Shteti më i ri, më i korruptuari

Kosova është shteti më i ri në Evropë, por më i korruptuari. Kështu thuhet në raportin e fundit të “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit në botë. Sipas këtij raporti, të gjitha vendet fqinje janë dukshëm më pak të korruptuar se Kosova, përderisa kjo e fundit është në të njëjtën pozitë me Etiopinë dhe Moldavinë
Kosova vazhdon ta mbajë “rekordin” e korrupsionit në Ballkan. Madje, shteti më i ri në Evropë për nga shkalla e korrupsionit është në linjë të njëjtë me Etiopinë dhe Moldavinë. Kjo bëhet e ditur në raportin e fundit i “Transparency International”, sa i përket perceptimit rreth korrupsionit, i publikuar të mërkurën në Prishtinë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Sipas këtij raporti, Kosova është renditur në vendin e 103-të në botë për nga shkalla më e lartë e korrupsionit, apo rreth 42 vende më poshtë se Mali i Zi, i cili është renditur në vendin e 61-të në raportin e “Transparency International”.
Pavarësisht se për dallim nga viti i kaluar ka një përmirësim të lehtë për 7 vende në raport, shtetet e rajonit qëndrojnë shumë më mirë. Republika e Maqedonisë qëndron në pozitën e 66-të, Serbia në 71, Bosnja në vendin e 76-të, Shqipëria sivjet ka bërë përparim të madh, duke u renditur në vendin e 88-të, krahasuar me vitin 2014 kur së bashku me Kosovën ka qenë në pozitën e 110-të.
Ashtu edhe sikurse vitin e kaluar, Danimarka është vlerësuar dhe renditur e para në listë sa i përket shteteve me nivelin më të ulët të korrupsionit në botë, ndërkaq sivjet e dyta renditet Finland./zeri/