Fundamenti

Shteti “monstër”

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Një gjykatë në Shkup dënoi javën e shkuar gjashtë shqiptarë me burgim të përjetshëm, duke formalizuar kështu verdiktin që e kishte kumtuar dy vjet më parë politika. Akti ka nxjerrë shumë shqiptarët rrugëve gjithandej Maqedonisë, për të protestuar kundër pasigurisë juridike dhe diskriminimit që u bëhet vazhdimisht nga shteti që i trajton si qytetarë të dorës së dytë.

Ndarje të thella etnike vazhdon të përjetojë Maqedonia, edhe pas më shumë se një dekade prej kur është arritur Marrëveshja e Ohrit që shmangu një luftë të përgjakshme ndërmjet një pjese të shqiptarëve që kishin rrokur armët dhe forcave qeveritare, shkruan Koha Ditore.

Paqja qe mbërritur vetëm kur u dhanë garanci për avancim të të drejtave të shqiptarëve, që përbëjnë një të tretën e popullatës së këtij shteti. Shumë nga garancitë mbetën vetëm në letër. E tash revolta që shihet në masë, rrezikon ta vrasë edhe këtë paqe të brishtë.

Uji Dea

Gjykimi monstruoz

Pakënaqësitë e shqiptarëve u theksuan tash, kur iu dha epilogu një procesi gjyqësor për vrasjen e pesë maqedonasve që dy vjet më parë ka ndodhur në një breg liqeni në periferi të Shkupit. Pak ditë pas vrasjes, policia ndërmori një aksion të koduar “Monstra” për gjetjen e autorëve.

Pjesë e aksionit ishin gati një mijë policë të shpërndarë në të gjitha lagjet me shqiptarë, që ndodhen në kryeqytetin maqedonas. Qenë arrestuar 20 persona, në mesin e të cilëve gra të moshuara, por shumica nga ta u liruan pastaj.