Shteti në kthetrat e korrupsionit kriminal “Politikë – drejtësi”
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit theksojnë se në vendin tonë kemi një situatë alarmante në drejtësi, për faktin se ky sistem thuajse nuk po funksionon fare sipas ligjit, dhe është një gjendje e frikshme kur shihet se si janë bërë gjykatat kosovare arenë të padrejtësive, ku qytetari i ndershëm e humb shpresën te drejtësia e inkriminuar.
“Fshehja dhe zvarritja e lëndëve të mafiozëve politikë dhe devalvimi i qëllimshëm i tyre janë veprime të organizuara dhe të mbështetura nga organet e shtetit, të cilat janë të kapura pothuajse që të gjitha nga mafia politike e Kosovës, ku as politikan nuk mund të bëhesh pa qenë i korruptuar dhe i kapur nga bosët e krimit, duke u shërbyer atyre si kukull dhe servil. Gjithmonë e kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris se pa pastrimin komplet, dezinfektimin e drejtësisë, të Prokurorisë, të Policisë dhe AKI-së nga dora e mafisë nuk do të ketë kurrë rregull dhe rend në vendin tonë të izoluar dita-ditës, në shtetin e brishtë të Kosovës”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit theksojnë se në vendin tonë kemi një situatë alarmante në drejtësi, për faktin se ky sistem thuajse nuk po funksionon fare sipas ligjit, dhe është një gjendje e frikshme kur shihet se si janë bërë gjykatat kosovare arenë të padrejtësive, ku qytetari i ndershëm e humb shpresën te drejtësia e inkriminuar.
Është e frikshme kur shihet se si janë kapur edhe gjykatat duke u urdhëruar dhe duke u influencuar nga politika e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale. Aq më tepër, sipas analistëve, humbja e besimit në sistem po thellohet edhe nga fakti që nuk ka fare transparencë dhe adresim të përgjegjësisë nga KGJK-ja, sepse KGJK-ja në raportin e tyre nuk japin shifra konkrete se sa është numri i lëndëve të zgjidhura për çdo gjyqtar, se sa është numri i lëndëve të vonuara për gjyqtar, se sa është numri i stafit gjyqësor për 100 mijë banorë, e shumë statistika të tjera. Madje, sipas analistëve, mungesa e transparencës në KGJK ndërlidhet edhe me faktin e mbulesës së gjykatësve të dështuar, nuk bëhen publike emrat e gjyqtarëve ku rastet mrizojnë mbi 8 vjet, qoftë për shkak të mungesës së aftësive profesionale për t’i zgjidhur apo edhe të heshtura me urdhër të politikës dhe nëntokës kriminale, ku lëndët mbesin edhe në arkivat e gjykatave nëpër Kosovë. Mirëpo, analistët theksojnë se skandali nuk merr fund me kaq, ngase nuk janë të pakta rastet kur ndodh të rikthehen në rigjykim lëndët që presin 8 vjet, duke iu vendosur numri i ri i lëndës për vitin 2018, thuajse bëhet fjalë për raste të reja të vitit 2018, e jo për raste që vegjetojnë për më shumë se 8 vjet në gjykatë.
