Eko Higjiena

Shteti i Pronës së Familjes

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Nga Albin Kurti – “Sa i përket rehatimit të dajëve, normalisht ne si parti politike e vlerësojmë shumë lart familjen se është qeliza e shtetit dhe ai që nuk e respekton familjen nuk e respekton as rrethin dhe askënd tjetër”. Kështu ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me bisedat telefonike të tij me kryeministrin Thaçi, ku ky i thotë këtij të fundit t’ia punësojë një dajë që Thaçi ia “ka lënë anash”.

Përgjigja e këtillë e Grabovcit është në përputhje të plotë me moton më të re të PDK-së: Familja, Prona, Shteti. Pra, familja është e para kurdo e kudo përfshirë këtu edhe për pozitat më të larta shtetërore. Edhe për vetë kryeministrin, edhe për kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, edhe për të gjithë e secilin në këtë parti, në çdo çast e në çdo situatë, njëherë duhet rehatuar familja e pastaj, nëse mbetet kohë dhe energji, eventualisht kalohet edhe te qytetarët e tjerë të këtij vendi. Kjo Familje nuk është e vogël sepse nuk është e ngushtë: aty hyjnë edhe dajët, që më parë i bie edhe kushërinjtë e nënës sesa vetëm vëllezërit e saj.

Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos/nepotis që do të thotë nip. Grabovci e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet. Ai ndërhyn edhe në agjendën e kryeministrit i cili jo vetëm që s’e zmbraps dot këtë kërkesë të nipit Grabovci, por edhe i duhet të shfajësohet para tij duke u përgjigjur që nuk i është thënë ta kryejë këtë punë(sim). Ky nepotizëm par excellence që ka përfshirë edhe kreun e Qeverisë, prej Grabovcit quhet ‘respekt për familjen’.

Privilegjet për të afërmit e tyre në llogari të interesit dhe parasë publike, Grabovci dhe të ngjashmit i quajnë veçse respekt. Sjellja e këtillë ështe tipike mafioze. Shërbimet kriminale që i kryen një familje mafioze ndaj tjetrës, ose një anëtar i familjes për një tjetër anëtar të familjes, interpretohen e përjetohen si respekt, përkatësisht si dëshmi e respektit për familjen. Për këtë mendësi nuk ka rëndësi institucioni publik a shtetëror para rëndësisë së familjes. Prandaj, institucioni publik e shtetëror janë, mbi të gjitha e para së gjithash, burime dhe mjete për familjen e kurrsesi qëllime të mbrama.

Natyrisht, jo për të gjitha familjet e secilën familje, por për familjet e tyre, për Familjen e tyre. Kësisoj, nepotizmi nuk është më korrupsion – privilegjet për Familjen në kurriz të të drejtave të familjeve të tjera të popullsisë janë respekt! Njerëzit e Familjes arrijnë të tregojnë ‘respekt’ për Familjen e tyre, për dallim prej familjeve të tjera në Kosovë që nuk kanë nip të tyre në regjimin sundues.

Jorastësisht pra motoja më re e PDK-së që sublimon programin e tyre të ardhshëm partiak nis me Familjen. Pastaj vijnë Prona dhe Shteti. Renditja e këtyre koncepteve nuk është e tillë që kulmon me Shtetin. Nuk është familja në funksion të pronës që është në funksion të shtetit. E kundërta është e vërtetë: Shteti i shërben Pronës që i përket Familjes. “Familja, Prona, Shteti” do të thotë që Prona është Pronë e Familjes kurse Shteti është Shtet i Pronës. Familja: sepse nuk lanë familjarë pa punësuar deri te dajët e largët.

Madje, pas asaj ‘Pronto’ dhe ‘Come stai?’ të bisedës Thaçi-Grabovci, Familja, në fakt, është ‘La Famiglia’. Prona: sepse është ajo që përvetësuan nga tenderët, privatizimi ose uzurpimet. Shteti (në fund): sepse kanë nevojë ta mbrojnë dhe shenjtërojnë atë që e vodhën e plaçkitën, pra shteti si mjet për dy të parat pasi që tashmë e kanë kapur shtetin duke e bërë atë shtet të kapur porsi një vegël.

GRANDEMALL

Përveç renditjes së këtyre koncepteve të pranishme në këtë parullë, janë edhe konceptet që mungojnë ato që konsistojnë te kuptimi i asaj që kemi në këtë parullë. Askund nuk i kemi Shoqërinë dhe Kombin, por as Qytetarin dhe Individin. Familja, pra jo Shoqëria dhe as Individi. Prona, pra jo Qytetari. Dhe, Shteti, pra jo Kombi. Qytetari dhe Individi, Shoqëria dhe Kombi, duhet të jenë diku në shërbim të këtyre koncepteve të vizionit më të ri të PDK-së. Kushedi, shoqëria dhe kombi, qytetarët dhe secili individ, ndoshta edhe do të mund të zgjedhin se ku do të shërbejnë. Direkt te Familja, te Prona e Familjes ose te Shteti i Pronës. Zaten, me këtë parullë, e gjithë zgjedhja që mund të ofrohet në Kosovë është veçse e këtij lloji.

