RCCOLA

Shteti stopon investimet e huaja

/ 5 minuta lexim

Investimet e huaja direkte janë një burim i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimit të një ekonomie, por në Kosovën shtet po shihen pak.

Miliona euro kanë shpenzuar Institucionet qeveritare vetëm vitin e kaluar, e këtë vit për të joshur investitorët e huaj. Rezultati duket së është minor.

Në vitin 2007, Kosova nuk ishte shtet, por investitorët e gjenin lehtë. Tash, kur disa dikastere qeveritare po lobojnë për të tërhequr investitorë, rezultatet janë dukshëm më të zymta, se sa kur Kosova nuk figuronte në hartat e botës. Në vitin 2007 investimet e huaja direkte ishin 421 milionë euro, ato gjatë vitit 2012 kanë rënë nën 200 milionë euro.

Sipas Raportit të fundit të BQK-së, investimet e huaja direkte në vitin 2012 shënuan rënie -41.2 për qind, duke arritur vlerën fiks prej 232.0 milion euro.

Ministria e Tregtisë gjatë vitit të kaluar vetëm për një reklam ka paguar televizionin CNN fiks 1 milionë euro. I angazhuar në lobim për tërheqje të investimeve është edhe zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, po ashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Shefi i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Valdrin Lluka nuk ka mundur të përmend emrin e asnjë investitori të huaj i cili në këtë vit është përqendruar për të bërë biznes në Kosovë. Ai tha se bazuar në të dhënat e Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë, që nga fillimi i këtij viti e deri më sot APIK-un e kanë kontaktuar rreth 249 kompani të huaja të cilave i është ofruar ndihmë në grumbullimin e informatave lidhur me fushën e investimeve që ata synojnë për të investuar në Kosovë.
Lluka tha se gjatë këtij viti interesim për të investuar në Kosovë kanë shprehur investitorët nga Gjermania, Turqia, Austria, Franca, Holanda dhe Zvicra në sektorët e agrobiznesit, prodhimit, teknologjisë informative, reciklimit dhe energjisë së ripërtërishme.

“Disa nga këta të interesuar, janë në fazën finale të investimit, mirëpo për shkak të marrëveshjes së konfidencialitetit, emrat e kompanive nuk mund të zbulohen në këtë kohë”, tha Lluka për Indeksonline.

Uji Dea

Shefi i API-ut pretendon se këtë vit klima për të bërë biznes në Kosovë është më e mirë se viteve të kaluara. “Qeveria e Kosovës vazhdon të ndërmerr hapa në përmirësimin e klimës së investimeve, gjë që edhe është reflektuar në raporte të ndryshme siç është ai i Bankës Botërore, Indeksi i të Bërit Biznes. Për më tepër, APIK-u ka filluar bashkëpunimin me MIGA (Multilateral Investment Guarantee Agency), agjencion ky që është pjesë e Bankës Botërore dhe që garanton investimet e huaja në Kosovë, duke mbuluar çdo rrezik të mundshëm, përfshirë edhe atë politik. “Përmes këtij bashkëpunimi, presim që investitorët e huaj ta shohin Kosovën si një vend më të përshtatshëm për të investuar”, thotë Lluka.

Lumirë Abdigjiku, drejtor i Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest, mendon se Kosova nuk ka arritur te ndërtojë asnjëherë një imazh tërheqës për investitorët e huaj, prandaj sipas tij, në këto vitet e fundit regjistrohen edhe rëniet drastike në investime. “Për me tepër në këto 14 vite pas luftës ne nuk kemi tërhequr edhe një emër serioz investues duke mos dërguar jashtë sinjale se Kosova është vend i sigurt për investime”, thotë Abdigjiku.

Problemi i korrupsionit, burokracisë, haraçit e zaptimi politik i gjykatave, sipas Abdigjikut, kanë tmerruar secilin investitor potencial i cili kërkon ambient te qetë e të rehatshëm.

Drejtori i Riinvest, mendon se edhe Qeveria e Kosovës nuk ka dëshmua asnjë lloj vullneti e dije për te tërhequr investitorë. “Madje as politikat fiskale e stimujt tjerë biznesor që vendet fqinje i kane kaherë për investitorë, nuk kane ditur ti bëjnë”.

Behxhet Pacolli, i cili ishte emëruar ekskluzivisht si zëvendëskryeministër për ti sjellë Kosovës njohje dhe investitorë të huaj, në lobimin e dytë duket që ka dështuar. Zyra për marrëdhënie me publikun e Zv. kryeministrit Pacolli nuk ka dhenë përgjigje lidhur me atë se sa investitorë të huaj ka sjellë Pacolli në Kosovë preje kohës sa është në Qeveri, apo në çfarë pengesash po hasët për të tërhequr investimet e huaja.

Nga ana tjetër, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Donika Kada- Bujupi thotë se disa herë ka shtruar pyetje në Parlament, se sa investitorë të huaj ka sjell zëvendëskryeministri Pacolli, por nuk ka marrë përgjigje.
“Edhe në Komisionin parlamentarë, ku ka raportuar Pacolli, kam kërkuar konkretisht statistika edhe shifra. Mirëpo, përgjigja ka qenë zero, ose për mos ti hy në hak, ka thënë se gjatë gjithë mandatit të tij ka sjellë një prodhues të mobileve. Pra, prej gjithë atyre premtimeve për investimet e huaja, zoti Pacolli është reduktuar me një galanteri, e cila sa di unë ende nuk ka filluar punën”, tha Kada-Bujupi për Indeksonline.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme në vitin e kaluar pati deklaruar se do të fokusohet në promovimin e Strategjisë për Diplomaci Ekonomike. MPJ në kuadër të kësaj ka organizuar tre konferencave ekonomike në Nju-Jork, Kolorado dhe Kaliforni, nga ku do të joshte investitorët e huaj. Por, MPJ-ja pas një viti nuk ka pasur përgjigje për Indeksonline, se sa investitorë të huaj ka sjell MPJ-ja në Kosovë vitin e kaluar dhe këtë vit.