Nuk ka reforma
Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, tha për “Kosova Sot” se në këtë gjendje çfarë është Kosova dhe me këtë klase politike që e ka kapur shtetin është e kotë gjithçka, nuk mund të ketë as gjykim dhe Gjyqësor të pastër, as korrekt, e aq më pak sistem të drejtësisë të bazuar në parimet gjyqësore. “Nuk mund të pritet asgjë e re, pozitive, sepse shumë herë është argumentuar se Kosova ka gjyqësi të kapur. Vetëm le të bazohemi tek rasti ‘Pronto’, që është skandali më i madh shtetëror, dhe mund të ndodhë që nuk do të shkohet as deri në fund tek ky proces. Pra, s’ka gjë nga kjo drejtësi e tanishme. Rasti tjetër po aq skandaloz është rasti ‘stenda’! Në këtë shtet të vogël kemi kriminalitet të madh dhe kriminaliteti është i zhvilluar në të gjitha fushat ku duket ashiqare dhe është mjaft i dëmshëm, sepse nuk kemi akoma interesim për veprime nga organet përkatëse. Pra, nuk po shohim akoma vullnet veprues për të ecur përpara në këtë çështje. Pra, unë mendoj që pa një gjykim objektiv dhe të ‘paprivilegjuar’ nuk ka drejtësi, vetëm do të vazhdojë të jetë kështu si është pa ndalur dhe duke u thelluar akoma kapja e sistemit”, theksoi ai.”Ka vërejtje të mëdha serioze në këto procese edhe nga faktori ndërkombëtar, edhe nga shoqëria civile, por s’ka kush ta ndalë dhe të ndërhyjë për ta shkapur drejtësinë prej ndërhyrjeve politike. Është politika ajo që po vazhdon në kapjen e drejtësisë, hiç pa u ndalur, dhe tash për tash nuk ka kush që ta ndalë. E kemi parë edhe Kadri Veselin se si flet fjalë të mëdha, por veprimet nuk ekzistojnë dhe prandaj s’ka gjë, ka vetëm fjalë të luanit e liri të veprimit të ‘miut’. Pra, s’ka gjë pozitive, edhe pse jemi në pritje të gjatë. Kriminaliteti ekonomik dhe korrupsioni ka vërshuar gjithandej Kosovën dhe vetëm po lulëzon pa u ndalur, e fjalët nuk po ndalen kurrë, duke thënë se po luftohet dhe se nuk do të ketë kurrfarë tolerance ndaj veprime negative”, tha Prof. Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Lidhur me këto çështje është kërkuar një përgjigje edhe nga KGJK-ja, por në këtë institucion të mbikëqyrjes dhe matjes së performancës së Gjyqësorit të Kosovës nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
ALIU: MAFIO-OLIGARKIA ME PUSHTETARËT E INKRIMINUAR BËN KËRDINË ME PARANË PUBLIKE
Edhe analisti politik Bislim Aliu thotë se me të vërtetë nga KGJK-ja nuk ka raportim të detajuar e transparent, kurse gjykatat tona, në përgjithësi, nuk po e kryejnë punën ashtu siç duhet. Dhe, për këtë, është më shumë se skandaloz fakti se në të gjitha gjykatat e Kosovës kanë mbetur deri më tani, siç po raportohet, më se 309 mijë lëndë të patrajtuara fare, që do të thotë edhe të pazgjidhura. “Tani, secili qytetar, secila palë e atakuar, me të drejtë pyet dhe shfaq dilemën e arsyeshme se a thua për çfarë drejtësie mund të flasim kur rastet nga organi mbikëqyrës i sistemit gjyqësor nuk ka transparencë të mjaftueshme dhe matje reale të performancës së gjyqtarëve, prandaj edhe po zvarriten rastet gati në një dekadë, duke ua shkelur të drejtat e qytetarëve kosovarë dhe duke mos mundësuar sundimin e ligjit në Kosovë. Me këtë degradim të sistemit gjithnjë po dëmtohen edhe financiarisht, por edhe në shkelje të të drejtave të njeriut, sepse është një zvarritjet e vazhdueshme e lëndëve. Ndaj, për ta realizuar këtë kapje të sistemit është instaluar një korporatë mafioze, korrupsioni kriminal ‘politikë-drejtësi’ kthetrat e të cilëve kapin e paralizojnë shtetin, ligjin dhe funksionimin e shoqërisë në Kosovë, ku mafio-oligarkia me pushtetarët e inkriminuar bën kërdinë me paranë publike, pasuritë e pronat shtetërore e kombëtare, me evazionin fiskal, me kontrabandën dhe me korrupsionin, ndërkaq lëndët gjyqësore vendosen siç urdhëron mafio-oligarkia e pushtetarët e inkriminuar, ndërkaq qytetarët jetojnë me padrejtësi dhe pa sundim të ligjit”, tha Aliu për “Kosova Sot”.
