ARKATANA

Shteti i të fortëve

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Njerëz të fuqishëm të politikës dhe familjarë të tyre gjejnë mënyra e mënyra për të zhvatur miliona nga shteti. Ata nuk e kanë dert as të përfshihen në “përleshje sporadike fizike”, siç mund t’i quajë presidenti, sepse e dinë që ligji nuk vlen njësoj si për ta, si për qytetarët e rëndomtë. Ata e kanë në dorë ligjin, e kanë në dorë shtetin.

Telekomi i Kosovës është në krizë financiare por, pavarësisht kësaj, nuk e ka problem t’i jep avancë mijëra euro një kompanie të kontraktuar për marketing. Kompania është në pronësi të dy djemve të Adem Grabovcit, atij që njihet si “shefi i shefave”, personazhit kryesor të “Aferës Pronto”. Sipas raportimit të KTV’së, për shërbimin që ofrojnë djemtë e “të fortit” të PDK’së, nga Vala marrin pesë mijë euro në muaj. Kontrata është lidhur në vitin 2015, por kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Gent Begolli, nuk ka dhënë detaje se çfarë lloji të shërbimeve të marketingut ofrojnë saktësisht Grabovcët, që të paguhen qindra-mijëra euro nga kompania që është në prag të falimentimit. Që kur kanë lidhur kontratë, Grabovcët kanë marrë nga Telekomi hiç më pak se 390 mijë euro për “hapësirat reklamuse” që ofrojnë.

Ky rast është vetëm njëri ndër qindra e qindra të tillë, në të cilët janë të përfshirë njerëzit e fuqishëm të politikës dhe familjarë të tyre, që gjejnë mënyra e mënyra për të zhvatur paratë e shtetit.

Djemtë e Adem Grabovcit u bënë të njohur për opinionin edhe para se të lidhnin kontratë me Telekomin, pasi që e kishin rrahur një polic kosovar deri në alivanosje, vetëm pse ai kishte guxuar t’ua kërkojë dokumentet e nevojshme për makinën që e voziste njëri nga ta. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë, por dënimi ishte konvertuar në para për të shmangur burgimin. Grabovcët Jr. ishin dënuar me 6000 euro, që i bie se paratë kanë mundur t’i paguajnë me të ardhurat e një muaji që marrin nga Telekomi.

E në Telekom, më shumë se 2400 punëtorë marrin rroga të majme. Kjo kompani ka shërbyer ndër vite për punësimin e të afërmve të politikanëve dhe militantëve partiakë. Vetëm muajt e fundit, prej se kur në krye të kompanisë Ramush Haradinaj dërgoi njeriun e tij, qindra njerëz janë rehatuar aty. Siç janë rehatuar e vazhdojnë të rehatohen nëpër ministri të ndryshme bij e bija, mbesa e nipër, kunata e kunetër të politikanëve. Të fortit bëjnë çfarë të duan dhe qeverisin si të duan, pa frikë se ligji mund t’i ndëshkojë.

* * *

FIDANISHTJA

Kështu mund të kenë menduar dy vëllezërit e presidentit Hashim Thaçi, njëri ndër të cilët u përfshi në incident me Policinë e Kosovës kohë më parë, e tjetri të mërkurën me zyrtarë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Kështu mund të ketë menduar edhe djali i shefit të AKI’së, Shpend Maxhuni, tek i cili u gjetën armë e narkotikë. Dhe kanë të drejtë të mendojnë kështu, sepse në përgjithësi ndaj të fortëve dhe familjarëve të tyre, shteti është treguar i dobët.

Mjafton të shihet se si në Rastin Maxhuni policia demantoi versionin e prokurorisë, për të kuptuar se si funksionojnë këto institucione kur bëhet fjalë për familjarë të të fortëve. Mjafton të shihet përpjekja për ta shfajësuar Maxhunin Jr., për të vlerësuar se në të tilla raste policia e prokuroria nuk janë në shërbim të ligjit, por të politikës. Në këtë mënyrë, për qytetarët e rëndomtë të Republikës, të cilët nuk e kanë askënd të fortë, krijohet pasiguri juridike dhe mosbesim karshi institucioneve që do të duhej të ishin në shërbim të tyre. Në këtë mënyrë vetëm sa vërtetohet se Kosova nuk është shtet i qytetarëve, por i të fortëve që kontrollojnë gjithçka, që vendosin për gjithçka. I të fortëve që janë shteti vetë.

Dhe këta të fortë bëjnë çmos që skandalet e tilla të mos bëhen publike. Ata janë në gjendje të kërcënojnë e shantazhojnë media e gazetarë vetëm të mos merren vesh marifetet e tyre. Marifete që i diskreditojnë edhe më shumë dhe që nxjerrin një pah mënyrën e funksionimit të një shteti, mënyrën e funksionimit të një sistemi – të sistemit që nuk i ndëshkon, por i mbron.

* * *

Përtej të qenit vetëm të afërm e familjarë të të fortëve, opinioni duhet të dijë për marifetet e tyre ngase ata harxhojnë paratë tona, qoftë nëpërmjet kompanive të krijuara enkas për të ofruar shërbime që paguhen shtrenjtë, qoftë nëpërmjet menaxhimit të miliona eurove që bashkatdhetarët thonë se iu plaçkiten në kufi.

Përtej të qenit të afërm e familjarë të të fortëve, ata janë pararojë e veprimeve të vëllezërve e baballarëve. Ata janë pasqyra e funksionimit të një shteti të brishtë, të kapur nga të fortët dhe që është në shërbim të tyre. Andaj ata nuk e kanë dert as të përfshihen në “përleshje sporadike fizike”, siç mund t’i quajë presidenti, e as në të tjera skandale. Skandale që shpërfaqin shtetin e kapur, shtetin në pronësi të të fortëve.