KKVITI

Shteti nuk përbëhet prej gurëve dhe druve, por prej njerëzve

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ardian Gjini – Shteti nuk përbëhet prej gurëve dhe druve, por prej njerëzve (Platoni, Republika)

Se njerëzit e bëjnë shtetin, nuk do mend! Shteti është çfarë janë njerëzit, si shumicë dhe si individë. Nëse njerëzit janë të varfër edhe shteti është i varfër. Nëse njerëzit janë të paditur edhe shteti është i pazhvilluar. Nëse njerëzit janë konformistë dhe me kulturë të shumicës parokiale, shteti është totalitar! Por kultura politike zhvillohet shumë shpejt.

Për shembull, në vitin 2000 apo 2001 askush nuk ka menduar se në Kosovë mund të zhvillohet kulturë politike e vjedhjes së votave. Në vitin 2011, vetëm pas dhjetë vitesh, pyetja kryesore që shtrohet është se si mund të mbajmë zgjedhje të ndershme. Dhe, gjithsesi, për kulturën po flas në kontekstin antropologjik (se si mësojnë të rinjtë nga të vjetrit për shembull).

Në shtetet e reja, në sistemet politike të reja, roli i elitave është parësor në ndërtimin e kulturës politike. Sjellja e elitës, në sensin se a është pajtuese apo konfrontuese në garë është një ndër elementet kryesore, për shembull (Lijphart). Kjo sjellje e elitës ka ndikim të drejtpërdrejtë në sjelljen e masave, siç e kemi parë në shumë vende (sidomos përreth).

Në Kosovë kemi pasur nisje të mirë në fillim të viteve 2000 dhe degradim serioz pas shpalljes së pavarësisë.
Kur pushteti sillet pandershëm, rruga për sjellje konfrontuese të opozitës është e trasuar. Dhe, çka është sjellje e pandershme në ndërtimin e shtetit?

Të vendosësh rregulla dhe të mos i respektosh ato, sikur mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të ofrosh zgjidhje personale afatshkurtra dhe ta dëmtosh seriozisht të ardhmen.

FIDANISHTJA

Apo punësimi pa kriter i njerëzve politik në administratën e shtetit dhe në ndërmarrje publike në këmbim të votës. Apo mbushja e universiteteve me njerëz të padijshëm, e sjellje tjera që tanimë janë fenomen. Në këso rrethanash, kur pushteti ofron zgjidhje afatshkurtra shumë joshëse për njerëzit e varfër, por të pandershme për gjeneratat që vijnë, shteti zihet peng!

Në këto rrethana krijohet kultura politike e subjektit (Almond dhe Verba). Kjo kulturë politike trasohet atëherë kur njerëzit kanë dije të mjaftueshme politike, por nuk besojnë se mund të ndryshojnë diçka dhe abstenojnë nga pjesëmarrja në procesin politik. Dhe të njëjtit politikanë vijnë në pushtet prapë, sepse e kanë krijuar një masë të konsiderueshme të “klientëve” që i kanë punësuar në shtet, në ndërmarrje publike dhe që iu kanë bërë favore financiare apo tjera. Kështu krijohet kurthi i ndërtimit të kulturës konfrontuese prej të cilës është vështirë të dilet.

Dhe pastaj krijohet kurthi tjetër. Kur politika bëhet konfrontuese, shumë njerëz fillojnë të besojnë se stabiliteti i regjimit është më i rëndësishëm se trasimi i demokracisë. Kështu është Kosova tani e disa vite.

Shteti ynë i ri ka nevojë për elitë shtetformuese e jo zhvatëse. Dhe nëse për hir të argumentit do ta ndërtojmë modelin e një shtetformuesi, unë besoj se ai duhet t’i ketë pesë atribute kryesore. Pa asnjë dilemë të ketë qasje pajtuese. Të dijë të shohë larg dhe ta kuptojë interesin e vendit dhe të individëve. Të jetë i drejtë dhe t’i bëjë njerëzit të ndihen të barabartë para ligjit. Ta mbajë fjalën e dhënë dhe të mos vendoset mbi ligjin.

Elita shtetformuese nuk është vetëm politike. Është edhe ajo intelektuale, e gazetarëve, e biznesit, etj. Por elita politike do ta marrë barrën kryesore nëse dështojmë.
Është vështirë për një politikan të ndershëm të jetë pajtues, kur rrethohet me shumë tjerë që e flasin një gjë, e bëjnë një gjë tjetër. Me ata që flasin butë e abuzojnë me gjithçka që u vjen për skaj. Por gjithsesi, koha është të ikim nga kurthi!

(Autori është kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)