MIFTARI: GJYQTARËT DHE PROKURORËT FLENË NË NJË SHTRAT ME KRIMIN E ORGANIZUAR
Edhe këtu vjen në shprehje pasoja se KGJK-ja nuk po e bën matjen e mirëfilltë të performancës profesionale dhe etike për gjyqtarët, të cilët nuk e kryejnë punën e tyre sipas ligjit. Këtë fakt e pohon për “Kosova Sot” njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari. Ai thotë se grumbullimi i mbi 300.000- 500.000 lëndëve gjyqësore është e dhënë që tregon se gjyqtarët dhe prokurorët flenë në një shtrat me krimin e organizuar, i cili fatkeqësisht fshihet brenda politikës dhe brenda institucioneve të shtetit. “Nga të gjitha këto zvarritje pësojnë vetëm qytetarët e thjeshtë, që nuk ka kush i mbron, sidomos nga krimi i organizuar brenda Policisë, Gjyqësisë dhe Prokurorisë, sepse vetëm po pate para ose lidhje politike- mafioze sot mund të kryesh çfarëdo shërbimi, edhe nëse është i jashtëligjshëm dhe kundër ligjit, pra je i paprekshëm nga dënimi i ligjit. Kjo situatë vazhdon të jetë kështu, sepse nuk ka përgjegjësi as në KGJK, as në KPK, prandaj mafia vendore, me disa mafiozë ndërkombëtarë, sot, pos që po luajnë me drejtësinë, po luajnë edhe me fondet e Kosovë, po luajnë edhe me fondet e Trustit Pensional, me fondet e ish- AKM-sëAKP-së, me qindra miliona, ndoshta edhe miliarda, që rrinë nëpër bankat e huaja dhe me to luhet bixhoz në BURSAT botërore, pa pasur dijeni qytetarët e Kosovës për fatin e tyre, pronë e të cilëve janë ato fonde”, u shpreh ai.”Pra, edhe fshehja dhe zvarritja e lëndëve të mafiozëve politikë dhe devalvimi i qëllimshëm i tyre janë veprime të organizuara dhe të mbështetura nga organet e shtetit, të cilat janë të kapura pothuajse që të gjitha nga mafia politike e Kosovës, ku as politikan nuk mund të bëhesh pa qenë i korruptuar dhe i kapur nga bosët e krimit, duke u shërbyer atyre si kukull dhe servil. Gjithmonë e kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris, se pa pastrimin komplet, dezinfektimin e drejtësisë, të Prokurorisë, të Policisë dhe AKI-së nga dora e mafisë nuk do ketë kurrë rregull dhe rend në vendin tonë të izoluar dita-ditës, në shtetin e brishtë të Kosovës”, tha Miftari për “Kosova Sot”.
DREJTËSIA NË “VDEKJE KLINIKE”
Sipas njohësit të kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, balanca dhe kontrolli edhe në sistemin e drejtësisë, sikurse i të gjitha pushteteve, është i garantuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por faktikisht pavarësia e pushteteve në Kosovë është e përqendruar në duart e pak njerëzve dhe kështu që e bën funksionimin e brishtë të institucioneve, e posaçërisht të pushtetit gjyqësor.”Në çdo demokraci të mirëfilltë institucionet duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, e jo mandati ligjor të devijohet për interesa personale, politike e nepotike. Kjo logjikë e funksionimit ka sjellë vendin në një ‘vdekje klinike’ dhe ka humbur shpresën në institucionet publike, e posaçërisht në institucionet e drejtësisë. KGJK-ja dhe KPKja janë instrumetalizuar nga politika dhe faktikisht Gjyqësorit i japin ngjyrime politike e jo profesionalizëm, kredibilitet,efikasitet dhe efektivitet”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


