë vetëm BQK-ja me ndëshkime, sepse mashtrimi i qytetarëve është vepër penale, andaj Prokuroria e Shtetit duhet menjëherë të veprojë”, ka sugjeruar ai.
IMF rezultojnë të jenë me statusin e OJQ-së.
Kredi apo fajde?!
Afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se OJQ-të mikro financiare po e keqpërdorin statusin e tyre për të përfituar me të madhe në dëm të klientëve, në vend se të ofrojnë shërbime në favor të klientëve dhe pa përfituar, siç duhet të jenë OJQ-të. “Kur e them këtë bazohem në faktin se që nga pas lufta e deri më sot, të gjitha institucionet mikrofinanciare, të cilat janë të regjistruara si OJQ, kanë dhënë kredi me interesa të larta deri në 25 për qind dhe si të tilla kanë krijuar dhe grumbulluar fitime prej qindra miliona eurosh.
Andaj, e them lirshëm se të gjitha këto profite i kanë grumbulluar në kundërshtim me ligjin, sepse ato si OJQ që janë në asnjë mënyrë nuk duhet të punojnë e të grumbullojnë me vite profite, por janë toleruar. Së këndejmi, tash është koha që të ndërhynë BQK-ja dhe të ndalojnë veprimtarinë e tyre për zhvatjen e mëtejme të qytetarëve dhe një pjesë të bizneseve, sepse kjo vërtet është e patolerueshme”, ka theksuar ai.
Shkelja e ligjit
Eksperti i financave Xhevat Meha, për “ Kosova Sot “, ka thënë se bazuar në ligjet aktuale ato e përcaktojnë qartë se këto organizata duhet që t’i ofrojnë shërbimet e tyre me personel të angazhuar për këto punë, mirëpo pagesa për këta të punësuar nuk duhet të jetë më e lartë se institucionet e tjera. “Këto organizatat mikrofinanciare në Kosovë janë të regjistruara si OJQ. Së këndejmi, në bazë të ligjit, këto organizata nuk mund të shpërndajnë fitimin e krijuar, por këto organizata duhet që të ofrojnë shërbimet e tyre me kushte më të volitshme sesa institucionet e tjera.
Në fakt, këto organizata ofrojnë kredi me kamata shumë më të larta, në këtë mënyrë shkelin ligjin, në bazë të së cilit janë themeluar. Veç pagave të larta, këto organizata japin shpërblime të ndryshme në forma të beneficioneve, që në fakt janë shpërblime për punën e kryer. Të gjitha së bashku, pagesat që ofrojnë për të punësuarit si shumë gjithsej në të gjitha format është shumë e lartë, dhe me ofrimin e këtyre pagesave këto organizata po e shkelin ligjin”, ka theksuar ai.
Kamatat deri 30 për qind
Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se vërtet është e çuditshme se si BQK-ja po toleron zhvatjen e qytetarëve dhe bizneseve nga institucionet mikrofinanciare. “Në një rast në kredinë prej 1500 euro një institucion i tillë i ka marrë klientit 1950 euro për këtë minikredi. Andaj, kjo i bie se kamata ka qenë më shumë se 30 për qind dhe kjo është e patolerueshme.
Veç saj, ka edhe me mijëra raste të tilla ku zhvaten qytetarët dhe bizneset. BQK-ja, si rregullator i sektorit financiar, duhet që të ndërhynë dhe të ndërpresë këtë zhvatje të mëtejmë të qytetarëve dhe bizneseve tona nga institucionet mikrofinanciare. Ngase, ato duhet të japin minikredi me kushte të volitshme, por jo që të zhvatin qytetarët tanë. Në të kundërtën duhet ndërprerë veprimtarinë e tyre si OJQ, ndaj kjo duhet të bëhet sa më parë ose duhet t’u merren licencat e punës, se rrugë tjetër nuk ka në asnjë mënyrë”, ka vlerësuar Halimi.
(Kosova Sot)