Me këtë moto të PDK-së që thotë se “Pronat tona Familjare na i ruan Shteti” po udhëhiqen zgjedhjet e brendshme në PDK. Si u lansua dhe u instalua kjo parullë? Kush dhe kur e solli atë? Qysh prej anëtarësimit të tij në një nëndegë në Mitrovicë, me 2 nëntor, ishte Kadri Veseli ai që hyri në PDK me parullën “Familja, Prona, Shteti”. Mbase kjo ishte e drejtë e tij si person dhe në rast se ai fiton në fund të procesit zgjedhor në PDK dhe ka mbështetës të tjerë të mjaftueshëm, atëherë është e kuptueshme që kjo të shndërrohet edhe në emrin a titullin e programit të ri të PDK-së mandej.

Mirëpo, përderisa ky nuk është zgjedhur dhe askush tjetër zyrtarisht nuk e ka mbështetur këtë parullë, është absurde dhe e padrejtë që ajo të ngjitet në panon e PDK-së në çdo degë të saj ku po mbahen zgjedhjet. Në pano, para delegatëve të degës, shkruante “Për Ferizajn/Prishtinën/Prizrenin etj. Europian” dhe aty afër, me shkronja të mëdha të dorës (që duket më autoriale dhe jo me shkronja të shtypit që mbesin disi industriale) figuron parulla “Familja, Prona, Shteti” me ngjyrë të bardhë në sfond të kaltër. Kjo parullë në pano tregon që secili që voton a garon në PDK, e bën këtë përbrenda kësaj parulle dhe për realizimin e saj.

Dy përfundime mund t’i nxjerrim qysh tash. Së pari, në fillim të vitit 2011, në Grupin Parlamentar të PDK-së, u pat bërë një puç me ç’rast kryetar i këtij Grupi nuk u bë Fatmir Limaj por Adem Grabovci. Tash, ky puç po vazhdohet edhe në PDK ku përmes kësaj farse prej zgjedhjeve të brendshme SHIK-u po e merr edhe partinë. (Mbase fati i ngjitjes së motos së Veselit paralajmëron se si do të ngjitet ai vetë në krye të PDK-së, po sikur motoja e tij: pa verifikim nga baza dhe si diçka që demoracinë formale e ka vetëm justifikim për ta legjitimuar një vendim që tashmë është marrë.) Së dyti, është e qartë që PDK-ja teksa hiqet si parti e qendrës së djathtë po profilizohet si një parti e djathtë neoliberale që kamuflohet me konservatorizëm. Por, fundja, qysh thotë sociologu Boaventura de Souza Santos: neoliberalizmi nuk është liberalizëm i ri, por konservatorizëm i ri.

Më 26 gusht 2012, aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” patën ndërmarrë aksionin simbolik “Shitet prona, 26.300 euro” përpara shtëpisë së re të kryeministrit Hashim Thaçi. Në asnjë prej fotografive që u botuan nuk mund të shihej e tërë shtëpia – për t’u fotografuar a xhiruar e gjithë kjo shtëpi në përmasën e saj duhej marrë një kuadër ku pastaj nuk shihej dot parulla jonë “Shitet prona, 26.300 euro” për shkak të largësisë që krijohej, kurse për t’u parë kjo parullë duhej bërë pak zoom dhe sakaq korniza e skajeve të kësaj shtëpie dilte jashtë kuadrit.

Këtë aksion e bëmë atëherë kur Thaçi po e shiste Distribucionin dhe Furnizimin e KEK-ut për vetëm 26 milionë e 300 mijë euro. Patëm thënë që “Publikja është diçka që nuk bëhet private. Kompanitë publike do të duhej të ishin kompani të paprivatizueshme. Ato duhet të jenë interes kombëtar, strategjik e interes ekonomik dhe si të tilla duhet të mbesin publike.” Meqë Thaçi po e privatizonte publiken tonë, ne simbolikisht e publik(ëz)uam privaten e tij. Mirëpo, edhe si simbol kjo gjë ishte e padurueshme për të. Aktivistët asokohe u sulmuan nga roja e kësaj prone. Kur është në pyetje publikja e Kosovës, Thaçi thotë: Negociata, jo vetëvendosje!. Ndërkaq, kur vjen në pyetje privatja e tij, Thaçi reagon: jo negociata, vetëvendosje!

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.