Shteti, në prag të kolapsit

Sipas analistëve politikë, ngritja e kësaj çështjeje nga Petritch-i tregon seriozitetin e madh të dëshpërimit ndërkombëtar në këtë klasë të papërgjegjshme politike, të inkriminuar thellë në krim të organizuar dhe e cila prej pas luftës realisht nuk punuan asgjë për ndërtimin e shtetit, por punuan ekskluzivisht për interesat e tyre personale dhe të nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët edhe u bënë multimilionerë dhe miliarderë!
DEKLARATA E DIPLOMATIT AUSTRIAK WOLFGANG PETRITSCH NGJALL REAGIME
Klasa politike, tepër e papërgjegjshme
“Të gjitha këto vonesa në integrimin e vendit në BE po bëhen sepse shteti po kontrollohet ende nga mafio -oligarkët e të gjitha ngjyrave, kurse pasojat e kësaj po i vuajmë të gjithë, duke e bërë kështu shumë të paqartë edhe të ardhmen e shtetit të Kosovës”, theksoi Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”.
Ditë më parë, diplomati austriak Volfgang Petritsch deklaroi se Kosova është një shtet i dobët, i ndarë politikisht në mënyrë të thellë dhe buzë kolapsit.
Ai këtë shqetësim e ka ngritur duke iu referuar klasës politike që po e qeveris vendin pa dallim, pozitës dhe opozitës.
Sipas analistëve politikë, ngritja e kësaj çështjeje nga Petritch-i tregon seriozitetin e madh të dëshpërimit ndërkombëtar në këtë klasë të papërgjegjshme politike, të inkriminuar thellë në krim të organizuar dhe e cila prej pas luftës realisht nuk punuan asgjë për ndërtimin e shtetit, por punuan ekskluzivisht për interesat e tyre personale dhe të nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, të cilët edhe u bënë multimilionerë dhe miliarderë!
Pasurimi i tyre i madh ka ardhur nga kapja e shtetit nga mafio-oligarkia politike-kriminale dhe mosndëshkimi nga drejtësia e tejpolitizuar dhe e tejkorruptuar, ndërsa që nga mosveprimi i saj krimi i organizuar dhe korrupsioni arritën të shndërrohen në kulturë sistemore të instaluar legalisht kudo nëpër institucionet e shtetit të kapur nga mafiooligarkët e bizneseve të inkriminuara të lidhura me pushtetarët e korruptuar që qeverisin në qeveritë komunale dhe në qeverinë qendrore, në të tre pushtetet! Analisti Skënder Mulliqi tha për “Kosova Sot” se deklarata e diplomatit austriak Volfgang Petritsch dhe vlerësimi i tij se Kosova është pranë kolapsit dhe dështimit si shtet, duhet marrë shumë seriozisht. “Ka që shumë kohë, që jo vetëm Petriç, por edhe shumë diplomatë të tjerë dhe miq të shqiptarëve janë duke na tërhequr vërejtën që shteti i Kosovës, për të cilin edhe ata vetë ishin kontribuues, nuk është duke u udhëhequr si duhet nga të gjitha pushtetet e pasluftës, në të gjitha nivelet”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.
Dështim pas dështimi
Sipas Mulliqit, ky dëshpërim ndërkombëtar është duke u shprehur me izolimin e kësaj klasë politike të stërkequr, e cila për fatin tonë të keq po rezulton edhe me izolimin e qytetarëve të Kosovës. “Kjo elitë politike gjithnjë e më shumë është duke e degraduar shtetin e Kosovës dhe është duke ia zbritur imazhin e saj në sytë e botës demokratike. Prandaj, kjo deklaratë e diplomatit austriak nuk është për të na çuditur fare, kur e dimë të gjithë se sa janë dështimet e deritashme, si në planin e jashtëm dhe në planin e brendshëm të Kosovës. Kemi një diplomaci kurrfarë. Të gjitha raportet e deritashme ndërkombëtare zyrtare dhe jozyrtare për Kosovën, si dhe raportet e Bankës Botërore, na kanë dhënë kritika në moszbatimin e reformave, na kanë dhënë sugjerime në rritjen e produktivitetit të punës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e të cilat dukuri negative kurrë nuk u luftuan në përmasën e duhur. Kemi mbetur pa njohje te reja, kemi mbetur pa investime dhe investitorë të jashtëm, kemi mbetur pa liberalizim të vizave më shumë nga teket e pushteteve të deritashme”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.
Ai ka pohuar se në këtë gjendje kanë ndikuar edhe mosfunksionimi i rendit dhe ligjit dhe shumëçka tjetër “Prandaj, edhe shqetësimet e tyre për të ardhmen e Kosovës janë shqetësime të arsyeshme. Kurrë deri më sot nuk u hoqën apetitet për zhvatje dhe abuzimet. Me këtë logjikë përfituese nuk ndërtohet shteti, nuk avancohen proceset demokratike dhe zhvillimore të vendit, nuk kalohet as status-kuoja politike. Partitë shtetformuese kanë mbetur të pareformuara, janë bërë më shumë korporata përfituese sesa parti serioze politike që duhet të ishin”, vijoi më tej Mulliqi. “Nuk kemi hapje të reja të vendeve punës, të cilat kishin për të ndikuar në moslargimin masovik të të rinjve tanë nga Kosova. Të gjitha këto vonesa në integrimin e vendit në BE po bëhen, sepse shteti po kontrollohet ende nga mafio -oligarkët e të gjitha ngjyrave, e pasojat e kësaj po i vuajmë të gjithë, duke e bërë kështu shumë të paqartë edhe të ardhmen e shtetit të Kosovës”, theksoi Skënder Mulliqi.
