Fundamenti

Shteti në ngërç, Hasani në pushime

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Në kohën kur vendi ka mbetur pa institucione, dhe të gjithë kanë drejtuar sytë kah Gjykata Kushtetuese, i pari i këtij organi Enver Hasani, ka vendosur që të marrë pushim për vete. Ai aktualisht ndodhet me pushime në Turqi dhe nuk do të kthehet në vendin e tij të punës deri më 21 gusht.

Në këtë datë do të mbahet seanca dëgjimore e kërkuar nga blloku LDK-AAK-Nisma për lëndën e dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës, për të interpretuar vendimet e Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituive të datës 17 korrik. Që Hasani ndodhet në pushim, e ka konfirmuar shefja e kabinetit të tij, Aida Berisha. “Kryetari është në pushime dhe do të kthehet të enjten”, ka thënë ajo për Tribunën. Për Partinë Demokratike të Kosovës, vendimi për të shkuar në pushim i të parit të Gjykatës Kushtetuese nuk është aspak shqetësues, madje zyrtarë të saj kanë kërkuar që ai të lihet i qetë në pushime.

Arsim Bajrami, kur është pyetur për këtë çështje, është përgjigjur shumë shkurt: “E çka duhet të bëjmë ne tash, që paska shku ai në pushim? Lëreni njeriun le të pushojë”. Por, rehat nuk duan të lënë zyrtarët e partive tjera. Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatçija, ka thënë se vetë fakti që kryetari i GJK-së ndodhet në pushim jashtë vendit, tregon për seriozitetit që ka ky organ në trajtimin e kësaj çështjeje. “Nuk e di se ku është z. Hasani e as kur do të kthehet. Por nëse sipas informatave të juaja, ai do të kthehet ditën e seancës dëgjimore, tregon se çështjen e dërguar nga PDK në Gjykatën Kushtetuese, kryetari i saj as nuk e merr seriozisht”, ka thënë Sahatçija.

UBT

Sipas saj, GJK as që do të ishte dashur të merrej me interpretimin e lëndës së PDK-së, pasi që kjo çështje i takon Kuvendit të Kosovës dhe ka të bëjë me Rregulloren e Punës së këtij kuvendi. “Thënë të drejtën edhe dërgimi i të gjitha çështjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesës që kjo Gjykatë të merret me çështje dhe vendime politike, në fakt po tregon paaftësinë e institucioneve dhe po e degradon sistemin parlamentar të Kosovës duke i dhënë fuqi Gjykatës Kushtetuese të merr vendime politike apo të vendoset mbi sistemin parlamentar”, ka thënë Sahatçija.

Për të kjo bllokadë e shtetit e të cilën ajo e ka quajtur “artificiale”, duhet të ndërpritet sa më parë në mënyrë që Kuvendi dhe shteti t’i kthehet normalitetit. Ajo madje duke komentuar vendimet që po merr GJK-ja dhe përgjegjësitë që po i jepen, ka bërë një krahasim të vendit me Iranin. “Kjo mënyrë është e njohur në shtetet ku demokracia i nënshtrohet vendimit të një autoriteti mbiinstitucional ku për çdo vendim shkohet të ‘merret dorë’ tek Ajatollahu. Por Kosova nuk ka nevojë për ‘Ajatollah’ por ka nevojë të vendosë demokracinë dhe funksionimin e sistemit parlamentar, i cili në këtë moment është i pezulluar”, është shprehur Sahatçija. Ndërsa, për Albulena Haxhiun nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ky institucion po vazhdon t’i shërbejë interesave të Hashim Thaçit.

“Veprimet e fundit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese tregojnë papërgjegjësi, por gjithashtu tregojnë faktin që ky institucion po vazhdon t’i shërbejë interesave të Thaçit, me shfrytëzimin e të gjitha afateve kohore për marrjen e vendimit ndaj kërkesës së PDK-së, vetëm e vetëm për t’i mundësuar kohë Thaçit dhe njerëzve të tij që të shfrytëzojnë të gjitha format e mjetet për t’i bërë numrat për të formuar Qeverinë”, ka thënë Haxhiu. Ndërkohë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar anëtarja e kryesisë Melihate Tërmkolli, për të cilën kjo gjykatë duhet të veprojë në bazë të obligimeve që ka. /Tribuna/