Shteti ta ndalë kontrabandën e naftës dhe humbjet milionëshe

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Ndonëse Policia dhe Shërbimi Doganor i Kosovës kanë shtuar aktivitetet e tyre në luftën kundër kontrabandës me derivatet e naftës, që po bëhet nga paslufta në Veriun e Kosovës, trendi i tillë po vazhdon edhe më tej. Sipas njohësve të kësaj fushe, humbjet që i janë shkaktuar buxhetit të vendit për dhjetë vjet nga shkaku i kontrabandimit, që po bëhen përmes dy pikave doganore në Veri të Kosovës, por edhe të rrugëve alternative konsiderohen të jenë 150 milionë euro.

Shoqata: Vetëm 5 për qind kontrollohet cilësia e derivateve

Specialisti i kësaj fushe, Lufti Rexhepi, ekspert i doganimit dhe shpeditimit të mallrave, për gazetën “Kosova Sot” tha se kontrabanda e derivateve të naftës në Veri të Kosovës, veç humbjeve që i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës, ka çrregulluar gjithashtu edhe tregun.

Ndonëse Policia dhe Shërbimi Doganor i Kosovës kanë shtuar aktivitetet e tyre në luftën kundër kontrabandës me derivatet e naftës, që po bëhet nga paslufta në Veriun e Kosovës, trendi i tillë po vazhdon edhe më tej. Sipas njohësve të kësaj fushe, humbjet që i janë shkaktuar buxhetit të vendit për dhjetë vjet nga shkaku i kontrabandimit, që po bëhen përmes dy pikave doganore në Veri të Kosovës, por edhe të rrugëve alternative konsiderohen të jenë 150 milionë euro.

Drejtues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe analistë të kësaj fushe, kanë shpresë se pas një kohe të shkurtër qeveria e re do të arrijë që të ndërpresin kontrabandën e derivateve të naftës. Drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve thonë se Trupat Inspektuese kanë dështuar në punën e tyre, dhe se të njëjtat nuk duhet që të tolerohen më në asnjë mënyrë, që të kontrollojnë cilësinë e derivateve në tërë Kosovën, e cila, sipas naftëtarëve, përveç faktit se është shumë jocilësore, qytetarët tanë edhe po vidhen në sasinë e derivateve që po e blejnë. Analistët vlerësojnë se që nga themelimi i tyre është dëshmuar se Trupat Inspektuese dyshohet se janë të kapura nga krimi i organizuar që, po ashtu, ka dyshime të mëdha se është i shtrirë deri në majat e MTI-së, dhe se ato dyshohet se janë të komanduara nga mafio-oligarkët e bizneseve kriminale, që merren me shitje të derivateve të naftës, duke bashkëpunuar edhe me mafio-politikanët që janë të lidhur deri në majat e Qeverisë.

Bizneset ankohen

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për “Kosova Sot” thotë se shoqata ka shpresa të mëdha se këtë sektor do të mund ta rregullojë Qeveria ‘Haradinaj’, dhe se më në fund edhe nga kjo pjesë e Kosovës nuk do të ketë kontrabandë derivatesh dhe mallrave të tjera. “Shoqata e Naftëtarëve ka pasur vërejtje të mëdha në punën e deritashme të Trupave Inspektuese dhe kërkesa e Shoqatës së Naftëtarëve ka qenë më herët, por edhe mbeten edhe tash se Trupat Inspektuese duhet që të largohen nga doganat, sepse ato vetëm se po i shkatërrojnë bizneset me mospunën e tyre, ngase ata janë vetëm duke përshkuar letra për bizneset e pa kontrolluar fare cilësinë e derivateve të naftës”, u shpreh ai. “Me Udhëzimin e ri Administrativ që e bëri tashmë-ishministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, ajo ua ka lënë Doganave të Kosovës pataten e nxehtë në dorë, ngase as Doganat e Kosovës nuk po arrijnë që ta kontrollojnë cilësinë e derivateve të naftës, ashtu siç e kemi pritur, ngase ata e kontrollojnë vetëm deri 5 për qind të sasisë që importohet”, vijoi më tutje Berjani. Ai edhe njëherë këmbëngul se Trupat Inspektuese nuk janë të nevojshme, ngase me mospunën e tyre ato vetëm sa i kanë dëmtuar bizneset, që po merren me import dhe shitje të derivateve, por edhe qytetarët janë të dëmtuar nga cilësia e dobët e derivateve të naftës. “Ato nuk kanë bërë asnjë punë për të mirë, por vetëm se i kanë dëmtuar bizneset dhe qytetarët tanë, ngase kanë lëshuar dokumentet false e jo certifikata konformiteti që e përshkruajnë cilësinë e derivateve, duke i lëshuar letra, pa i kontrolluar fare derivatet e naftës”, potencoi Berjani.

Mbikëqyrja duhet të shtohet

RCCOLA

Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se cilësia e këtyre karburanteve është e dyshimtë, ngase përmes këtyre pikave po hyn mall i pakontrolluar, d.m.th., cilësia e këtyre derivateve është e pakontrolluar fare dhe veç saj po prishin tregun me çmime të larmishme. “Kjo domosdo ndikon edhe tek biznesi, sepse kanë filluar të furnizohen ku hyn naftë e kontrabanduar dhe kjo është në dëm të biznesit dhe në dëm të Kosovës”, tha ai. “Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës u ka kërkuar të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës, që të ketë një mbikëqyrje dukshëm më të madhe gjatë futjes së derivateve, që po bëhet përmes dy pikave doganore në kufi me Serbinë ose të gjejë ndonjë alternativë tjetër për të penguar hyrjen e derivateve me cilësi të dyshimtë”, u shpreh më tej Maloku. Ai ka besim të madh se me Qeverinë ‘Haradinaj’ në Veriun e Kosovës më nuk do të lejohen këto kontrabanda me derivate nafte dhe më në fund do ndalet kjo kontrabandë. “E keqja tjetër është se Doganat e Kosovës nuk kanë kapacitete njerëzore, që me gjithë dëshirën e tyre që ta bëjë kontrollin cilësisë dhe kualitetit të derivateve, që po futen në tërë Kosovën, ngase kjo ishte një punë që e bënin Trupat Inspektuese, andaj edhe kjo po ndikon në cilësinë e dobët të derivateve të naftës”, theksoi Maloku.