Diplomacia, në duart e të paaftëve
Prof. Muhamet Kelmendi vlerëson se kur nga miq ndërkombëtarë vijnë deklarime të tilla, politika duhet t’i marrë ato me seriozitetin më të madh të veprimit dhe analizës së situatës së brendshme për ta konstatuar gjendjen reale. Në këtë rast, Kelmendi i jep shumë të drejtë diplomatit Petrisch. “Shikuar nga kontesti politik, por edhe ai ekonomik, por edhe të raporteve ndërkombëtare, mendoj që diplomati Petrisch është mbështetur në tri fakte shumë domethënëse, për të cilat del edhe konstatimi i tij se shteti i Kosovës gjendet para një kolapsi, ku kërkohet në të vërtetë që edhe faktori ndërkombëtar, SHBA-ja në mënyrë të shpejtë dhe të rreptë të interesohet për këtë çështje. E para, është çështja e sovranitetit dhe e tërësisë territoriale brendapërbrenda Kosovës, së dyti, është çështja e ndarjes së ashpër të politikës në Kosovë dhe çështja e krimit dhe e korrupsionit në përmasa të gjëra. Faktori i tretë është për mendimin tim pasja e një politike ndërkombëtare, me ministra e zëvendësministra krejtësisht të paaftë, jokualitativë, një politikë të jashtme që nuk i njeh sa duhet raportet e forcave në botë dhe nuk e njeh sa dihet as politikën e BE-së, nuk i njohin si e sa duhet mekanizmat vendimmarrës ndërkombëtarë, por janë aty vetëm sa për të marrë një rrogë, dhe faktikisht kanë dështuar deri tani në të gjitha raportet ndërkombëtare”, tha Prof. Kelmendi për “Kosova Sot”.
Shqetësimin e diplomatit austriak karshi Kosovës e sheh serioz edhe politologu Arsim Haziri. “Konsideroj se diplomati austriak njëherësh edhe ish- përfaqësuesi BE-së për çështjen e Kosovës gjatë viteve ’99, ka pasur mjaft të drejtë në deklarimin e tij ku e trajton Kosovën si buzë rrënimit të përgjithshëm”, u shpreh ai. “Pikërisht kjo masë e madhe e degradimit politik dhe ekonomik, mbi të gjitha edhe moral, është shkaktuar si rezultat i një klike mikroborgjezësh, të cilët për interesa primare kanë shkelur seriozisht kauzat shtetërore. Fakt se Kosova është në një ndarje të thellë politike, fakt se përcillet edhe me një mënyrë sistematike e reduktimit të resurseve publike si dhe është mjaft konkrete se udhëheqësja politike në disa raste ka korruptuar edhe disa ndërkombë- tarë, rast konkret shtyllën për sundim të rëndit dhe ligjit-EULEXin”, potencoi Haziri. “Sot, fatkeqë- sisht, politika udhëhiqet nga politikanët më të degraduar nga klasa më e dëshmuar negativisht. Duke pasur parasysh këto elemente, shoqëria jonë s’mund të ketë qeverisje në baza të drejta qytetare, dhe degradimi i aparatit tonë shtetëror fillon-daton qysh prej ’99-s e tutje. Ku në emër të kontributit ushtarak e patriotik kanë korruptuar e përvetë- suar pronat publike në mënyra nga më të ndryshmet”, ka theksuar ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, Kosova është në një lloj izolimi psikik dhe politik.
Diskriminim i hapur i qytetarëve
Analisti politik Blerim Burjani nuk i merr në tërësi si të qëlluara deklarimet e diplomatit austriak, por pajtohet që shteti i Kosovës megjithatë ka dështuar në shumë fusha dhe zhgënjimi ndërkombëtar është i arsyeshëm. “Jo nuk mendoj se Kosova gjendet në një fazë ashtu si thotë ish- diplomati, por konsideroj se Kosova është një shtet i njëjtë në regjion, me probleme me rendin dhe ligjin. As Maqedonia, as Serbia as Mali i Zi nuk janë edhe aq më mirë se Kosova, të gjitha shtetet ballkanike kanë probleme me rendin dhe ligjin dhe funksionimin e shtetit juridik”, u shpreh ai. “Është e vërtetë se ka probleme me korrupsion , është e vërtetë se është bërë një politizim i skajshëm në shtet dhe shoqëri, dhe shërbimet për qytetarët nuk veprojnë njësoj për të gjithë” , tha Burjani për “Kosova Sot”. Sipas tij, ka edhe diskriminim kushtetues të qytetarëve, ndërsa favorizimi ndodh tek politikanët që kanë bërë biznese multimilionëshe, kurse derisa para pak kohësh nuk kanë pasur as shitore në fshatin e tyre.
(Kosova Sot)