Tregu në rrezik

Specialisti i kësaj fushe, Lufti Rexhepi, ekspert i doganimit dhe shpeditimit të mallrave, për gazetën “Kosova Sot” tha se kontrabanda e derivateve të naftës në Veri të Kosovës, veç humbjeve që i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës, ka çrregulluar gjithashtu edhe tregun. “Kjo ngase derivatet e kontrabanduara shiten me çmime rreth 30 për qind më të lira”. Por, ai thotë se me kryeministrin Haradinaj ka shpresë se zhvillimet në atë sektor të ekonomisë do të jenë shumë më pozitive. “Andaj, besoj se kjo qeveri do të mund që të ndalë kontrabandën me derivate, që po bëhet në atë pjesë të vendit “, potencoi ai. Edhe analisti Rexhepi e ka kritikuar punën e deritashme të Trupave Inspektuese, duke theksuar se ato duhet që bëjnë një punë shumë më të madhe, sesa që e kanë bërë deri më tani në kontrollin e cilësisë së derivateve që po futen në Kosovë. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Raif Çela, (Lëvizja për Bashkim), tash në opozitë, tha për gazetën “Kosova Sot” se e tëra kjo që po ndodh në Veri po bëhet nga mungesa e shtetit ligjor në atë pjesë të vendit dhe mos-shtrirja e plotë e sovranitetit, që është duke i kushtuar qytetarit në mirëqenien sociale. “Kjo, ngase grupe të ndryshme të vogla janë duke u pasuruar, ndërsa qytetareve po u rëndohet jeta sociale e tyre në Kosovë”, u shpreh ai. “Ka dyshime të mëdha se kontrabanda në Veri të Kosovës po bëhet nga bizneset e mëdha vendore, që dyshohet se janë të lidhura ngushtë me politikën dhe me bizneset serbe dhe të njëjtat janë të kapura sikurse edhe doganat”, potencoi Çela.

Ku nuk ka ligj, ka krim

Analisti Florim Rudhani thotë për “Kosova Sot” se në Veri të Kosovës kontrabanda ka ndodhur edhe në të kaluarën, mirëpo pas shpalljes së pavarësisë, tashmë ka edhe shumë rrugë të tjera anësore dhe periferike, përmes të cilave mund të zhvillohet kontrabanda. “Raportet ndëretnike, të cilat në qytetin e ndarë të Mitrovicës janë më të tensionuara se kudo tjetër në Kosovë, nuk paraqesin pengesë për një bashkëpunim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në zhvillimin e kontrabandës. Madje, këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e policisë në rajonin e Mitrovicës”, theksoi ai. Sipas Rudhanit, e veçanta e kësaj kontrabande është se kur flasim për përkatësi, kjo është një multietnicitet, janë vepra penale që kryhen në bashkëveprim. “Atë çfarë ka arritur të identifikojë Policia e Kosovës dhe që është dhënë në mediet tona, thuhet se gjatë këtyre rasteve ka pasur më së tepërmi në grupe të vogla, kryesisht të pastrukturuara, që nuk kanë ndonjë pozitë brenda kësaj shoqërie”, potencoi Rudhani. Ndërkaq duke folur për Trupat Inspektuese, ai thotë se që nga themelimi i tyre është vërtetuar se Trupat Inspektuese, që e kontrollojnë cilësinë e derivateve të naftës “është dëshmuar se ato janë të kontrolluara e të kapura nga krimi i organizuar që është i shtrirë deri në majat e MTI-së dhe që janë të komanduara nga mafio-oligarkët e bizneseve kriminale me naftë dhe mafio-politikanët e lidhur deri në majat e Qeverisë”.

Barrë e rëndë për Qeverinë

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, (‘Konsumatori’), për gazetën “Kosova Sot” se Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj i ka mbetur një barrë që nuk e bënë qeveritë e deritashme. “Andaj, ajo e ka rastin që të dëshmojë veten se mund që ta ndalë kontrabandën që po bëhet nga paslufta në Veri, ndaj shpresojmë se do ta bëjë këtë”, tha ai. “Nga kontrabanda me derivate të naftës në Veri të Kosovës, vlerësohet se buxheti i Kosovës për dhjetë vjet i ka humbur 150 milionë euro”, u shpreh Kaçaniku. “Deri më tash, kjo kontrabandë e Veriut të vendit në asnjë mënyrë nuk është bërë pa ndihmën dhe përkrahjen e personave nga hierarkia më e lartë e shtetit dhe atyre institucionale politike dhe biznesore, pa të cilët ajo edhe nuk do të zhvillohej. Ngase kjo kontrabandë që po bëhet në atë pjesë të vendit me dhunë nuk po na i sjellë ato produkte, sepse është shumë e qartë se ato produkte dikush po i importon dhe po i shpërndan me vullnetin e interesit financiar dhe nuk po na i sjell me dhunë Serbia, por këtë po e bëjnë bizneset kosovare”, vlerësoi Selatin Kaçaniku.

(Kosova Sot)